Ndërlidhjet

A është kjo Luftë e Re e Ftohtë?

  • RFE /RL

Edward Lucas

Edward Lucas

"Epokë e re konfrontimi Lindje-Perëndim, drithërimë, maskë e Luftës së Ftohtë. Cilido epitet të zgjidhet, Rusia sinjalizoi se me aksionet në Gjeorgji, interesat e përbashkëta me Perëndimin, për Moskën vijnë pas interesave konkurruese", thotë Edward Lucas.

Edward LUCAS është autor i librit "Lufta e Re e Ftohtë: Si e rrezikon Kremlini Rusinë dhe Perëndimin?"

RADIO EVROPA E LIRË

Zoti Lucas, shumë kohë më parë keni shkruar se Perëndimi po e humb luftën e re të ftohtë, madje "pa e kuptuar se ajo ka filluar". A është ky çasti kur Perëndimi më në fund e ka vërejtur?

EDWARD LUCAS
Është vështirë të thuhet se cili është çasti i zgjimit. Deri sot kemi pasur shumë çaste të atilla dhe do t'i kemi edhe në të ardhmen. Problemi është se vendet e mëdha evropiane nuk duan të zgjohen.

Mendoj se Italia, Gjermania, Franca, Spanja dhe Holanda nuk janë të gatshme t'i rishikojnë marrëdhëniet e tyre me Rusinë. Është një komunitet i madh biznesi që ia çon mirë me Rusinë, furnizimet energjetike janë tepër të ndërthurura.

Kancelarja Angela Merkel ishte këtë javë në vendet e Baltikut, por nuk tha gjë nëse p.sh. Gjermania do ta rishqyrtojë naftësjellësin Rrjedha e Veriut, i cili është sponsorizuar nga Rusia.

Mund të them se Perëndimi më nuk është në gjumë të thellë, por as nuk është zgjuar plotësisht.

RADIO EVROPA E LIRË
A shihni shenja të një përgjigjeje më të fuqishme të Perëndimit?

EDWARD LUCAS
Mendoj se Bashkimi Evropian është i paaftë për një përgjigje të ashpër. Nuk mendoj se do të bëjnë diçka që do t'i shqetësonte rusët.

Në rastin më të mirë mund të caktojnë një përfaqësues special për rindërtimin e Gjeorgjisë dhe disa miliarda euro për t'i rindërtuar gjërat që rusët i hodhën në erë. Tash Rusia ka përshtypjen se mund ta përçajë dhe sundojë BE-në.

Problemi tjetër qëndron te NATO-ja. Aleancës i duhet një NATO me dy shpejtësi, disa anëtarëve ekzistues duhet t'u ofrohet Partneriteti për Paqe si psh. italianëve, grekëve, hungarezëve dhe të tjerëve që nuk duan t'i kundërvihen Rusisë.

Bërthama kryesore e NATO-s duhet të jenë vendet që janë të gatshme të bëjnë diçka, sidomos për të mbrojtur shtetet Baltike, të cilat tash janë absolutisht në vijën e parë të frontit.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse mendoni se Perëndimi u zgjua shumë ngadalë?

EDWARD LUCAS
Ai është i shpërqëndruar, i përçarë dhe i zhgënjyer. Ne tashmë një vit po shohim sulme raketore të Rusisë në territorin e Gjeorgjisë, protesta të sponsorizuara nga Rusia në Talin të Estonisë, sulme kibernetike, fjalimin e Putinit në Mynich ku akuzoi Perëndimin se po fillon një Luftë të Re të Ftohtë.

Pastaj, kishim edhe shpalljen formale të doktrinës ruse në politikën e jashtme, ku energjia do të shfrytëzohej si armatim. Nuk ka justifikim për ata njerëz që thonë se nuk e kanë ditur.

Kjo duket si viti 1968 kur njerëzve u desh të ngritën në këmbë dhe pastaj bota të shohë kush është Bashkimi Sovjetik. Por, kjo nuk mban, sepse prej vitit 1918 ishte e qartë se çfarë ishte Bashkimi Sovjetik.

Mos vallë duhej invazioni në Çekosllovaki që t'i zgjojë të tjerët? Rusia e Putinit u pa që në vitet 1990-ta, kur KGB-ja e vjetër e mori pushtetin. Përse tash në vitin 2008 njerëzit fillojnë të kuptojnë se si mund të ishte regjimi i Kremlinit?

RADIO EVROPA E LIRË
Disa pohojnë se Perëndimit i duhet Rusia më shumë sesa Rusisë që i duhet Perëndimi, prandaj ky i fundit ka mundësi të kufizuara. Çfarë mendoni ju?

EDWARD LUCAS
Mendoj se kjo është qesharake dhe fyese. Rusia është një vend me një të tretën e popullsisë së Bashkimit Evropian dhe ka përafërsisht 1/6 apo 1/5 e popullsisë së BE-së dhe SHBA-ve së bashku.

GDP-ja (Bruto Prodhimi Shoqëror) e Rusisë është një bilion dollarë, rreth një e dhjeta e GDP-së së Bashkimit Evropian.

Vetë ideja se Rusia është në gjendje të shtiret e fortë ndaj BE-së është një keqkuptim i plotë. Ne mendojmë kështu, sepse jemi mësuar ta shohim Rusinë se si fryhet dhe ndjek politikën përçaj dhe sundo, ndaj kjo na ka bërë të mendojmë se ata janë të fortë, ndërsa ne të dobët.

Por, jo, ata nuk janë të fortë. Amerika mund ta fundosë marinën ruse për 10 minuta, vetëm po të donte.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG