Ndërlidhjet

logo-print

Vendimi i Rusisë për t'i njohur rajonet separatiste në Gjeorgji, nga ana e politikës kosovare komentohet në mënyra të ndryshme. Qeveria nuk sheh pasoja të këtij veprimi të Moskës, përderisa opozita dhe analistët thonë se mund të ndikojë në ngadalësimin e procesit të njohjes së Kosovës.

Në Prishtinë komentohen në mënyra të ndryshme refleksionet dhe ndikimet që mund t'i ketë në procesin e njohjes së Kosovës si shtet, vendimi i Rusisë për t'i njohur rajonet separatiste në Gjeorgji.

Ndërsa për Qeverinë e Kosovës konsiderohet se nuk ka ndonjë ndikim vendimi i Moskës, në anën tjetër, përfaqësues të opozitës dhe analistët konsiderojnë se mund të ketë disa pasoja, të paktën afatshkurta, sa i përket vetë procesit të njohjes së shtetësisë së Kosovës nga vende të ndryshme.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se Kosova trajtohet si “sui generis”, si një rast i veçantë dhe unik dhe si i tillë edhe nuk ka të bëjë as me Gjeorgjinë dhe as me ndonjë rajon tjetër në botë.

“E kemi theksuar disa herë se çështja e Kosovës është rast “sui generis”, i papërsëritshëm edhe në kuptimin e historisë, e të drejtës ndërkombëtare dhe zhvillimeve politike jo vetëm në rajon, por kudo tjetër në botë".


"Ne jemi të interesuar që të ketë rend, qetësi kudo në botë dhe se qëndrimi i Kosovës gjithmonë do të jetë i ngjashëm me ato të botës demokratike, çfarë e kanë edhe vetë Unioni Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për zhvillimet globale”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, deputeti opozitar nga Aleanca Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se Moska sërish ka dashur që për interesat e veta të përpiqet të përfitojë nga kundërshtimi i vazhdueshëm për pavarësinë e Kosovës.

Ibrahim Gashi thotë se Kosova dhe Gjeorgjia, përfshirë edhe rajonet separatiste, kanë dallime të mëdha, por ai vëren megjithatë disa konsekuenca në procesin e njohjes së Kosovës nga disa vende, për shkak të raporteve globale dhe raporteve që kanë me Rusinë.

“Mendoj që do të ketë konsekuenca, sepse do t'i bëjë një grup shtetesh që në mënyra të ndryshme kanë interesa të drejtpërdrejta me Rusinë apo me shtetet që janë të afërta me Rusinë, që të hezitojnë dhe të mos pozicionohen karshi Kosovës ose karshi Osetisë edhe Abkhazisë në këtë moment".

"Pra, unë mendoj se jo ndoshta në instancë të fundit nuk do ta pengojë njohjen në perspektivë afatgjate, por në perspektivë afatshkurtër konsideroj, për fat të keq, se do të ketë konsekuenca të drejtpërdrejta për Kosovën”, vlerëson Gashi.

Ndërkohë, analisti Lulëzim Peci thotë se është krijuar një mjegullë në raportet ndërkombëtare dhe kjo mjegullë, sipas tij, mund të ketë efekte të përkohshme sa i përket njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Por, edhe analisti Peci beson se në një të ardhme më afatgjate nuk mund të ketë pengesa, pasi zhvillimet në Gjeorgji, sipas tij, kanë marrë më shumë karakterin e tensioneve mes fuqive të mëdha dhe nuk kanë të bëjnë drejtpërdrejt me Kosovën.

“Në këtë mjegullë të tanishme, një numër i shteteve të vogla integriteti territorial i të cilave mund të rrezikohet prej vendeve tjera, do të hezitojnë që ta njohin pavarësinë e Kosovës në një të ardhme të afërt. Ky mund të jetë i vetmi ndikim”,
thekson analisti Lulëzim Peci.

Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, si një proces i koordinuar me Perëndimin, ishte saktësuar se Kosova përbën një rast unik dhe të veçantë, që nuk shërben për zgjidhjen e asnjë rasti tjetër në botë. Duke u trajtuar si i tillë edhe është shpallur statusi i pavarur i Kosovës, i mbështetur nga vendet më të fuqishme ekonomike botërore.

Ndërkaq, ndërlidhja e Kosovës me rajonet separatiste të Gjeorgjisë, në Prishtinë vazhdimisht është parë si tendencë e politikës së Moskës që të përfitojë për interesat e saj.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG