Ndërlidhjet

logo-print

"UNMIK-u kërkon dialog direkt"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOSOVA SOT
Autoritetet vendore dhe diplomatët e huaj konsiderojnë se rasti i Kosovës është "sui generis", duke mohuar çdo lidhshmëri me vendimin e Rusisë për të njohur rajonet separatiste të Gjeorgjisë. Ambasadori amerikan në OKB, Zalmaj Khalilzad, ka deklaruar se janë krejtësisht të ndryshme rrethanat në Kosovë nga ato në Oseti dhe Abkhazi. "Në rastin e Kosovës, pavarësia ka qenë një rrugë e gjatë që nuk mund të krahasohet me rajonet e Gjeorgjisë. Në Kosovë trupat serbe kanë kryer spastrim etnik, që ka çuar në intervenimin e NATO-s ndaj Serbisë dhe deri te pasojat ndërkombëtare", është shprehur Khalilzad për gazetën vjeneze "Presse". Por, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, tha se Kosova nuk mund të shërbejë si shembull dhe arsyetim në vendimin e Rusisë për të njohur Osetinë Jugore dhe Abkhazinë. "Ne edhe më parë kemi theksuar se Kosova disponon karakteristika të veçanta. Ky është një rast 'sui generis' dhe ai nuk mund të sherbejë si precedent për rajonet e tjera", tha ai ditë më parë. Qeveria e Kosovës thekson se nuk mund të ketë refleksione dhe ndikim në procesin e njohjes së Kosovës, vendimi i Rusisë për të njohur rajonet separatiste në Gjeorgji...

EPOKA E RE

Pasi që vendet e Bashkimit Evropian janë tërhequr nga presioni i drejtpërdrejtë që ta pengojnë Serbinë që nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë ta kërkojë vlerësimin e ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, tani po përdorin taktikë tjetër. Për të siguruar që sa më shumë shtete në OKB të votojnë kundër kërkesës së Serbisë, ato e kanë shtuar presionin që të përshpejtohet njohja e shtetit të ri deri në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, i cili do të mbahet në shtator. Llogaria, natyrisht, qëndron në atë që ato vende të cilat e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, do të votojnë kundër kërkesës serbe, nëse Komiteti kompetent i OKB-së kërkesën serbe e fut në rend dite. Meqë në Asamblenë e OKB-së vendoset me shumicën e thjeshtë, strategjia e Perëndimit është drejtuar në sigurimin e sa më shumë votave të sigurta "kundër", meqë paraprakisht llogaritet në atë se shumë shtete do të jenë të përmbajtura me rastin e votimit për të mos iu kundërvënë bllokut të fuqishëm perëndimor. Edhe pse zyrtarët në Beograd pohojnë se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do t'i vihet si kusht Serbisë për anëtarësim në BE, nga Mali i Zi ka arritur pohimi i parë zyrtar se ky shtet po i nënshtrohet presionit që sa më parë të vendosë nëse do të mbajë qëndrim të përmbajtur ndaj shpalljes së pavarësisë së Kosovës ose me rrugë të përshpejtuar të orientohet kah BE-ja...

KOHA DITORE
Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka vlerësuar të mërkurën se do të ishte një ndihmesë shumë e madhe nëse Prishtina dhe Beogradi do të zhvillonin bisedime direkte mbi fushat e përcaktuara nga sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon. Kështu është shprehur të mërkurën, zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, sipas të cilit, opsioni më i mirë për zgjidhjen e problemeve ndërmjet palëve është shndërrimi i diplomacisë aktuale të udhëhequr nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, në takime të drejtpërdrejta. "Mendoj se do të ishte ndihmë e madhe nëse një takim i tillë do të ishte mbajtur dje, por për shkak të kundërshtimit të Serbisë një takim i tillë nuk ishte i realizueshëm", tha Ivanko. Sipas tij, njëra ndër gjërat të cilat UNMIK-u i inkurajon, është dialogu direkt ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit pa asnjë mbikëqyrje, mirëpo, sipas tij, është herët të flitet për ndonjë rezultat gjatë bisedave ndërmjet palës serbe dhe asaj kosovare. "Dialogu veç është një hap i mirë. Pra, ne tanimë kemi dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit përmes një pjesëmarrësi të tretë që është PSSP dhe ky është një hap pozitiv", tha ai. Ndryshe, shefi i UNMIK-ut, Zannier, ka zhvilluar të mërkurën një takim me kryeministrin kosovar, Hashim Thaçi, të cilin e ka njoftuar për ecurinë e bisedimeve me palën serbe...

EXPRESS
Konsultimet mes presidentit Sejdiu dhe kryeministrit Thaçi pritet të vazhdojnë të enjten me synimin e kompletimit të listës së ambasadorëve brenda dy ditësh, por rrethi i emrave tashmë siguron një përfaqësim inicial premtues. Express ka siguruar një listë preliminare, e cila ka shumë gjasë që të shndërrohet në definitive. Kryeministri HashimThaçi deklaroi të hënën se deri në fund të kësaj jave, institucionet do të kenë listën e plotë me emrat e përfaqësueseve të parë të Kosovës në botë, duke thënë se procesi është në rrugë të mbarë. Qëndrimi i kryeministrit është përsëritur disa herë për këto dy ditë nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i cili madje ka thënë se "kosovarët do të befasohen me përzgjedhjen e mirë që do të bëhet". Megjithëkëtë, deri më tash, versioni përfundimtar vazhdon të kërkojë më shumë negociata mes dy liderëve të koalicionit. Një zyrtar i lartë i Qeverisë tha se konsultimet mes presidentit dhe kryeministrit do të vazhdojnë edhe gjatë dy ditëve të ardhshme. "Brenda dy ditësh do të kemi listën përfundimtare"...

BOTA SOT
Ligji për Agjencinë Kosovare të Privatizimit, që ka hyrë në fuqi më 30 qershor, është munduar që të shmangë në njëfarë mënyre disa nga detyrimet juridike ndaj së drejtës ndërkombëtare, por jo në tërësi, sidomos duke shfrytëzuar faktin se ai ishte një ligj që duhej të nxirrej si përmbushje e Pakos Ahtisaari. Ndërkohë që ende nuk e ka filluar punën bordi i ri i Agjencisë se Privatizimit, bazuar në Ligjin e ri, kryesisht si pasojë e mosmarrëveshjeve të shkaktuara nga ish-drejtues të AKM-së. Procesi i privatizimit ishte bllokuar në dhjetorin e 2007-ës, kur u bë i ditur se tanimë ishte i plotfuqishëm vendimi i Dhomës së Posaçme i 20 nëntorit 2007, për një rast ankese ndaj AKM-së, me ç'rast gjykata pati gjetur se ishin të paktën tre nene, përkatësisht dy rregullore të UNMIK-ut, në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Protokollet e saj, si dhe me vetë Rregulloren 1999/24, përkatësisht me amendamentimin e saj në Rregulloren 2000/59 dhe me Kornizën Kushtetuese të Kosovës - dy dokumentet këto më të fuqishme juridike në vend, të cilat e obligojnë edhe legjislativin, edhe gjyqësorin, por edhe ekzekutivin, që vendimet e tij të jenë në përputhshmëri me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut...

LAJM
Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, slloveni Jelko Kacin, tha të mërkurën se Kosova nuk duhet të jetë pengesë për integrimin evropian të shtetit serb. Ai tha për agjencinë serbe të lajmeve B92 se Beogradi ka gjykuar drejt dhe i ka kthyer ambasadorët e vet në të gjitha vendet që deri tani e kanë njohur Kosovën. "Serbia para së gjithash duhet të punojë për vetveten dhe mendoj se mund të hyjë në Bashkimin Evropian përpara Kosovës, të jetë shembull për Kosovën dhe t'i ndihmojë edhe asaj të integrohet në këtë mekanizëm". I pyetur rreth qëllimit të Serbisë që nga gjyqi i së drejtës ndërkombëtare në Hagë të marrë mendimin rreth pavaresisë së Kosovës, Kacin tha se Serbia ka të drejtë të kërkojë përgjigje për gjithçka që mendon se është produktive, por se, siç tha ai, duhet të jetë e përgatitur edhe për pasojat. "Shanset që të ndodhë çudia janë shumë të vogla. Nëse dikush kërkon mendimin, atëherë duhet të jetë i gatshëm ta pranojë edhe përgjigjen". Raportuesi Kacin tha se misioni evropian EULEX është vonuar të vendoset në Kosovë, pikërisht për shkak të politikës së pasuksesshme të Serbisë për t'i mbrojtur interesat e serbëve në Kosovë...

INFOPRESS
Infopress:
Z. Kryeziu, LDK ka kohë që ka bërë publik një proces reformash brendapartiake. Si po shkon ky proces reformash? Eqrem Kryeziu: Në përgjithësi, fryma është e sigurt se ka ndërruar. Përfundimisht njerëzit janë të bindur, madje edhe pesimistët më të thellë, se diçka është duke ndodhur në LDK, ndërkaq këta të tjerët e kanë pritur shumë mirë procesin e reformave. Sidoqoftë, ne jemi në valën e reformave, sepse reformat nuk mbarojnë me kaq. Infopress: Nga rrodhi ideja për formimin e Këshillit Ekzekutiv për LDK-në dhe a ishte i domosdoshëm një këshill i tillë? Eqrem Kryeziu: Në fakt, kjo praktikë është e pranishme në partitë moderne euro-amerikane. Ai që quhet këshill ekzekutiv ndahet nga bordi politik. Bordi politik është titullar politik, por nuk është gjynah, si të them, që edhe punët e tjera si informimin, financimin e kështu me radhë, punë për të cilat mund të thuhet se bordi politik nuk është i aftë t'i bëjë, t'i kryejë ky këshill. Pra, bordi politik më mirë të themi nuk mund të bëjë edhe politikën edhe këto të tjerat. Infopress: Çfarë ka bërë konkretisht Blerim Kuçi si kryetar i këtij këshilli dhe cilat janë rezultat që ka treguar puna e tij? Eqrem Kryeziu: Mund të them se është pritur mirë kjo iniciativë. Kjo do të thotë se është një nga reformat. Ndërkaq, ai (Kuçi), sigurisht është duke u marrë me këtë projektin që i takon atij. Nuk mund të them detajisht deri ku ka shkuar, sepse nuk është çështje vetëm e vlerësimit tim, por është edhe çështje e vlerësimit të kryesisë...

ZËRI
Pësimet e javëve të fundit të Gjeorgjisë kanë bërë që diplomatët dhe publicistët evropianë të flasin dhe të shkruajnë më ndryshe sesa zakonisht për çështjet e mbetura në gjysmë të rrugës, në këtë pjesë të Ballkanit dhe të Evropës. Duket se evropianët janë të prirur që gjithmonë ta shohin atë gjysmën e mbushur të gotës, e problemi është që në çështjet e sigurisë nuk ka gjysma të këtij lioji. Një shtet është stabil apo s'është stabil, nuk mund të jetë, siç përmendet shumë shpesh në rastin e Kosovës, një vend që ka stabilitet dhe brishtësi njëkohësisht, në kuadër të nocionit të "stabilitetit të brishtë". Përkthyer në gjuhën e kuptueshme për të gjithë, "stabiliteti i brishtë" do të thotë që sot për sot gjendja në Kosovë duket e qëndrueshme, por qysh nesër, me një provokim të rëndë diku, e tëra mund ta marrë tatëpjetën. StabiIiteti i Kosovës nuk mund dot të forcohet pa bërë integrimin e plotë të vendit. Stabiliteti i Maqedonisë, në anën tjetër, duhet të marrë certifikatën e pranimit të këtij shteti në Paktin NATO, e cila gjë aktualisht është bllokuar, për shkaqe të njohura të kontestit të emrit me Greqinë. Edhe Bosnja e Hercegovina akoma duket larg atij stabilitetit që kërkohet prej një shteti. Më në fund, vetë Serbia ka telashe të brendshme dhe të jashtme në këtë aspekt, sepse nuk njeh gjendjen e krijuar në Kosovë dhe vazhdon të manipulojë me serbët e Kosovës, veçmas në veri, por edhe në pjesë të tjera të vendit...
XS
SM
MD
LG