Ndërlidhjet

Bush: Vendimi i Moskës është i papërgjegjshëm


Presidenti George Bush duke folur për situatën mes Gjeorgjisë dhe Rusisë.
Presidenti George Bush duke folur për situatën mes Gjeorgjisë dhe Rusisë.

Vendet perëndimore kanë dënuar ashpër vendimin e Rusisë për të njohur pavarësinë e rajoneve seperatiste të Gjeorgjisë, Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Bush, e ka dënuar hapin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë.

Në një deklaratë, Bush i bën thirrje Moskës që ta "rishqyrtojë këtë vendim të papërgjegjshëm", duke thënë se ai "vetëm i shton tensionet dhe i ndërlikon negociatat diplomatike".

Hapi i Rusisë u dënua edhe nga Bashkimi Evropian, NATO dhe OSBE.

Në një shkrim në të përditshmen britanike "Financial Times", presidenti rus, Dmitry Medvedev, ka thënë se nuk ka pasur zgjedhje tjetër, pos t'i njohë Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, për shkak se vendet perëndimore e njohën pavarësinë e Kosovës përkundër vërejtjeve të Rusisë.

Medvedev e akuzon presidentin Mikhail Saakashvili për krizën aktuale, duke thënë se forcat ruse hynë në Gjeorgji për t'i "shpëtuar jetët" pasi forcat gjeorgjiane e sulmuan Osetinë e Jugut.

Japonia e ka dënuar njohjen ruse të rajoneve separatiste të Gjeorgjisë, por ka shprehur dyshime se kriza mund të çojë në një Luftë të Ftohtë të re.

Ndërkohë, shefi i diplomacisë polake, Radoslav Sikorski, ka paralajmëruar se në qoftë se Rusia dëshiron përplasje me Perëndimin, atëherë përsëri do të humbë.

"Si Evropë jemi 10 herë më e pasur se Rusia, ndërsa me Shtetet e Bashkuara jemi 20 herë më të pasur. Do të doja që Rusia të bashkëpunojë me Perëndimin dhe të integrohet, por nëse niset në konfrontim, përsëri do të humbë", ka deklaruar Sikorski.

"Krijimi i shtetit me madhësinë e një rrethine me 70 mijë banorë na duket i pakuptimtë. Pranimi se ish-republikat autonome të Bashkimit Sovjetik kanë të drejtë për pavarësi, e lind precedentin, të cilin Moska dëshironte ta shmangë", ka thënë Sikorski.
XS
SM
MD
LG