Ndërlidhjet

logo-print

Në Prishtinë u mbajt konferenca ndërkombëtare me temën “Kosova dhe bota arabe”, organizuar nga Forumi 2015, e cila kishte si qëllim debatin me intelektualë të vendeve islamike lidhur me njohjen e pavarësisë nga vendet arabe.

Kosova kërkon mbështetjen dhe njohjen e saj nga vendet arabe, është thënë sot në një konferencë të mbajtur në Prishtinë, me temën “Kosova dhe bota arabe”.

Duke iu drejtuar të pranishmëve në konferencë, kryesisht intelektualë nga vende të ndryshme arabe, intelektualë kosovarë dhe përfaqësues të institucioneve dhe partive politike, presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova ka pritur dhe pret që edhe vendet arabe ta njohin realitetin e ri dhe t’iu bashkohen edhe vendeve tjera që veç e kanë bërë këtë punë.

Sejdiu tha se Kosova e pavarur është një vend i mundësive të barabarta për të gjithë qytetarët e saj. Ndërkaq, në aspektin e jashtëm, ai tha se Kosova angazhohet për stabilitet dhe raporte të mira me të gjithë, sidomos me vendet fqinje. Ai tha se Beogradi ka një qasje negative kur është në pyetje Kosova, qasje kjo që reflektohet edhe në aspektin e njohjes.

Po shpresojmë dhe besojmë se do të jetë një kohë e rrafsheve të reja të bashkëpunimeve që edhe nga ana e tyre të njihet realiteti në Kosovë, si realitet i perspektivës për të gjithë qytetarët. Dhe, paralelisht të ndërprenë këtë pjesë të fushatës dhe të qasjeve që janë destruktive apo duke u përpjekur t'u bëj pengesa të veçanta edhe njohjeve të mëtejshme të Republikës së Kosovës, por duke bërë përpjekje po ashtu për të destabilizuar në forma të ndryshme qenien e saj apo formën e saj”, tha Sejdiu.

Ndërkohë, profesori nga Libani, Ridwan al-Sayed, tha se ka dilema e hezitime tek shtetet e ndryshme arabe, kur është në pyetje njohja e Kosovës. Ai tha se ky botëkuptim mund të ndryshohet edhe me një politikë më aktive të Prishtinës dhe me një bashkëpunim më të madh me vendet islamike.

Ridwan al-Sayed tha se ka qenë në forume të ndryshme ku është diskutuar edhe çështja e Kosovës dhe kishte vërejtur se ka shumë hezitime tek qeveritë e vendeve të ndryshme arabe që ta njohin Kosovën. Sidoqoftë, ai tha se besonte që me njohjen e Kosovës, vendet arabe do të mund të përfitonin më shumë, sesa me mosnjohjen e saj.

“Ne nuk shohim ndonjë arsye pse ka hezitim nga vendet arabe që nuk e kanë njohur deri më tash Republikën e re të Kosovës”, tha Ridwan al-Sayed, duke besuar se të paktën disa nga vendet arabe brenda pak muajve do ta njohin Kosovën. Por, sipas tij, nuk duhet harruar se vendet arabe kanë secila interesa dhe politika të veçanta.

Për dallim nga përfaqësuesit e institucioneve, publicisti Veton Surroi kritikoi drejtpërdrejt politikën dhe qasjen e qeverisë ndaj çështjes së njohjes, si një prej argumenteve, sipas tij, kryesore, pse shifrat e njohjes janë ende në numrin 46. Surroi tha se Kosova nuk ka fare politikë të jashtme, andaj edhe nuk ka ndonjë politikë të caktuar as ndaj botës arabe.

“Kosova si shtet, në fakt, nuk ka politikë ndaj vendeve të botës arabe. Miqve tanë arabë nëse u shërben si ngushëllim, do shpjeguar se Kosova nuk ka politikë të jashtme. Prandaj, nuk ka as politikë të jashtme ndaj vendeve të botës arabe. Kuvendi i Republikës së Kosovës ende nuk ka diskutuar për politikën e saj të jashtme qoftë në kuadër të komisionit përkatës, qoftë në mbledhjen e vet plenare”, tha Surroi.

Surroi tha se Prishtina kishte injoruar problemin duke besuar se vendet arabe do ta njohin gjithsesi Kosovën dhe nëse nuk e bëjnë vetë, do ta bëjnë këtë, sepse kështu dëshirojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ndryshe nga Surroi, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, tha se qeveria ka një qasje pozitive ndaj botës arabe dhe, sipas tij, pritjet e Prishtinës janë se do të ketë njohje edhe nga kjo pjesë e botës. Kjo, sipas tij, ishte një injorancë politike e Prishtinës.

“Qeveria e Republikës së Kosovës punon me tërë kapacitetet e saj për të siguruar sa më shumë përkrahje ndërkombëtare për Kosovën, duke përfshirë në mënyrë të veçantë vendet e botës arabe, me të cilat kemi kontakte e takime të shpeshta. Kosova, me të drejtë, kërkon dhe pret përkrahje e njohje nga këto vende, në këto momente të papërsëritshme historike për ne”,
është shprehur Hyseni.

Gjatë debatit kishte edhe këshilla për Qeverinë e Kosovës që të jetë më aktive në raport me vendet arabe. Profesori nga Jordania, Muhamet Mufaku, i ka rekomanduar qeverisë që të hapë ambasadën e Kosovës në Turqi, si vend me ndikim te shtetet islamike, si dhe ka bërë thirrje për më shumë kontakte e diplomaci me këto vende.

Qëllimi i kësaj konference ishte jo vetëm sensibilizimi i qeverive të vendeve arabe në lidhje me pavarësinë dhe njohjen e Kosovës si shtet, por edhe ofrimi i argumenteve se Kosova nuk është një shtet artificial i krijuar nga perëndimi e NATO-ja, siç po prezantohet nga ana e diplomacisë ruse dhe serbe, por është një shtet i qëndrueshëm që i kontribuon stabilitetit dhe paqes në rajon.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG