Ndërlidhjet

Giuseppe Emilio Gay merr komandën e KFOR-it


Gjeneral Giuseppe Emilio Gay
Gjeneral Giuseppe Emilio Gay

Gjenerali italian, Giuseppe Emilio Gay, ka marrë komandën e KFOR-it, duke pasuar kështu komandantin e deritashëm, gjeneralin Xavier de Marnhac. Ceremonia e ndërrimit të komandës është udhëhequr nga komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali amerikan, Mark Fitzgerald.

NATO do të mbetet në Kosovë, kurse forca e KFOR-it do të vazhdojë të jetë e përkushtuar në garantimin e një mjedisi paqësor për të gjithë, është thënë sot në ceremoninë e ndërrimit të komandës së KFOR-it, me ç’rast gjenerali Xavier de Marnhac i ka dorëzuar komandën gjeneralit italian, Giuseppe Emilio Gay, i cili nga sot bëhet komandanti i 13-të i KFOR-it që shërben në Kosovë.

Ceremoninë e ndërrimit të komandës e ka drejtuar komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta në Napoli, admirali amerikan, Mark Fitzgerald. Aty kanë marrë pjesë personalitetet më të larta politike vendore e ndërkombëtare. Me këtë rast, admirali Fitzgerlad tha se i siguronte kosovarët se KFOR-i do të mbetet i përkushtuar në Kosovë në garantimin e paqes dhe sigurisë për të gjithë.

“KFOR do të vazhdojë të mbështesë një mjedis paqeje dhe stabiliteti, i cili do të promovojë përparim ekonomik dhe do të mundësojë lulëzimin e një shoqërie të lirë dhe demokratike. Përqafojeni këtë mundësi për të arritur paqen me vendosmëri”, tha admirali amerikan.

Ndërkaq, komandanti i deritashëm i KFOR-it, Xavier de Marnhac, tha se gjatë këtij viti sa ishte në krye të komandës së KFOR-it, ai kishte hasur në bashkëpunim të plotë me vendorët, por edhe me vendet fqinje. Ndërsa dha mesazhe për dialog të brendshëm dhe pajtim ndëretnik, Marnhac tha se KFOR-i në çdo rast mbetet i përkushtuar që të mos lejojë asnjë formë të dhunës në Kosovë.

Ndërkohë, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka çmuar lart rolin e KFOR-it dhe të komandantit të deritashëm, gjeneralit de Marnhac. Presidenti Sejdiu tha se për Kosovën tani paraqitet një sfidë e re, ajo e formimit të Forcës së Sigurisë, për çka ai tha se Kosova e ka mbështetjen e plotë të NATO-s.

“Duam e synojmë të krijojmë Forcën tonë të Sigurisë, që do të jetë në shërbim të të gjithë popullit të Kosovës, të të gjithë qytetarëve, pa marrë parasysh përkatësinë etnike. Jam i bindur se Forca e Sigurisë e Kosovës, mbasi të jetë krijuar në baza të shëndosha profesionale, do të jetë në gjendje të hyjë në Partneritet për Paqe dhe mandej në strukturat e NATO-s
".

"Siç e kam thënë edhe vitin e kaluar, Kosova dëshiron të jetë vend që konsumon dhe ofron sigurinë që jep më së miri kjo Aleancë politiko-ushtarake e kohëve moderne”,
u shpreh Sejdiu.

Duke marrë pjesë në këtë ceremoni, Gyseppe Casega, nënsekretar i Mbrojtjes së Italisë, dhe Jan Mari Bokel, përfaqësues nga Ministria e Mbrojtjes së Francës, janë ndalur edhe në aspkete të zhvillimeve globale. Ata e kanë kundërshtuar krahasimin e Kosovës me Osetinë e Jugut apo ndonjë rajon tjetër në botë.

“Çështja kryesore këtu është se të gjitha zhvillimet në Kosovë kanë ndodhur nën ombrellën e komunitetit ndërkombëtar dhe në harmoni me të Drejtën Ndërkombëtare”,
tha Guiseppe Casega, duke rikujtuar më pas se në Gjeorgji kishte zhvillime krejt tjera, ku është përdorur forca për arritjen e qëllimeve.

Casega tha se edhe në kontekstin historik e gjeografik, të dyja rastet janë krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën dhe nuk mund të bëhen krahasime.
XS
SM
MD
LG