Ndërlidhjet

Albright: Unë do të shkoja drejt në Moskë


Ish sekretarja e shtetit, Madeleine Albright e ka kritikuar administratën aktuale amerikane për përgjigjen ndaj krizës në Gjeorgji.

"Unë do të shkoja drejt në Moskë, për dallim nga Sekretarja aktuale e Shtetit, Condoleezza Rice. Do t'u thoja rusëve se sjellja e tyre është e papranueshme, por gjithashtu do t'u thoja se nuk ka kërcënim në kufijtë e tyre", ka thënë Albright për javoren gjermane Der Spiegel.

"Nëse Vladimir Putini nuk e rishikon këtë, atëherë ne duhet të gjejmë mënyra për ta izoluar Rusinë ndërkombëtarisht", ka thënë Albright.

Ajo ka shtuar se NATO-ja duhet t'i shtyjë përpara planet për anëtarësimin eventual të Gjeorgjisë, dhe i ka hedhur poshtë krahasimet e Moskës për Kosovën dhe rajonet separatiste të Gjeorgjisë.

"Presidenti i Serbisë Sllobodan Millosheviqi dhe bashkëpunëtorët e tij urdhëruan spastrimin etnik të Kosovës. Ne u përpoqëm në disa rezoluta që të gjejmë zgjidhje, dhe vazhdimisht në bashkëpunim me rusët. Situata thjesht ishte e ndryshme. Ajo që bëri Millosheviqi nuk mund të krahasohet me atë që bënë gjeorgjianët për ta ruajtur vendin e tyre", ka thënë Albright.
XS
SM
MD
LG