Ndërlidhjet

Perëndimi dhe Rusia zihen për Gjeorgjinë


Tanket ruse në Tskhinvali, 20 gusht 2008.
Tanket ruse në Tskhinvali, 20 gusht 2008.

Në një debat të tensionuar në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, Rusia dhe fuqitë perëndimore kanë shkëmbyer akuza mbi krizën në Gjeorgji, duke u kthyer prapa deri në shekullin e 17-të madje. Disa nga sulmet ishin personale, të tjerat ishin sarkastike. Franca, Britania dhe Shtetet e Bashkuara – tri anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit – kanë filluar të shtojnë trysninë politike mbi Rusinë, të cilën e fajësojnë për okupimin dhe njohjen e dy territoreve separatiste të Gjeorgjisë.

Ishte ky takimi i gjashtë emergjent i Këshillit të Sigurimit mbi krizën në Gjeorgji, vend ky të cilin Rusia e ka pushtuar në fillim të këtij muaji për të penguar Tbilisin që të rivendosë kontrollin mbi Osetinë e Jugut.

Takimi është karakterizuar me akuza të ashpra midis ambasadorit amerikan dhe atij rus, duke pasqyruar kështu rritjen e tensioneve midis të dyja vendeve.

Alejandro Wolff, duke iu drejtuar Këshillit të Sigurimit, 28 gusht 2008.
Zëvendësambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Alejandro Wolff, ka akuzuar Rusinë se është duke shmangur detyrimet dhe zotimet e veta, me njohjen që i ka bërë Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

"Me vendimin për të njohur Abkhazinë dhe Osetinë e Jugut, Rusia ka shkelur detyrimet dhe zotimet e veta. Kjo flet për një injorim të Këshillit të Sigurimit dhe rolit që ka ky institucion, nga një anëtar i përhershëm i tij".


"Kjo duhet të jetë shqetësim dhe veprim që duhet dënuar jo vetëm nga anëtarët e Këshillit, por nga secili anëtar i Kombeve të Bashkuara, në Kartën e të cilit kërkohet nga vendet anëtare që të përmbahen në marrëdhëniet ndërkombëtare nga kërcënimi apo përdorimi i forcës kundër tërësisë territoriale apo pavarësisë politike të një shteti", ka thënë zoti Wolff.

Ambasadori rus, Vitaly Churkin, i ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për hipokrizi, duke vënë në dukje invazionin amerikan në Irak.

Vitaly Churkin, në debatin e Këshillit të Sigurimit, 28 gusht 2008.
"Do të doja të them se vërtet më pëlqeu deklarata e përfaqësuesit amerikan, i cili rikujtoi anëtarët e Këshillit të Sigurimit se shtetet duhet të përmbahen nga përdorimi i forcës ose kërcënimi me forcë. Do të doja ta pyesja përfaqësuesin e nderuar të Shteteve të Bashkuara: a keni gjetur në Irak armatimin për shkatërrim në masë apo ende jeni duke kërkuar?",
ka thënë zoti Churkin, të cilin zoti Wolff e akuzoi se po bën krahasime artificale.

Jean-Pierre Lacroix, zëvendës-përfaqësues i Francës në Kombet e Bashkuara, e ka cilësuar vendimin e Rusisë për njohjen e dy territoreve separatiste si të papërgjegjshme.

"Rezolutat e Këshillit të Sigurimit nuk guxojnë të sfidohen apo të fshihen me veprime ushtarake, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara. Në veçanti, integriteti territorial i një vendi anëtar të Kombeve të Bashkuara, nuk mund të zhvlerësohet nga një ndërhyrje e befasishme e armatosur e vendit fqinj", ka thënë zoti Lacroix.

Duket se konfrontimi dhe frustrimi në Këshillin e Sigurimit është duke u thelluar gjithnjë e më shumë dhe aktualisht nuk duket gjëkundi ndonjë zgjidhje e pranueshme për të gjithë. Rusia, e cila mund të bllokojë çdo rezolutë, vazhdimisht ka thënë se mund të presë sado që të jetë e nevojshme.

Fillimisht është përmendur edhe mundësia që në takimin e Këshillit të Sigurimit të marrin pjesë edhe përfaqësuesit e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, por vetë krerët e këtij institucioni pohojnë se pjesëmarrja e tyre do t'i legjitimonte ata dhe një gjë të këtillë nuk e duan Shtetet e Bashkuara, Britania dhe Franca.

Rusia, ndërkaq, vazhdon të ankohet se Washingtoni është duke shfrytëzuar mjetet teknike në këtë drejtim, duke mos u dhënë viza përfaqësuesve të territoreve separatiste, në mënyrë që të pamundësohet pjesëmarrja e tyre në takimet e New Yorkut.
XS
SM
MD
LG