Ndërlidhjet

Në Kosovë filloi viti i ri shkollor


Në Kosovë, sot ka filluar viti i ri shkollor për nxënësit e shkollave fillore e të mesme. Zyrtarë të arsimit pohojnë se janë bërë përgatijet për këtë fillim, ndërkaq nxënësit e mësimdhënësit shprehen të kënaqur me fillimin e vitit shkollor, pasi ai s'ka nisur me greva.

Rreth 350 mijë nxënës të ciklit të ulët dhe të mesëm fillor të arsimit, si dhe 60 mijë të ciklit të arsimit të mesëm të lartë në Kosovë, sot kanë filluar vitin e ri shkollor.

Në këtë kuadër, 35 mijë fëmijë kanë filluar klasën e parë të arsimit fillor dhe tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që fillimi i vitit të ri shkollor të jetë i sukseshëm. Kështu thotë Agim Hyseni, zëvendësministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

“Këto përgatitje janë zhvilluar në disa rrafshe. Në nivel të infrastrukturës kemi arritur që të realizojmë 10 shkolla të reja, prej tyre 6 shkolla që do të zëvendësojnë kontejnerët ekzistues. Pastaj, jemi gati që t’i pajisim 10 shkolla të reja me inventar, 6 shkolla kemi pajisur me qendra kompjuterike, me 1 kompjutor për 20 nxënës, sa është mesatarja e realizimit të këtij projekti në shkallë vendi dhe me shpresë se do ta avancojmë edhe në të ardhmen”,
thotë Hyseni.

Ndërkaq, që nga ora 7 e mëngjesit, shkollat në Prishtinë kanë filluar punën sipas orareve të caktuara paraprakisht. Një numër nxënësish të shkollës fillore “Faik Konica” shprehen të kënaqur me fillimin e vitit të ri shkollor.

Agon Ajeti: “Jam gëzuar. Hera e parë është në shkollë, në klasë të parë. Çdo gjë është e bukur, shkolla, mësuesja, nxënësit”.

Albana Selimi: “Unë jam në klasën e gjashtë. Sot jam shumë e gëzuar, sidomos për arsimtarët që i takuam. Janë shumë të sjellshëm dhe punëtorë dhe shpresoj se gjithçka do të shkojë mirë, pasi që shkolla është një vatër e diturisë, kështu që na ndihmon për tërë jetën”.

Endrit Neziri: “Jam në klasën e gjashtë. Unë ndihem shumë i emocionuar, sepse tash ne jemi më të rritur dhe kemi filluar një vit të ri ku do të marrim njohuri të mira nga arsimtarët tanë. Arsimtarët ishin shumë të mirë dhe shpresoj se do të na mësojnë shumë gjëra të reja”.

Ndryshe, javë më parë, përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, patën paralajmëruar mundësinë e fillimit të vitit shkollor me greva, në rast të mospërmbushjes së pritjeve të mësimdhënësve për ngritjen e pagave, si dhe disa kërkesave tjera.

Zëvendësministri Hyseni thotë se mundësia që grevat të ndodhin është neutralizuar në masë të madhe me marrëveshjen për bashkëpunim në mes të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ministrisë së Shërbimeve Publike, Bankës Botërore dhe SBASHK-ut, për licencimin e arsimtarëve, gradimin e tyre, si dhe reformimin e pagave.

Ai thekson se sistemi linear i pagave që është aplikuar deri më tash, ka qenë demotivues për arsimtarët.

“Në vend të tij, do të zbatohet një sistem i reformuar i pagave, që do të mundësojë rritjen, madje deri në 37 - 47 për qind për mësimdhënësit me kualifikimet më të larta, përfshirë këtu edhe përqindjen nga përvoja e punës në procesin e mësimdhënies".

"Prandaj, do të ketë ngritje të të ardhurave, që prej mësuesve me shkollë normale e deri te mësimdhënësit me nivel të magjistraturës ose doktoraturës, që punojnë në shkollën fillore dhe të mesme. Njëkohësisht, nuk do të ketë kurrëfarë zbritjeje për asnjë kategori, përfshirë këtu edhe kategorinë e mësimdhënësve të pakualifikuar, të cilët do të përfitojnë në bazë të përvojës së tyre të punës”,
tha Hyseni.

Në anën tjetër, edhe disa mësimdhënës shprehen të kënaqur me fillimin e vitit shkollor pa greva. Ahmet Gecaj, arsimtar, thekson:

“Është kënaqësi që të fillohet ditën e parë për së mbari. Janë disa vendime të qeverisë që të ngritën pagat. Është mirë që së paku një herë i ra në mend qeverisë sonë që të mendojë për ne
”.

Ngjashëm shpreh mendimin edhe Hatiqe Qerimi, mësuese e ciklit të ulët të arsimit fillor:

“Me fillimin këtij viti unë jam e kënaqur. Është çdo gjë në rregull, është përgatitja në rregull. Ne jemi të kënaqur, meqenëse edhe kanë thënë se do ta bëjnë një rritje të pagave. Besoj se do të ketë sukses, do të kalojë mirë dhe s'do të ketë probleme. Jam më e kënaqur për shkak se edhe filluam pa greva, pa pengesa. Do të thotë, filloi viti mbarë”.
XS
SM
MD
LG