Ndërlidhjet

Perëndimi reagon ashpër kundër vendimit të Rusisë


Kancelarja gjermane Angela Merkel e cilësoi vendimin e presidentit rus për njohjen e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë si "absolutisht të papranueshëm" dhe në "kundërshtim me ligjin ndërkombëtar".

Britania e Madhe e ka hedhur poshtë vendimin kategorikisht dhe e ka riafirmuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Gjeorgjisë.

Ky vendim është "në kundërshtim me obligimet që Rusia vazhdimisht i ka marrë në rezolutat e Këshillit të Sigurimit" të Kombeve të Bashkuara, ka thënë zëdhënësja e ministrisë së jashtme në Londër.

Ministri i jashtëm italian Franco Frattini tha se "ballkanizimi i Kaukazit mbi baza etnike është rrezik serioz për të gjithë".

Kryesuesi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, ministri i Jashtëm i Finlandës Alexander Stubb tha se ky hap i "dhunon parimet fundamentale të OSBE-së".

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jaap de Hoop Scheffer tha se hapi i Rusisë është "shkelje e drejtpërdrejtë e rezolutave të numërta të Këshillit të Sigurimit për integritetin territorial të Gjeorgjisë, të cilat i ka mbështetur vetë Rusia".
XS
SM
MD
LG