Ndërlidhjet

CSM: "Argumenti i Rusisë në Gjeorgji: si Kosova apo jo?"


"Christian Science Monitor"

Me njohjen e dy republikave separatiste të Gjeorgjisë nga ana e Rusisë, Moska gradualisht është duke hyrë në një front tjetër, atë të definimit të argumenteve të saj ligjore përpara syve të botës.

Një prej çështjeve kryesore në këtë betejë është Kosova, për pavarësinë e së cilës Moska ka tërhequr prej kohësh vërejtjen se do të legjitimojë shkëputjen e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë në Gjeorgji.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, pas vendimit të fundit të Moskës, ndërroi fjalorin, duke thënë se paralelet midis Gjeorgjisë dhe Kosovës janë irelevante. Duke intepretuar ngjarjet e fundit, ai madje e bëri presidentin gjeorgjian, Mikheil Saakshvilli, të duket si një kriminel lufte më i madh se ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviq.

Ajo që më së shumti është duke irrituar diplomatët amerikanë dhe intelektualët e përfshirë në rastin e Kosovës, është krijimi i një barazpeshe morale nga ana e Rusisë midis Gjeorgjisë dhe Kosovës.

Po të kishin qenë luftërat në Ballkan një shpërthim i rastësishëm i betejave etnike midis tri palëve, me përgjegjësi të barabartë, atëherë argumenti ligjor i Rusisë do të mund fitonte, thonë diplomatët.

Por, ajo çka ka ndodhur në Kosovë, ka qenë pjesë e një programi të ndërtuar nga Millosheviqi për të krijuar 'Serbinë e Madhe', gjë që ka kërkuar vrasjen dhe zhvendosjen e joserbëve nga shtëpitë dhe qytetet e tyre.

Christopher Hitchens, intelektual amerikan, e ka cilësuar krahasimin midis Kosovës dhe Gjeorgjisë si një apati morale, edhe nëse zoti Putin ka vepruar në Gjeorgji për t'u hakmarrë mbi Kosovën.

Ish-diplomati amerikan, Marshall Harris, ka thënë se me njohjen e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, Moska po vepron me vrazhdësi të paskrupullt, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

"Ka qenë vendi i vetëm në mesin e fuqive më të mëdha që ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës. Me përjashtim të disa regjimeve të ngjyrës dhe orbitës së saj, Rusia do të jetë e vetme edhe në përpjekjet për zhbërjen e Gjeorgjisë", ka thënë zoti Harris.

Megjithatë, Rusia ka shfrytëzuar precedentin e Kosovës për të ndërmarrë veprime në Gjeorgji, por tani e gjen këtë argument kundër interesave të saj, thonë disa analistë rusë.

Gjatë këtij viti, vëzhguesit rusë kanë tërhequr vërejtjen se përqafimi i separatizmit etnik është në dëm të Rusisë, e cila ka probleme me shumë grupe pakicash kombëtare.

Sergei Sorokin, një ekspert i politkës së jashtme, thotë se "kjo nuk është ajo çka duan autoritetet ruse, sepse do të adoptonin një parim të cilin me vendosmëri e kanë dënuar në të kaluarën dhe i cili nuk është në interes të Rusisë".

"Adoptimi i këtij parimi është nxitur nga dinamika e luftës dhe emocionet që e kanë shoqëruar atë. Është shumë shkurtpamëse, sepse ne në fakt po shumëzojmë precdentin e Kosovës dhe kjo padyshim do të shtojë ëndrrat e pakicave në kërkim të pavarësisë kudo në botë, e veçanërisht në territorin e Rusisë", thotë zoti Sorokin.

Për zotin James Hooper ndërkaq, ish-diplomatin amerikan, i cili në rastin e Kosovës ka punuar së bashku me gjeneralin amerikan, Wesley Clark, dallimet midis Kosovës dhe Gjeorgjisë janë të mëdha, por edhe të thjeshta njëkohësisht.

"Ajo çfarë ka ndodhur në Gjeorgji, nuk ka qenë ndërhyrje humanitare, ajo në Kosovë ka qenë", ka thënë Hooper.
XS
SM
MD
LG