Ndërlidhjet

Situatë delikate në Mitrovicë


Ura qendrore në Mitrovicë
Ura qendrore në Mitrovicë

Lëndohen 4 persona dhe dëmtohen disa vetura pas përleshjeve në mes të serbëve e shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Autoritetet e sigurisë vlerësojnë se pas këtyre incidenteve situata është e qetë, por e brishtë, ndërkohë që Qeveria e Kosovës garanton se do të shtrijë autoritetin e saj edhe në veri.

Katër persona të lënduar, 5 vetura të dëmtuara, si dhe një armë e konfiskuar - ky është bilanci i përleshjeve të së mërkurës mbrëma në Mitrovicë, ku konflikti verbal ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ishte shndërruar në një betejë fizike, me ç'rast palët e përfshira në konflikt ishin gjuajtur me gurë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Veton Elshani, sqaron situatën:

"Gjatë këtij incidenti, sipas informaconeve që ne i kemi pranuar, janë 4 persona që janë lënduar për shkak të gjuajtjeve me gurë, do të thotë kanë marrë lëndime të lehta trupore, ndërsa janë dëmtuar tri vetura private dhe dy vetura të UNMIK-ut. Njësitë e KFOR-it kanë konfiskuar në vendin e ngjarjes një pistoletë. Nuk është arrestuar asksuh pasi që ajo nuk është gjetur në pronësi të askujt".

Elshani njofton se situata aktuale e sigurisë në qytetin e Mitrovicës, ndonëse stabile, vazhdon të jetë e brishtë, por se autoritetet vendore dhe ndërkombëtare të sigurisë, sipas tij, janë vigjilente dhe të vendosura për të mbajtur nën kontroll situatën.

"Mund të themi se situata është delikate, mirëpo policia e Kosovës, ajo e UNMIK-ut dhe KFOR-i, janë të gatshëm që të reagojnë", thekson Elshani.

Ndërkohë, Qeveria e Kosovës i ka dënuar aktet e dhunshme në veri të Mitrovicës. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, i quan shqetësuese incidentet e fundit, por garanton se ekzekutivi kosovar nuk do të lejojë përkeqësimin e situatës së sigurisë në atë pjesë të vendit.

"Ngjarjet e tilla ne i përcjellim me shqetësime serioze. Dëshiroj të them se jemi shumë të vendosur që në atë pjesë të mos lejojmë incidente të qëllimshme, që dëshirojnë të krijojnë avantura të reja në vend", tha ministri Pajaziti.

Pajaziti thekson se shtrirja e autoritetit të institucioneve në pjesën veriore duhet të bëhet me kohë dhe në koordinim me të gjithë mekanizmat e sigurisë si dhe me popullatën në veri, për të shmangur në këtë mënyrë shpërthimin e incidenteve të mundshme shqiptaro-serbe.

"Në kuadër të përpjekjeve të qeverisë dhe institucioneve të vendit, bashkë me bashkësinë ndërkombëtare, gjithçka është e koordinuar. Nuk ka indikatorë të saktë që mund të themi se e kemi realizuar me kaq përqindje, por ky është një proces, i cili deri më tani është në binarë pozitivë",
tha Pajaziti.

Mitrovica vazhdon të jetë pjesa më e ndjeshme e Ksovës në aspektin e sigurisë, si dhe sfida më e madhe me të cilën po ballafaqohen institucionet e vendit.
XS
SM
MD
LG