Ndërlidhjet

Përpjekjet e opozitës për unifikim në Kuvend


Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Në përpjekje të favorizimit të rolit të opozitës, partitë parlamentare nga tabori opozitar në Kosovë, planifikojnë të kenë një agjendë të përbashkët lidhur me disa çështje që konsiderohen si interes i Kosovës, siç janë njohja dhe çështja e veriut.

Partitë opozitare në Kosovë po përpiqen që të arrijnë harmonizimin mes vete për një agjendë të përbashkët, në përpjekje për të faktorizuar rolin e opozitës, sidomos në Kuvend.

Ky unifikim i opozitës, mendohet se do të shtyjë, në kuptimin pozitiv, edhe Qeverinë e Kosovës që të punojë më tepër në çështjet, të cilat vlerësohet se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Në anën tjetër, qeveria konsideron se ka treguar dhe po tregon një performansë të mirë edhe pa një dinamikë eventuale që do të diktohej nga trysnia e opozitës.

Sidoqoftë, deputeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se AKR-ja dhe blloku opozitar do të kërkojnë shpjegime nga qeveria në lidhje me njohjen e Kosovës si shtet, duke e ftuar ministrin e Punëve të Jashtme në interpelancë, pasi që opozita konsideron se nuk është bërë mjaft në aspektin e lobimit për pavarësi.

“Përmes kësaj interpelance konsideroj se do ta sensibilizojmë edhe opinionin, edhe qeverinë, se duhet bërë më shumë punë në këtë drejtim dhe se autoritetet përkatëse qeveritare, në këtë rast Ministria e Jashtme, nuk e ka kryer sa dhe si duhet punën e vet”, thotë Gashi.

Ndërkohë, edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila edhe është kreatore e idesë për unifikim të opozitës, vlerëson se qeverisja aktuale ka shumë defekte. Avni Arifi, nga kjo parti politike, thotë se këto defekte të qeverisjes duhet të adresohen pikërisht përmes zërit të unifikuar të opozitës në Kuvend.

“Janë disa aspekte jetike nëpër të cilat po kalon Kosova, pra është procesi i njohjes, pastaj ato që kanë të bëjnë me veriun, por njëkohësisht edhe qeverisja. Ne kemi shumë defekte në qeverisje, të cilat në opinion po kalojnë pa u identifikuar fare, ose pa u hetuar fare nga qytetarët, pikërisht për faktin se zëri i opozitës, si zë i vetmuar, është kryesisht i izoluar në tërë hapësirën që ekziston momentalisht, qoftë mediatike, qoftë politike në Kosovë”, thotë Arifi.

Duke iu përgjigjur kritikave dhe deklaratave për punën e qeverisë, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se në Qeverinë e Kosovës, secili përgjigjet për punën e vet. Por, si tërësi, ai thotë se vlerësimet janë se qeveria po e kryen punën e vet me sukses.

Ndërkaq, vlerësimin më real për punën e qeverisë, sipas tij, e jep Kuvendi dhe qytetarët e Kosovës. Sidoqoftë, ai thotë se qeveria nuk u ik debateve në Kuvend për punën e vet.

Unë mendoj se ne kemi bindjen që mund të punojmë edhe më shumë. Kemi dëshirën dhe vullnetin që të punojmë edhe më shumë. Nuk e kemi logjikën se jemi perfekt, por po mundohemi që ta bëjmë punën më të mirë të mundur. Sido që të jetë, vlerësimet e kujtdo që të jenë, ne do t'i vlerësojmë dhe jo mbi bazën e logjikës kush i thotë, por mbi bazën e logjikës që të përmirësojmë vetveten dhe të shohim a ka diçka reale në to”, thekson Kuçi.

Koalicioni i PDK-së dhe LDK-së, i mbështetur edhe nga shumica e deputetëve nga radhët e pakicave, ka një shumicë të ngushtë krahasuar me opozitën në Kuvend. Por, vetë fakti se dallimi Kuvend mes pozitës e opozitës nuk është aq i madh, nga partitë opozitare shihet edhe si rast që të jetë një faktor më i rëndësishëm në krijimin dhe zbatimin e politikave në Kosovë.


  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG