Ndërlidhjet

"Vendimi rus s'do t'i pengojë njohjet e Kosovës"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se gjithmonë ka qenë optimist për të ardhmen e Kosovës, por tani deklaron së është super-optimist për të ardhmen e ndritshme dhe prosperuese të vendit. Ai dje ka hedhur poshtë zërat e disa analistëve që flasin "për ngrirje të çështjes së Kosovës, për shkak të numrit jo të kënaqshëm të vendeve qe kane njohur deri më tash shtetësinë e Kosovës". "Gjithmonë në jetën time kam qenë optimist për Kosovën, por tani jam super-optimist për të ardhmen e vendit tonë per t'u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian. Jam shumë i bindur se për të ardhmen e Kosovës nuk do të ketë ngrirje, por do të ketë vetëm optimizem, besim dhe perspektivë integruese dhe zhvillim ekonomik", ka deklaruar dje Thaçi. Shefi i ekzekutivit kosovar dje nuk ka komentuar shumë kritikat që po bëhen ndaj qeverisë së tij jo vetëm për lobim të dobët për njohjen e pavarësisë së vendit, por edhe për vonesën që po bëhet në dërgimin e dhjetë ambasadorëve të parë në misionet e tyre diplomatike nëpër botë. I pyetur për disa kritika që ish-kolegu i tij në Parlament dhe në Grupin e Unitetit, Veton Surroi, ka bërë dy ditë më parë në adresë të Qeverisë së Kosovës, në konferencën "Kosova dhe bota arabe", ku thotë se "Kosova nuk ka fare politikë të jashtme", kryeministri Thaçi thotë se këto pohime nuk qëndrojnë aspak...

EPOKA E RE
Shefi i Misionit të BE-së në Kosovë, Yves de Kermabon, ka deklaruar se është i gatshëm të merret vesh me autoritetet serbe, por vetëm për bashkëpunim teknik. Në një intervistë për një radio lokale serbe, Kermabon ka komentuar qëndrimin e serbëve per të mos e njohur misionin e EULEX-it. Pala serbe, sipas tij, "për dy arsye e ka të vështirë të pranojë EULEX-in". "Arsyeja e parë është se ekzistojnë shumë mosmarrëveshje dhe gjëra të pasqaruara. Në aspektin e bazës ligjore, njerëzit nuk janë të njoftuar me atë se çka është në të vërtetë EULEX-i. Arsyeja e dytë është politike, sikur edhe ajo e krimit të organizuar dhe për shkak se bashkësia serbe po e injoron këtë mision, sidomos në veri të Kosovës", ka thënë Kermabon, kanë njbftuar mediet serbe. Megjithatë, shefi i EULEX-it ka thënë se është i gatshëm që me autoritetet serbe të merret vesh per bashkëpunim teknik. "Mendoj se duhet të ekzistojë bashkëpunimi. Do të dëshiroja të bisedoj me ministrin për Kosovën, Bogdanoviq, mirëpo vetëm në nivel teknik - që me institucionet serbe të vendosim bashkëpunimin", ka shtuar ai...

KOHA DITORE
Njohja e pavarësisë së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë nga Federata Ruse nuk do të ketë asnjë efekt në diplomacinë ndërkombëtare kundrejt njohjeve të mëtejme të pavarësisë së Kosovës, ka vlerësuar të martën presidenti kosovar, Fatmir Sejdiu, pas takimit që ka pasur me kryeministrin e Landit të Sakosonisë së Ulët, Christian Wullff. Duke komentuar veprimin e shtetit rus, presidenti Sejdiu ka theksuar se Kosova nuk mund të cilësohet si precedent në këtë rast. "Kosova është me tipar krejt tjetër, është sui generis dhe nuk mund të jetë precedent as për zona konfliktesh e as per territore dhe as hapësira të tjera. Konsiderojmë se në këtë kuadër do të vazhdohet me hapin e njohjeve, pra do të ketë njohje të reja", ka deklaruar presidenti Sejdiu. Me këtë rast, ai ka rikujtuar se vendimi i Federatës Ruse nuk është mirëpritur as nga vendet e tjera. "Për atë se çfarë ka bërë Federata Ruse në këtë drejtim keni përgjigjen edhe të vendeve kryesore të globit në reagimet e tyre që i kanë bërë në relacion me veprimet që kanë ndodhur këto ditë në ndërhyrjen e shtetit sovran të Gjeorgjisë, për të cilën edhe ne kemi shprehur keqardhjen tonë për viktimat që kanë ndodhur", është shprehur Sejdiu...

EXPRESS
Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës po ballafaqohet me dallime serioze të brendshme për caktimin e një Ushtruesi të Detyrës së Kryetarit, ndërkohë që pret të vendosë deri në fund të shtatorit. Anëtarët e Kryesisë pajtohen se duhet të merret ky vendim, por ata ndahen në kampe kur përmenden emra ose kur flitet për mënyrat e vendosjes së njeriut, i cili përkohësisht do ta zëvendesonte Fatmir Sejdiun. Një grup i fuqishëm brenda LDK-së, i udhëhequr nga Fadil Ferati, po shtyn përpara idenë e caktimit të një Ushtruesi të Detyrës së Kryetarit, i cili, sipas tyre, duhet të gjendet brenda Kryesisë. Por, kjo ide nuk preferohet nga garda e moçme e LDK-së, të cilët parapëlqejnë prolongimin - e nëse veç kërkohet një Ushtrues Detyre - atëherë ata zënë në gojë emrin e Eqrem Kryeziut, nënkryetarit të parë. E, në krejt këtë situatë, megjithatë, LDK duhet të marrë një vendim, i cili duket se nuk do të jetë aspak i lehtë. Ideja për vendosjen e një Ushtruesi të Detyrës së Kryetarit të LDK-së është dhënë fillimisht nga Fadil Ferati, disa ditë pasi që hyri në fuqi Kushtetuta e Re, e cila ia pamundëson Fatmir Sejdiut ushtrimin e postit të kryetarit të LDK-së. "Tash duhet të kem një adresë të përveçme" - kishte deklaruar Ferati, njeriu i cili thuhet të ketë mbështetjen e "Grupit të Gorenjes"...

KOSOVA SOT
Dy krerët e institucioneve më të larta të vendit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, kanë zhvilluar një takim sy më sy në orët e pasdites së djeshme, ku për kryefjalë kishin çështjen e emërimit të ambasadorëve, për të cilën çështje paraprakisht ishin dakorduar që gjatë kësaj jave të përcaktojnë emrat. Po në këtë takim kanë marrë pjesë edhe zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Presidenti dhe kryeministri janë pajtuar që i ngarkuar me punë në Uashington të jetë Avni Spahiu, ndërsa në Nju-jork Ali Kryeziu. Po kështu, është caktuar edhe ai në Francë, që do të jetë Muhamedin Kullashi, por këta emra ende nuk janë zyrtarizuar. Pritet që edhe për ambasadat e tjera të vendoset gjatë ditëve në vijim. Me gjithë përpjekjet e parreshtura, gazeta nuk arriti të kontaktojë ndonjë nga zyrtarët e lartë të institucioneve të apostrofuara. Por, presidenti Sejdiu, të martën, pas një takimi me pjesëmarrësit e Seminarit të 27-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka thënë se janë në përfundim të rrugës për të caktuar dhjetë ambasadorët e parë te Kosovës. Ai siguroi se lista për të ngarkuarit e parë nëpër ambasadat e Kosovës në botë është në përfundim e sipër, pa përmendur asnjë emër...

INFOPRESS
Dikur ndërtesë e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në të cilën malltretoheshin shqiptarët e Kosovës duke u marrë nëpër biseda informative, objekti përballë stadiumit të Prishtinës tash e tutje do të vihet në funksion të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës. Ndërsa, në vënien e gurthemelit për ndërtimin e ri të objektit 5-katësh të MPB-së, zyrtarë të lartë të institucioneve të Kosovës kanë deklaruar se vendosja e institucioneve në objektet shtetërore ndikon në kuptimin më pozitiv të mundshëm dhe kthimin e dinjitetit për institucionet e shtetit të ri. Ndryshe, ish-ndërtesa e MUP-it serb në Kosovë është bombarduar nga NATO gjatë sulmeve ajrore të saj mbi caqet e ushtrisë dhe policisë serbe në vitin 1999. Ndërkohë që gërmadhat e asaj ndërtese tanimë janë shkatërruar dhe gjithçka ka filluar të ndërtohet nga fillimi... Duke folur para të pranishëmve në procesin e vënies së gurthemelit për ndërtesën e MPB-së, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, tha se fillimi i ndërtimit të këtij objekti shënon një rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi, siç u shpreh ai, është një shkëputje nga mentaliteti i të kaluarës dhe kthim i dinjitetit për institucionet e shtetit të ri. "Kjo është një ditë me një rendësi të veçantë për institucionet e Republikës së Kosovës, sepse po realizojmë projektet e zotuara, projektet që institucionet e Republikës sonë të jenë në objekte shtetërore", tha kryeministri Thaçi...

LAJM
Asnjë lloj marrëveshjeje që mund të lidhet ndërmjet UNMIK-ut dhe Serbisë, pa pëlqimin e Prishtinës, e që ka të bëjë me tema të rëndësishme për zhvillimet në Kosovë, nuk do të jetë e vlefshme. Këto komete i ka bërë të martën presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu... Presidenti tha se UNMIK-u është në një proces të përmbylljes së mandatit dhe në këtë fazë mund vetëm të përpiqet të ndikojë në krijimin e relacioneve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete sovrane, por jo edhe të lidhë marrëveshje në emër të Kosovës. "Nuk heqim dorë nga qëndrimi se asnjë marrëveshje në asnjë formë nuk mund të bëhet pa pëIqimin e institucioneve të Kosovës. I çmojmë të gjitha aktivitetet që mund të bëhen për relaksimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve sovrane, por asnjëherë kurrë për çështje që lidhen me statusin e vendit apo me çështje tjera të rëndësishme". Ndërkohë, Qeveria e Kosovës ka përsëritur qëndrimin se UNMIK-u s'ka mandat të negociojë e as të bëjë marrëveshje me Beogradin për çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën. Zëvendëskryeministri Kuçi ka deklaruar të martën se vetëm Qeveria e Kosovës ka mandat të plotë të bisedojë e të marrë vendime ekzekutive...



XS
SM
MD
LG