Ndërlidhjet

McCain zgjedh guvernatoren Palin për nënpresidente


John McCain dhe Sarah Palin
John McCain dhe Sarah Palin

Kandidati republikan për president amerikan e ka zgjedhur guvernatoren e Alaskës, Sarah Palin, për zëvendëspresidente të tij. Zonja Palin është pak e njohur dhe ky vendim i senatorit McCain konsiderohet si befasi. Shpallja u bë në një tubim të mbështetësve të Partisë Republikane në Dayton të Ohajos.

Vlerësohet se senatori John McCain i ka habitur njohësit e rrethanave, të cilët nga kandidati republikan kanë pritur që për nënpresident ta zgjedhë një kandidat më tradicional.

Por, me një veprim, që shumë e kanë cilësuar si të guximshëm, zoti McCain e zgjodhi guvernatoren e Alaskës, Sara Palin, femra e parë dhe më e re e guvernatore e Alaskës, që është shtet i pasur me naftë.

44 vjeçarja Palin, e cila ishte zgjedhur guvernatore para dy vjetësh, si një luftëtare e vendosur kundër korrupsionit, konsiderohet si një menaxhere efikase, e cila duke punuar përgjatë linjave partiake, deri tash me sukses e ka administruar Alaskën.

Në këtë shtet ajo është shumë e popullarizuar, por në Shtetet e Bashkuara ky shtet duket shumë larg nga Uashingtoni.

Por, mund të jetë që këtu qëndron poenta e zgjedhjes së saj.

Gjatë paraqitjes së saj si e zgjedhur e tij për nënpresidente në zgjedhjet e 4 nëntorit, faktin se ajo është nga Alaska, senatori McCain e llogariti si njërin nga avantazhet e saj kryesore.

"Ajo nuk është nga këto pjesë dhe ajo nuk është nga Uashingtoni. Por, kur jo do ta njihni atë, do të jeni të impresionuar siç jam unë. Ajo ka integritet, ndjenjë dhe përkushtim për të mirën e përbashkët. Kjo është saktësisht ajo që na duhet në Uashiongton sot", tha zoti McCain para mbështetësve.

Guvernatorja Palin i mbështet vlerat themelore të krahut konservativ të Partisë Republikane. Thuhet se senatorit McCain i duhen votat e këtij krahu që eventualisht të fitojë në zgjedhjet e nëntorit.

Qartas, zonja Palin është një grua me karrierë të suksesshme. Por, ajo është po ashtu edhe konservatore nga aspekti social. Ajo është nënë e 5 fëmijëve dhe kundërshtare e zëshme e së drejtës për abort.

Ajo, po ashtu, thotë se është mbështetëse e fuqishme e ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Për të thuhet se ka kredenciale patriotike. I biri i saj është në ushtri dhe pritet që gjatë këtij viti të shkojë në Irak.

Ajo që është e rëndësishme për fushatën presidenciale, guvernatorja Palin favorizon shpimet në shtetin e saj të pasur me burime, duke thënë se kjo do ta bëjë Amerikën më pak të varur në naftën nga shtetet e tjera.

Duke qëndruar afër senatorit McCain, ajo kërkoi nga mbështetësit që të votojnë për të, nëse dëshirojnë ndryshime në Uashington.

"Gjatë 67 ditëve të ardhshme unë do të bëj fushatë në çdo pjesë të vendit tonë dhe do ta dërgoj mesazhin e reformave te të gjithë votuesit, të secilës parti politike, ose tek ata që nuk janë të përcaktuar partiakisht. Prandaj, nëse dëshironi ndtryshim në Uashington, nëse shpresoni për një Amerikë më të mirë, atëherë ne kërkojmë që të votoni për ne më 4 nëntor", tha Sarah Palin.

Duket se ajo e bëri edhe një thirrje të drejtpërdrejtë te votuesit e Partisë Demokratike, që kishin mbështetur senatoren Hillary Clinton, gjatë zgjedhjeve brendapartiake. Ajo i nderoi të arriturat e senatores Klinton dhe mbështetësve të saj u dërgoi këtë mesazh:

"Me të drejtë ishte theksuar në Denver këtë javë se Hillary ka lënë 18 milionë vota. Kjo tregon se ende ka barriera që i pengojnë femrat që të marrin poste të larta në adminsitratë", tha Sarah Palin.

Zyrtarë të fushatës së kandidatit të nominuar demokrat, Barack Obama, në ragimin e parë theksuan mungesën e përvojës në politikë të jashtme të guvernatores Palin.

Duket si ironik fakti se deri tash pika kryesore e sulmeve të senatorit McCain kundër Obamës ishte se i nominuari demokrat nuk ka përvojë në politikën e jashtme.
XS
SM
MD
LG