Ndërlidhjet

logo-print

"Prishtina s'ka pranuar takim me Beogradin"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

EXPRESS
Perëndimi ka vazhduar të reagojë kundër njohjes së Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë nga Rusia dhe të përjashtojë krahasimet me rastin e Kosovës. Në argumentet e diplomatëve perëndimorë, dallimi më fundamental që shprehet është se asnjë shtet anëtar i NATO-s nuk ka qenë në konflikt direkt me Serbinë, sikur Rusia në rastet e krahinave të Gjeorgjisë. Zëdhënësja e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Michele Montas, ka thënë se të dyja situatat janë të ndryshme dhe krahasimet nuk qëndrojnë. "Mendoj se ju nuk duhet t'i krahasoni të dyja situatat. Historia e të dyja situatave eshtë e ndryshme", ka thënë zëdhënësja, e cila ka rikonfirmuar vazhdimësinë e rikonfigurimit të UNMIK-ut. Ministri i Jashtëm i Çekisë, Karel Schwarzenberg, ka theksuar dy dallime të mëdha. Së pari - ka thënë ai - për dallim nga Kosova, ku janë zhvilluar negociata shumë intensive dhe të gjata, rasti i Osetisë Jugore dhe Abkhazisë ishte i ashtuquajtur konflikt i ngrirë për të cilin nuk është negociuar. Sipas tij, dallimi tjetër është se Serbinë e ka bombarduar NATO-ja, ndërsa në Gjeorgji ka intervenuar Rusia, e cila ështe palë e drejtpërdrejtë në konflikt. "Asnjëra prej forcave që angazhohen në Kosovë nuk është drejtpërsëdrejti palë e interesuar, nuk janë fqinjë të Serbisë, pra atje nuk kanë interesa të veta. Por, Rusia është njëra nga palët, e cila është angazhuar në konfliktin në Kaukaz", ka thënë ai...

KOHA DITORE
Prishtina zyrtare nuk ka pranuar të takohet me Beogradin, megjithëse një mundësi për takim të tillë është përmendur nga Misioni i OKB-së në Kosovë. Kreu i Qeverisë së Kosovës, Hashim Thaçi, ka theksuar të enjten se as Beogradi e as Prishtina nuk janë të gatshme për takime të drejtpërdrejta mes tyre. "Jam shumë i sinqertë; për të parën herë këtë po e dëgjoj", kështu është përgjigjur kryeministri i Republikës pas pyetjes së gazetës se a qëndron ajo që është transmetuar nga UNMIK-u. Ky mision, ditë më parë, ka thënë se Beogradi zyrtar kishte refuzuar zhvillimin e një takimi eventual me Prishtinën, i cili po të zhvillohej si i tillë, kishte pëlqimin paraprak të institucioneve kosovare. Mirëpo, Misioni i OKB-së në Kosovë edhe të enjten ka thënë se një dialog mes dy kryeqyteteve është i mirëseardhur. Sipas tyre, ky takim do të ishte i drejtpërdrejtë, me ndërmjetësim nga jashtë, por meqë pozita e Beogradit karshi Prishtinës ështe refuzuese, vështirë se do te ndodhë shpejt. Megjithatë, përveç shefit të Qeverisë, as zëvendëskryeministri i Republikës, Hajredin Kuçi, thotë të mos jetë në dijeni për dhënien e pëlqimit të Prishtinës zyrtare për të biseduar me Beogradin drejtpërdrejt, siç pohon administrata e UNMIK-ut. "Nuk ka folur askush me ne konkretisht, se ka folur me Serbinë (për një takim të tillë)", thotë ai...

EPOKA E RE
Ministri i Jashtëm francez, Bernar Kushner, ka deklaruar të enjten se Serbia ka të drejtë që nga Organizata e Kombeve të Bashkuara të kërkojë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta shqyrtojë ligjshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, por që kjo gjykatë, nëse e shqyrton kërkesën, do të duhet t'i marrë parasysh të gjitha elementet. "Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, nëse e shqyrton këtë kërkesë, për çka fare nuk jam i sigurt, do t'i ketë parasysh të gjitha elementet", ka thënë Kushner, në margjinat e tubimit të ambasadorëve francezë në Paris. "Mos harroni se ekzistojnë marrëveshjet ndërkombëtare, OKB-ja dhe qëndrimet e bashkësisë ndërkombëtare. Gjykata të gjitha këto do t'i ketë parasysh. Ne nuk e kemi shpikur pavarësinë e Kosovës", ka thënë shefi i diplomacisë franceze...

INFOPRESS
Të premten (sot), do të bëhet publike edhe ngritja e pagave për punëtorët e arsimit. Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, menjëherë pas mbledhjes së rregullt të Qeverisë do të bëjë publike shumën, që, sipas burimeve të gazetës, pritet të jetë e kënaqshme dhe të tejkalojë parashikimet e bëra deri më tani nga mediat. Se të premten do të njihemi me pagat e reja të mësimdhënësve, këtë e konfirmon edhe ministri i Arsimit, Enver Hoxhaj. "Lajmin nuk do ta keni sot, por do të bëhet publik nesër. Ju do të mund të njiheni me rritjen e pagave të premten, pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë", ka thënë në ajë prononcim për media, ministri Hoxhaj. Kështu, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit, mbajnë premtimin që të ngrisin pagat e mësimdhënësve nga data 1 shtator. Burime të gazetës bëjnë te ditur se rritja e re e pagave do të bëhet në përputhje me kualifikimin dhe stazhin e punëtorëve të arsimit dhe ajo do të jetë e kënaqshme...

ZËRI
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë dje se Qeveria e Kosovës është nën nivel të punës të cilën duhet ta kryejë sipas Kushtetutës së Kosovës. Sipas Haradinajt, nuk është duke u bërë sa duhet në drejtim të fuqizimit të plotë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në tërë territorin e vendit. Duke komentuar paralajmërimet për një "vjeshtë të nxehtë opozitare" në Kosovë, Haradinaj ka thënë se kjo nuk do të bëhet për shkak të opozitës, por për shkak të nivelit të punës së qeverisë. "Ajo që unë e vlerësoj është që niveli i punës është dukshëm më i ulët se vendimet që kemi marrë. Në rast se doni ta konstatoni këtë, shiheni Kushtetutën e vendit, a ka mundur të hyjë në fuqi ajo e plotë, shihni shumë argumente tjera ku konstatohet që gjendja në qeverisje është dukshëm më e ulët sesa vendimet, por edhe sesa domosdoshmëritë dhe kërkesat që kanë njërëzit e vendit dhe që ka Kosova në ecjen e vet përpara", ka thënë kreu i partisë opozitare. Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka për obligim t'i shtyjë përpara vendimet, të citat, sipas tij, janë marrë bashkërisht nga spektri politik kosovar në Kuvendin e Kosovës. Në të njëjtën kohë, Haradinaj ka porositur kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Zait Xhemajlin, që të rezervohet në dhënien e komenteve politike rreth orarit të mbajtjes së zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë...

KOSOVA SOT
Qeveria serbe është e gatshme që të hyjë në negociata për mënyrën e rikonfigurimit dhe vendosjes së EULEX-it, për hir të, siç thuhet, mirëqenies së qytetarëve serbë në Kosovë. Sidoqoftë, zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, mohon se në bisedimet teknike, që po i organizon UNMIK-u, të bisedohet edhe për rikonfigurimin. "Rikonfigurimi si proces është vendosur prej Sekretarit të Pergjithshëm të OKB-së, Ban Ki-Mun, dhe nuk është çështje që mund të negociohet", thotë për "Kosova Sot" Aleksandër Ivanko. Ai shpjegon se në raportin e tij, Sekretari i Përgjithshëm ka detajuar edhe mënyrën e rikonfigurimit të UNMIK-ut, andaj nuk ka gjasa që ndonjë element i raportit të jetë i ndryshueshëm. "Ne, natyrisht, se do të kishim dëshirë që të gjithë të pajtohen me rikonfigurimin si proces", shton Ivanko. Ndryshimin e qëndrimit të Qeverisë serbe karshi rikonfigurimit dhe EULEX-it e ka konfirmuar vetë kryeministri serb Cvetkoviq, në një intervistë për gazetën beogradase "Politika". "Ne kemi interes të madh në Kosovë, kemi njerëz që jetojnë atje dhe duhet ta përmirësojmë jetën në Kosovë për të gjithë ata qytetarë për të cilët jemi përgjegjës. Për këtë shkak duhet të marrin pjesë në atë rikonfigurim të UNMIK-ut, respektivisht në instalimin e EULEX-it, sepse duam të jemi pjesë e çështjes së përbashkët", ka thënë Cvetkoviq...

LAJM
Krerët më të lartë të sistemit gjyqësor në Kosovë nuk kanë qenë të gatshëm, të enjten, të paktën të mbrohen para akuzave të një dite më parë që ndaj tyre i ka adresuar kryeministri Hashim Thaçi. Një ditë më herët, në një konferencë ku flitej për parandalimin e korrupsionit, kryeministri ka bërë akuza të rënda ndaj disa segmenteve të caktuara të drejtësisë, e që, sipas tij, janë duke kontribuar në rritjen e korrupsionit në Kosovë. Thaçi tha se segmente të caktuara të drejtësisë bëjnë gjumë të rehatshëm mbi dosjet e krimit tash e tetë vjet. Por, asnjëri nga përgjegjësit e gjykatave dhe Prokurorisë nuk ka qenë në gjendje të mbrohet nga akuzat e Thaçit. Të gjithë të kontaktuarit nga gazeta, përveç kryetarit të Shoqatës së Gjyqtarëve, Ymer Huruglica, nuk kanë dashur të flasin me arsyetimin se nuk janë kompetentë ta bëjnë këtë. Të gjithë këta "topin" e kanë gjuajtur te kreu i Gjykatës Supreme dhe njëherësh kryetar i Këshillit Gjyqësor, Rexhep Haxhimusa. Kreu i Prokurorisë, organ ky i cili merret me hetimin e lëndëve, nuk ka dashur të flasë për gazetën. "Unë nuk jam kompetent të flas. Për të gjitha këto pyeteni Rexhepin (Haxhimusën)", tha kryeprokurori i Kosovës, Hilmi Zhitia. Njëjtë si Zhitia është përgjigjur edhe Zait Xhemajli, njëri ndër anëtarët e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK). "Unë jam anëtar i KGJK-së, por në lidhje me këto akuza pyetni ata që janë në udhëheqje të organeve gjyqësore". Por, tentimi për ta kontaktuar kryetarin e Gjykatës Supreme fillon dhe mbaron te hyrja e objektit ku gjendet ky institucion. Në reccpcion të sugjerojnë të kontaktohet me telefon asistentja në zyrën e Haxhimusës, ndërsa përgjigjja e asistentes, si zakonisht, është "kryetari është i zënë"...

BOTA SOT
Republika demokratike e Kosovës është shtet i bazuar në të drejtën ndërkombëtare, bazat e së cilës janë ndërtuar në profilin historik dhe aktual, mbi të cilin jeton populli më i vjetër në Ballkan, kombi shqiptar. Në të njëjtën kohë, përpjekjet e qendrave të ndryshme në botë (versioni ruso-sllav) për ngritjen e rastit të precedencës janë një dështim i radhës. Natyra e ndërtimit të shtetit të pavarur është e dallueshme me çfarëdo rasti tjetër në tërë globin. Historia më e re e Kosovës, në përballje të shtypjes dhe terrorit silav kishte dëbuar nga trojet e veta më shumë se gjysmën e popullit autokton shqiptar të Kosovës, rast i cili kishte shtyrë botën demokratike (aleancën e NATO-s që të ndalojë gjenocidin serb mbi popullin shqiptar. Në kontekst të kësaj, agresioni serb mbeti i pandëshkuar në një masë të dukshme nga fakti se pikërisht ky vend fqinj, vazhdon t'i tregojë dhëmbët për territore të reja ndaj Republikës së Kosovës dhe vendeve tjera që kufizohen më këtë shtet. Kështu vlerësojnë edhe analistë ndërkombëtarë, të cilët hedhin poshtë çdo tendencë për barazimin e rastit të Kosovës me ecurinë e shteteve tjera në krijim. Kështu ka vlerësuar edhe zv.ministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, i cili vlerësoi se çështja e Kosovës nuk mund të ndërlidhet me rajonet e Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë, të cilat kanë vetëshpallur pavarësinë nga Gjeorgjia, vendime këto që janë njohur nga Rusia. "Kosova është në një linjë me politikën e Shteteve të Bashkuara dhe të vendeve të Bashkimit Evropian, kur bëhet fjalë për zhvillimet në botë", vlerëson z. Kuçi...
XS
SM
MD
LG