Ndërlidhjet

Kuçi: Për Kosovën vlen vetëm Kushtetuta e saj


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës thotë se UNMIK-u s'ka mandat të negociojë e as të bëjë marrëveshje me Beogradin për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Zëvendëskryeministri Kuçi thotë se vetëm Qeveria e Kosovës ka mandat të plotë të bisedojë e të marrë vendime ekzekutive.

Që nga fuqizimi i Kushtetutës më 15 qershor, që pasoi shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt, në Kosovë qeveriset nga institucionet e saj, kurse roli i pranisë ndërkombëtare është monitorimi dhe mbikëqyrja, thonë autoritetet qeveritare në Prishtinë.

Duke iu referuar një procesi të ri bisedimesh ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që po përgatitet nga shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se këto bisedime duhet ta njohin realitetin ri në Kosovë dhe se këto bisedime duhet parë në kuadër të kontekstit të bisedimeve që Kosova zhvillon me vendet e rajonit.

Kuçi thotë se UNMIK-u tashmë ka një mandat që nuk përputhet shumë me zhvillimet e reja politike. Duke e çmuar megjithatë rolin e UNMIK-ut, sado të padefinuar mirë, Kuçi thotë se Kosova nuk do të pranojë në asnjë rast marrëveshje të gatshme eventuale që do të mund të arriheshin ndërmjet Kombeve të Bashkuara dhe Beogradit.

“E çmojmë rolin e UNMIK-ut dhe angazhimin e secilit, por ajo që dua ta them dhe është e qartë besoj për të gjithë, në Kosovë veprohet dhe mendohet sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në Kosovë gjithsesi që nuk mund të ketë asnjë teori që mund të diskutohet për statusin e Kosovës, që tashmë është punë e kryer”, thekson Kuçi.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, rikujton UNMIK-un se Kosova tashmë funksionon si shtet i pavarur dhe se përgjegjësinë për çdo marrëveshje me vendet tjera e marrin përsipër vetëm institucionet e dala nga zgjedhjet e lira.

Kuçi thotë se nuk mund të flitet se cili është dokumenti më i fuqishëm për kah përmbajtja juridike, Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit apo Kushtetuta e Republikës së Kosovës, pasi që Kosova, nënvizon ai, ka shpallur pavarësinë dhe funksionon vetëm mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të saj në fuqi dhe jo në bazë të dokumenteve tjera.

“Roli i UNMIK-ut, por edhe i EULEX-it dhe misionit ndërkombëtar, nuk është rol qeverisës që nga 17 shkurti, përkatësisht 15 qershori, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës; roli i tyre është mbikëqyrës. Kurse, qeverisës është roli i institucioneve të dala nga vota e popullit dhe qeverisës është vetëm roli i atyre që kanë mandatin demokratik dhe legjitimitetin qytetar”, tha Kuçi.

Ndërkohë, në një bisedë për radion Evropa e Lirë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, thotë se UNMIK-u po e kryen mandatin e vet në bazë të Rezolutës 1244. Pozicioni i UNMIK-ut në bisedimet me Beogradin mbetet neutral, thotë Ivanko, dhe Kombet e Bashkuara, sipas tij, nuk do të bëjnë asnjë marrëveshje pa pajtimin e Prishtinës.

Bazuar në Planin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, parashihet që shefi i administratës ndërkombëtare të nisë një dialog të ri Prishtinë – Beograd, por ku do të trajtoheshin çështje praktike, edhe pse aty përmenden edhe bisedimet me Beogradin për çështjet e doganave, policisë dhe gjykatave, sidomos për lokalitetet ku jeton komuniteti serb në Kosovë.

Lidhur me këto bisedime, kryeministri Thaçi e ka thënë në disa raste se asnjë marrëveshje eventuale e UNMIK-ut me Beogradin që do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës nuk do të mund të zbatohet.
XS
SM
MD
LG