Ndërlidhjet

logo-print

Filloi Konventa e Partisë Demokratike


Denver, 25 gusht 2008 - Pamje gjatë Konventës së Partisë Demokratike.

Denver, 25 gusht 2008 - Pamje gjatë Konventës së Partisë Demokratike.

Pritet që Barack Obama ta pranojë nominimin e partisë së tij në fjalimin që e mban në Konventë, të enjten. Konventa e Partisë Republikane, ku do të zyrtarizohet kandidatura e senatorit John McCain, mbahet në fillim të shtatorit.

Partia Demokratike e Shteteve të Bashkuara e ka filluar mbrëmë vonë Konventën Kombëtare në Denver, në të cilën Barack Obama zyrtarisht do të nominohet për zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Në hapje të Konventës folën senatori Edward Kennedy dhe bashkëshortja e Barack Obamës, Michelle.

"Le të qëndrojmë së bashku për ta zgjedhur Barack Obamën për president të Shteteve të Bashkuara. Ju faleminderit! Zoti ju bekoftë. Zoti e bekoftë Amerikën", tha Michelle Obama.

Senatorja Hillary Clinton tha se "absolutisht nuk ka dyshim" se Partia Demokreatike e Shteteve të Bashkuara, pas Konventës në Denver, do të dalë unike.

Në fjalimin e saj, ajo tha se "njerëzit me gjasë kanë rrugë të ndryshme" për të arritur tek uniteti dhe shtoi se "unë do të bëj çdo gjë të mundshme për ta arritur këtë".

Më tutje, ajo tha:

"Zgjedhja e zoti John McCain do të ishte gabim për vendin tonë. Kjo do të thoshte që të mos pranohet realiteti, prandaj çdo kush që ka votuar për mua, kanë shumë më tepër gjëra të përbashkëta me senatorin Barack Obama, sesa që ata ndonjëherë do të kenë me senatorin McCain dhe Partinë Republikane", tha Hillary Clinton.

Senatori Edward Kennedy tha se kandidatura e Barack Obamës ofron shpresë për një Amerikë më të fuqishme, pas tetë vjetëve të administratës së presidentit Bush.

"Me Barack Obamën, për ju dhe për mua, vendi ynë do të jetë i përkushtuar për qëllimin e Obamës. Puna fillon prapë. Shpresa rritet përsëri dhe ëndërra vazhdon të ekzistojë", tha senatori Kennedy.

Pritet që zoti Obama ta pranojë nominimin e partisë së tij në fjalimin që e mban në Konventë, të enjten.

Konventa e Partisë Republikane, ku do të zyrtarizohet kandidatura e senatorit John McCain, mbahet në fillim të shtatorit.


XS
SM
MD
LG