Ndërlidhjet

logo-print

Partitë shqiptare kërkojnë të përfshihen në çështjen e emrit


Shkupi

Shkupi

Subjekti politik shqiptar duhet të përfshihet në bisedimet për çështjen e emrit dhe t'i japë shtytje arritjes së marrëveshjes me Greqinë pasi mbetja e Maqedonisë jashtë proceseve integruese do të ishte shumë e dëmshme për të ardhmen e vendit, ka vlerësuar ish-diplomati Mahi Nesimi. Bashkimi Demokratik për Integrim, që merr pjesë në Qeveri, thotë se për këtë çështje nuk ka dallime mes partnerëve të koalicionit qeveritar, por pa saktësuar se cili është roli momental i partive shqiptare në negociatat që po zhvillohen me Greqinë.

Partitë politike shqiptare në vazhdimësi kanë bërë thirrje për zgjidhjen e çështjes së emrit me Grëqinë, që do t'i hapte rrugën procesit të integrimit të Maqedonisë fillimisht në NATO e më vonë edhe në caktimin e datës për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Por, përveç thirrjeve të herëpashershme për mbylljen e kontestit, partitë shqiptare nuk janë të kyçura në nivelin e duhur në negociatat që po zhvillohen me Greqinë me ndërmjetësim të përfaqësuesit të OKB-së, Metju Nimic. Kështu ka vlerësuar ish-diplomati Mahi Nesimi.

“Deri më tani nuk fitohet ndonjë përshtypje se shqiptarët janë në mënyrë përmbajtjesore të kyçur në këtë çështje. Por, mendoj se serioziteti i problemit dhe koha gjatë së cilës duhet të zgjidhet ky problem e imponon nevojën e aktivizimit të shqiptarëve në mënyrë më serioze në këtë çështje".

"Këtë e them për shkak se pikërisht tani më duket se SHBA-të do të bëjnë një presion të jashtëzakonshëm në drejtim të arritjes së kompromisit dhe kam përshtypjen se presioni do të bëhet më tepër mbi palën maqedone, sesa mbi atë greke”, tha Nesimi.

Nga ana tjetër, Bashkimi Demokratik për Integrim, që participon në Qeverinë e Maqedonisë, nuk jep detaje se në çfarë forme është i kyçur në bisedime, por vetëm se ka theksuar se për këtë çështje nuk ka dallime në qëndrime me partnerët e koalicionit qeveritar.

“BDI-ja deri në momentin e tanishën ka një pajtueshmëri rreth problemit për zgjidhjen e emrit si me partnerin e koalicionit, ashtu edhe me faktorët e tjerë relevantë në Maqedoni. Pra, nuk kemi dallime rreth këtij problemi”, tha Tahir Hani, koordinator i grupit parlamentar të Bashkimi Demokratik për Integrim, duke shtuar se BDI-ja kërkon zgidhje, por në të njëjtën kohë mbeshtet edhe reagimet e palës maqedonase.

Nderkohë, ish-diplomati Mahi Nesimi thotë se është i drejtë solidarizimi me palën maqedonase apo t'i jepet mbështetje në ruajtjen e identitetit kombëtar, por kjo, sipas tij, në asnjë mënyrë nuk duhet të shërbejë për zvarritjen e mëtejme të zgjidhjes së problemit; përkundrazi, thotë ai, partitë shqiptare duhet të japin maksimumin për zhbllokimin e procesit integrues.

“Çdo frenim i këtyre proceseve, pa marrë parasysh se nga cilat pozicione apo motivacione bëhet, për ne do të jetë shumë i dëmshëm. Prandaj, tani është koha që elitat politike shqiptare të veprojnë në mënyrë unike dhe të japin kontributin maksimal për gjetjen e zgjidhjes për emrin me Greqinë”, tha Mahi Nesimi.
XS
SM
MD
LG