Ndërlidhjet

Kosova hyn në bisedime me Serbinë vetëm si shtet i pavarur


Qeveria e Kosovës

Qeveria e Kosovës

Administrata e UNMIK-ut synon që për zgjidhjen e disa çështjeve praktike, t'i ulë Prishtinën e Beogradin në një tavolinë bisedimesh, pa ndonjë ndërmjetësues. Lidhur me këtë mundësi, në Qeverinë e Kosovës thonë se bisedimet me Serbinë shihen njësoj si edhe me shtetet tjera fqinje dhe se do të pranohet ky lloj dialogu vetëm nëse definohet si dialog mes palëve të barabarta.


Prishtina pajtohet në parim që të dialogojë me Beogradin, si dhe me vendet tjera të rajonit, por nuk ka dhënë ndonjë sinjal se do të ketë takime të drejtpërdrejta, thonë në Qeverinë e Kosovës.

Ndërkohë që lehtësuesi i këtyre bisedimeve, shefi i administratës së UNMIK-ut, pretendon që t’i ulë të dyja palët, Prishtinën dhe Beogradin në një tavolinë bisedimesh, ku do të bisedohej për zgjidhjen e shumë çështjeve, siç po quhen praktike.

Por, për zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, dialogu me Beogradin në Prishtinë shihet si dialog mes dy shteteve sovrane, që diskutojnë për çështje praktike që u takojnë shteteve fqinje. Pa këtë kusht, ai nuk sheh mundësi që të ketë një dialog të mirëfilltë mes dyja vendeve.

“Ne kemi pasur qëndrim të qartë në raport me shtetet fqinje, në këtë rast edhe me Serbinë. Ne jemi të gatshëm që të bashkëpunojmë për interesa të dy vendeve, të dy popujve, me secilin shtet veç e veç, në këtë rast përfshirë edhe Serbinë, për integrime rajonale, për luftë të ndryshme kundër krimit të organizuar, bashkëpunimin ndërkufitar, luftën kundër terrorizmit, por gjithmonë si dy shtete sovrane e të pavarura, si partnerë dhe mbi bazën e nivelit reciprok”, thotë Kuçi.

Në anën tjetër, zëdhënësi i administratës së UNMIK-ut, Aleksander Ivanko, thotë se në njëfarë forme edhe deri më tani kishte një lloj dialogu mes Prishtinës e Beogradit, por që zhvillohet përmes palës së tretë, përkatësisht, shefit të UNMIK-ut.

Ndërkaq, në të ardhmen, ai thotë se Lamberto Zannier do të angazhohet që t'i sjellë të dyja palët në një tavolinë bisedimesh.

“Ajo që ne inkurajojmë është që të kemi dialog të drejtpërdrejtë dhe pa ndërmjetësues bisedimesh dhe mendoj se kjo do të ishte zgjidhja më e mirë”,
thotë Ivanko.

Ndërkohë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi rikujton se UNMIK-u nuk ka ndonjë mandat të qartë në Kosovë, tash në rrethanat e reja, kur Kosova është shtet i pavarur.

Sidoqoftë, ai thotë se Prishtina e çmon rolin e UNMIK-ut, përfshirë edhe angazhimin për dialog me Serbinë, por duke shprehur edhe dilema sa i përket vetë mandatit që ka tash UNMIK-u në Kosovën e pavarur.

“Ne duhet ta pranojmë një fakt se gjendja në Kosovë ka ndryshuar si në kuptimin faktik, ashtu edhe në atë juridik. Duhet ta themi se raportet me UNMIK-un janë të mira, ndërsa dilema në raport me Beogradin nuk është dilemë që i vë në pah dallimet në mes të UNMIK-ut dhe Kosovës, por është dilemë që UNMIK-u ka një mandat që për momentin nuk është i përputhshëm me zhvillimet juridike – politike në Kosovë
”, thotë Kuçi.

Dialogu Prishtinë – Beograd, sipas planit të Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për rikonfigurimin e UNMIK-ut, parasheh zgjidhjen e shumë çështjeve, të definuara si praktike mes dyja vendeve, përfshirë edhe doganat, çështjen e policisë nëpër vendbanimet serbe dhe atë të gjykatave.

Përgjegjësia për dialogun i është veshur pikërisht shefit të UNMIK-ut. Por, deri më tash, as Prishtina dhe as Beogradi nuk kanë dhënë shumë shenja se duan që të lëshohen në çështjet, të cilat përmenden në planin e Ban Ki-moonit, përderisa pala kosovare në vazhdimësi thotë se do të hyjë në këtë dialog vetëm nëse ai nënkupton bisedime mes dy shteteve fqinje dhe jo ndonjë formë tjetër bisedimesh.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG