Ndërlidhjet

WSJ: "Agresioni i Rusisë, sfidë për rendin botëror"


"Wall Street Journal"

Shrkuajnë: Lindsay Graham, senator republikan, dhe Joe Lieberman, senator demokrat


Në fillim të invazionit të Rusisë në Gjeorgji, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre transatlantikë me të drejtë janë përqëndruar në dy çështje urgjente: largimin e ushtarëve rusë nga territori gjeorgjian dhe futjen e ndihmave humanitare. Por, tani është thelbësore për Perëndimin që të shikojë përtej menaxhimit të krizës në baza ditore.

Agresioni i Rusisë nuk është vetëm kërcënim ndaj një vendi të vogël demokratik në cepin e Evropës; është një sfidë për rendin politik dhe vlerat në zemër të këtij kontinenti. Për më shumë se 60 vjet, që prej Luftës së Dytë Botërore, Luftës së Ftohtë dhe ndërhyrjes në ish-Jugosllavi, Shtetet e Bashkuara kanë promovuar dhe luftuar krjimin e një Evrope të tërësishme, të lirë dhe paqësore.

Dhe, pikërisht kjo konsiderohet si një prej arritjeve më të mëdha strategjike të shekullit të 20-të, transforimimi gradual i kontinentit, dikur skenë e luftërave më të dhunshme dhe më shkatërruese, në një oazë paqeje dhe prosperiteti, ku kufijtë janë të hapur dhe të pakontestueshëm, ndërkaq agresioni i pamundur.

Invazioni i Rusisë në Gjeorgji pasqyron sfidën më serioze mbi këtë rend politik që prej kohës kur Sllobodan Millosheviqi çliroi demonët e nacionalizmit etnik në Ballkan. Ajo që po ndodh sot në Gjeorgji, nuk është thjesht vetëm një konflikt territorial, por është një betejë mbi një vijë të re ndarëse përgjatë Evropës, midis vendeve që janë të lira për të vendosur fatin e tyre dhe vendeve që u nënshtrohen orbitës autokratike të Kremlinit.

Ekzistojnë dëshmi shqetësuese që flasin se Rusia është duke e përgatitur terrenin për të shfrytëzuar argumentet e njëjta si në Gjeorgji edhe në vendet tjera në fqinjësi të saj, vçanërisht në Krimea të Ukrainës.

Prioriteti i parë për Amerikën dhe Evropën duhet të jetë parandalimi i përmbushjes së objektivave strategjike të Kremlinit në Gjeorgji. Përveç ndihmave humanitare dhe atyre ushtarake dhe një plani të përbashkët midis Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për rindërtimin e Gjeorgjisë, përgjigjja e Perëndimit ndaj invazionit rus duhet të përfshijë edhe veprime konkrete rajonale për t'i siguruar fqinjët e shqetësuar të Rusisë dhe për të sforcuar solidaritetin transatlantik.

Kjo nënkupton një jetë të re për NATO-n si aleancë ushtarake dhe jo vetëm si një aleancë politike, ringjalljen e planeve emergjente për mbrojtjen e të gjitha vendeve anëtare nga sulmet konvencionale dhe ato jokonvencionale.

Dhe, së fundi, Shtetet e Bashkuara dhe Evropa kanë nevojë për një aleancë të re transatlantike të energjisë. Në vitet e fundit, Rusia ka shfrytëzuar me shumë gatishmëri naftën dhe gazin si një lloj arme, duke u përpjekur të konsolidojë kontrollin mbi korridoret strategjike të energjisë për Perëndimin. Me punën e përbashkët, një alerancë e këtillë mund të dëmtojë konceptet e këtilla dhe të zbusë varësinë e Perëndimit nga nafta e huaj.

Edhe pse aktualisht është e shpërlarë me pasuri nga nafta, elita politike e Rusisë vazhdon të mbetet kleptokrate dhe agresioni i saj në fakt më shumë pasqyron dobësinë e saj dhe jo fuqinë. Invazioni në Gjeorgji e ka bërë të qartë se për dallim nga Bashkimi Sovjetik, Rusia e sotme ka pak aleatë me vlera strategjike.

Në fund, një Rusi, e cila synon të definojë madhështinë e saj në kuptimin e sferave të ndikimit dhe të imponojë besnikëri të verbër ndaj Moskës, do të dështojë, duke varfëruar edhe më shumë banorët e saj në këtë proces. Çështjka është sa kohë e gjatë do të kalojë derisa liderët e Rusisë e rizbulojnë këtë mësim nga vetë historia e tyre.

XS
SM
MD
LG