Ndërlidhjet

Ekspertë për çështje ekonomike pohojnë se krimi financiar është i pranishëm në Kosovë, dhe njëherësh, sipas tyre, terreni për shtrirjen e këtij aktiviteti është mjaft i përshtatshëm. Ata, ndërkaq, thonë se lufta kundër kësaj dukurie, po zhvillohet vetëm me deklarta dhe jo me veprime konkrete.

Krimi financiar është i pranishëm dhe njëherësh parakushtet për zhvillimin e kësaj dukurie janë shumë të favorshme në Kosovë. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike, sipas të cilëve, nëse nuk funksionojnë mekaznimat parandalues, ekziston rreziku që Kosova të bëhet një vend ku shpërlahen paratë.

Sabahudin Komoni, profesor i Financave në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, thotë se moszbatimi i ligjeve po krijon hapësirë për shtrirjen e krimit financiar.

“Në këto rrethana të zhvillimit të Kosovës, ku nuk mbizotëron ligji, ku nuk jemi të organizuar në pikëpamje qeveritare për një ekonomi të mirëfilltë dhe për një zhvillim të mëtutjeshëm, po vjen në shprehje krimi i organizuar, ekonomia joformale, ikja nga obligimet tatimore, doganore, që shkatojnë zvogëlimin e mjeteve buxhetore”, thotë Komoni.

Në bazë të vlerësimeve të Komisionit Evropian në Kosovë, nga ekonomia informale Kosova humb mbi 700 milionë euro në vit. Safet Gërxhaliu, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se kjo shumë tregon më së miri për praninë e ekonomisë informale në Kosovë, sepse, shton ai, këto para vijnë nga krimi financiar, krimi i organizuar, kontrabandimi i mallit etj.

“Në këtë drejtim, pa marrë parasysh realitetin e krijuar, prin Mitrovica dhe vrima e zezë e Mitrovicës, e cila është shndërruar në eldorado të kontrabandës apo të ekonomisë së kriminalizuar. Ajo çka është më interesante është se një dukuri e tillë heshtet, përkundër faktit se Mitrovica është vetëm 30 kilometra larg Prishtinës”,
shprehet Gërxhaliu.

Gërxhaliu thotë se lufta kundër kësaj dukurie po zhvillohet vetëm me deklarata dhe jo me veprime konkrete. Ai madje thotë se krimi financiar në një mënyrë mbështetet nga vetë institucionet.

"Ato janë më tepër vetëm informata për konsum të gjerë dhe për të hedhur hi në sy të popullit. Duhet të dimë realitetin se sot askush nuk merret me krim dhe korrupsion nëse nuk ka përkrahje institucionale, nga qarqe qoftë më të larta, qoftë të niveleve më të ulëta. Nuk mund të luftohet kontrabanda, korrupsioni, në qoftë se nuk pastrohen rrethet nga ata që vetë deklarojnë se i shpallin luftë krimit të organizuar dhe kontrabandës
”, thekson Gërxhaliu.

Sabahudin Komoni, ndërkaq, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të krijojë mekanzima parandalues për krimin financiar, në të kundërtën, shton ai, Kosova do të shndërrohet në vend ku bëhet pastrimi i parave.

“Vetë fakti i asaj që ligji nuk funksionon dhe nga ana tjetër mospërvoja e organeve dhe institucioneve financiare mundësojnë edhe një terren për shpërlarjen e parave. Është një terren i përshtatshëm, pasi edhe privatizimi mundëson një gjë të tillë”, shprehet Komoni.

Ndryshe, Qeveria e Republikës se Kosovës ka krijuar grupin e përhershëm punues për parandalimin e ekonomisë joformale, që kryesohet nga Zyra e Kryeministrit. Ky grup ka hartuar programin për parandalimin e ekonomisë joformale, si dhe planin e veprimit, që, siç thonë në qeveri, do të fillojë të zbatohet menjëherë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG