Ndërlidhjet

"BE dënon sjelljen e Rusisë"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Shefat e shteteve dhe të qeverive të BE-së kanë denuar të hënën në samitin e jashtëzakonshëm sjelljen e Rusisë në Gjeorgji dhe njohjen e pavarësisë së rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë Jugore. Liderët e BE-së përmes konkluzioneve të miratuara në samit u kanë bërë thirrje shteteve të tjera që të mos i njohin këto rajone dhe kanë kërkuar implementimin e plotë të Marrëveshjes së armëpushimit. Bashkimi Evropian do të anulojë raundin e ardhshëm të negociatave me Rusinë rreth Marrëveshjes për partneritet dhe bashkëpunim, nëse deri atëherë Rusia nuk i përmbush obligimet e saj për tërheqjen e ushtarëve në linjat e paranisjes së armiqësive me Gjeorgjinë. Liderët e BE-së kanë shfaqur shqetësim të thellë për shkallëzimin e konfliktit dhe për humbjet e pasojat në njerëz. Por, liderët nuk kanë aprovuar ndonjë masë konkrete kundër Rusisë, duke thënë se janë përqendruar në kërkim të zgjidhjes politike përmes bashkëpunimit. "Rusia duhet të zgjedhë mes bashkëpunimit dhe ndërtimit të besimit apo mosbesim dhe tensionim të raporteve", ka thënë presidenti i Frances, Nikolas Sarkozy, që në cilësinë e kryesuesit të radhës së BE-së ka udhëhequr edhe takimin e së hënës në Bruksel. Presidenti i radhës i BE-së tha se për këtë krizë nuk ka zgjidhje ushtarake, por vetëm politike dhe ekonomike, dhe se edhe Rusia ka interes per BE-në. "Është në interes të Rusisë-që të mos-izolohet nga Evropa", thuhet edhe në konkluzionet e' miratuara në këtë samit...

INFOPRESS
Nuk dihet ende nëse shtabet, batalionet apo kazermat e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të mbajnë emrat e bartësve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e që tani janë heronjtë e popullit, apo do të emërtohen ndryshe. Çështja se si do të emërohen shtabet apo kazermat, sipas zyrtarëve qeveritarë, do të rregullohet më vonë, me ndonjë udhëzim administrativ apo rregullore të posaçme. Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, ka thënë te hënën për "Infopress" se ende është herët të flitet për këtë çështje. Ai ka thënë se puna e emërtimit të shtabeve apo kazermave do të rregullohet më vonë me ndonjë dokument të veçantë. "Nuk kemi ardhur ende në atë fazë. Sigurisht që do ta rregullojmë me ndonjë rregullore të veçantë apo me ndonjë udhëzim administrativ", ka thënë Mujota. Ministri ka thënë se nuk mund të flitet ende asgjë se a do të emërtohen me emrat e heronjve të luftës së fundit apo do të kenë emra tjerë. Ligji i Forcës së Sigurisë, i nxjerrë së fundi, nuk e specifikon çështjen e emërtimeve. Njëjtë sikur ky ligj, as Pakoja e Ahtisaarit që e ka paraparë krijimin e një force të tillë me karakter shumetnik, nuk specifikon çështjen e emërtimeve të shtabeve, batalioneve apo kazermave ku do të jenë të vendosura trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës...

KOSOVA SOT
Fundi i vjeshtës mbetet ende afati kur misioni i OKB-së në Kosovë, UNMIK-u, planifikon që të përfundojë procesin e rikonfigurimit, gjegjësisht të zvogëlimit apo të përshtatjes me rrethanat e krijuara në vend pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko, thotë se misioni nuk ka ndonjë afat të patejkalueshëm, lidhur me kohën e përfundimit të procesit. "Ne nuk kemi ndonjë afat të patejkalueshëm dhe nuk punojmë në bazë të afateve. Nuk mund të flas për afate", thotë ai. Mirëpo, fundi i vjeshtës është një afat tashmë i përmendur disa herë nga zyrtarët e UNMIK-ut. Fillimisht, vetë Ivanko pati deklaruar mesin e tetorit për kohë të mundshme kur do të përfundonte rikonfigurimi i UNMIK-ut, mirëpo këtij afati pastaj iu ndryshua "interpretimi", duke e shtyrë deri ne fund të vjeshtës. Procesi i rikonfigurimit pritet që ta zvogëlojë UNMIK-un deri në 70 për qind, duke e lënë aktiv vetëm përafërsisht 30 për qind të stafit aktual. Misioni nuk do të jetë i vendosur më në asnjërën prej objekteve gjigante nëpër Kosovë, por do të jetë i izoluar dhe në funksion të ndërtimit të diaiogut. "Në fakt, prezenca e vetme serioze do të jetë në Mitrovicë. Kjo për shkak se tranzicioni atje ende nuk është kryer dhe ka mjaft arsye të tjera të njohura", shpjegon për "Kosova Sot", zëdhënësi i UNMIK-ut, Aleksandër Ivanko...

EXPRESS
Në Brezovicë serbët lokalë janë në prag të kryengritjes - është përshtypja që merr njeriu kur përcjell mediat kosovare kah raportojnë për ngjarjet në enklavën më jugore serbe në Kosovë. Serbët lokalë, të udhëhequr nga lidershipi i dalë nga zgjedhjet që janë konsideruar si ilegale prej autoriteteve vendore dhe të huaja, kanë vendosur të vendosin rampë në rrugën e fundme që gjarpëron prej Shtërpcës në Brezovicë. Pretekst e kanë ndalimin e ndërtimit të egër në Brezovicë, por është e dukshme se prapa këtij justifikimi fshihet qëllimi i vërtetë - sfidimi i pushtetit kosovar. Këso vepra kurrë nuk ndodhin pahiri, sidomos kur dihet se veprimi politik serb, pas shpalljes së pavarësisë, është mjaft hapur i proklamuar: që në situata kur munden, serbët edhe duhet të shpallin mosbindje. Në rastin e Mitrovicës, kjo strategji projektohet në provokime më të rënda, që akterë kanë kriminelë notorë dhe njerëz mjaft të rrezikshëm që duhet kundërshtuar në bashkëveprim me aleatët. Ideologjikisht, bartësit e politikës serbe në Mitrovicë të veriut janë bërllogu i mbetur i luftërave të nëntëdhjeta... Kuptohet se Kosova nuk mund të lejojë edhe shumë gjatë që pikat kufitare në veri të lihen pa kontroll të plotë prej doganave të Kosovës, nëse jo edhe policia. Në anën tjetër, në enklavat e vockla dhe të rrethakuara plotësisht me shqiptarë, strategjia serbe është dukshëm më e butë. Këta arkipelagë fshatrash të vobekta shikojnë me dozë të përzier cinizmi dhe kujdesi çfarëdo radikalizimi të situatës. Ekonomikisht janë plotësisht të varura prej shqiptarëve. Nuk ka Graçanicë pa tregtarë shqiptarë, ashtu siç nuk ka Brezovicë pa skiatorë shqiptarë...

ZËRI
Blloku i partive opozitare, AAK, AKR dhe LDD, është duke harmonizuar disa pika të përbashkëta me të cilat do të përpiqet ta sfidojë qeverisjen aktuale të koalicionit PDK - LDK. Njëherësh, partitë e taborit opozitar besojnë se unifikimi i agjendës dhe qëndrimeve rreth pikave të caktuara do ta faktorizonte edhe rolin e opozitës, stdomos në Kuvend. Ky unifikim i opozitës, mendohet se do të shtyjë në kuptimin pozitiv edhe Qeverinë e Kosovës që të punojë më tepër në çështjet, të cilat vlerësohet se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Në anën tjetër, qeveria konsideron se ka treguar dhe po tregon një performansë të mirë edhe pa një dinamikë eventuale që do të diktohej nga trysnia e opozitës. Për kryeministrin Hashim Thaçi, në Kosovë, nisma e opozitës nuk është diçka e keqe e as sfidë per qeverinë e tij. Duke iu përgjigjur nismës së opozites, në një prononcim të shkurtër, kryeministri i vendit tha dje se këtu nuk ka asgjë të keqe dhe se "në Kosovë të gjithë duhet të jenë të bashkuar, ashtu siç është edhe Kosova e bashkuar". Mirëpo, opozita megjithatë i ka edhe planet e veta. Deputeti nga radhët e Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Gashi, thotë se deri më tani, AKR-ja si parti opozitare ka dhënë sprova se është pjesë e opozitës konstruktive, e cila në radhë të parë ka interesat e Kosovës dhe qytetarëve të saj, çka, sipas tij, ka mundur të lë shpesh edhe përshtypjen se po e mbështet pozitën...

BOTA SOT
Bota sot: Zoti Daci, a mund të na tregoni pse nuk i jeni përgjigjur ftesës së zotit Ramush Haradinaj për t'u takuar? Nexhat Daci: Dua t'ju them se nuk ka asnjë lloj mosmarrëveshjeje në mes meje e z. Haradinaj e z. Pacolli. Me dy liderët e partive opozitare kemi pasur takime dhe do të kemi. Çështja ka qenë vetëm fizike. Nuk ka asnjë prapavijë as njerëzore, as politike. Ne kishim filluar takime pune me z.Pacollin, si partia më e madhe opozitare në Kosovë, darkë pune në një restorant, kemi vazhduar pastaj me LDD-në si partia e dytë një darkë pune, po ashtu në një restorant ku ishim mairrë vesh per mënyrën e mëtejshme të bashkëpunimit. Dhe, unë thashë, është çështje fizike pse nuk kam qenë në Prishtinë gjatë caktimit të takimit të radhës. Dhe, kur jam informuar, ka qenë shumë vonë, jo për përgjegjësi të Ramushit apo të dikujt tjetër, por mungesa ime dhe mosfunksionimi i telefonave. Kur jam informuar, ka ndryshuar prapë koncepti fizik i takimit dhe më kanë thënë me shpejtësi se takimi mbahet në shtëpinë e kryetarit Haradinaj. Unë jam gjendur në befasi çka ka ngjarë, në ndërkohë dhe në mungesë të informatave të tjera; në mungesë të kohës nuk kam mundur t'i përgjigjem ftesës dhe me këtë nuk kam mundur të marr pjesë në takim...

EPOKA E RE
Kohëve të fundit po përflitet se do të rishpallet (për të satën herë) konkursi për zgjidhjen e Ombudspersonit ose Avokatit të Popullit, meqë deri më tani ka pasur dështime dhe procesi ka falimentuar. Zgjidhja e Avokatit të Popullit ka shkuar mbrapsht për shkak se ky proces është politizuar skajshëm dhe se janë bërë përpjekje që apriori të futet nën kontrollin e politikës, t'i shërbejë politikës e jo të drejtave të njeriut që edhe duhej të ishte misioni i këtij institucioni. Pra, politika ka qenë përcaktuese për zgjidhjen eventuate apo eliminimin e kandidatit që i plotësonte kushtet. Rast eklatant ishte Ibrahim Makolli, i cili u eliminua nga politika dhe ndërhyrjet anësore, ndonëse sipas rregullores së Kuvendit ai duhej të shpallej fltues, meqë në dy votime kishte më së shumti vota. Vetëm duhej edhe raundi i tretë i votimeve dhe çështja e Avokatit të Popullit do të ishte harruar. Në konkursin e rishpallur në rrethin e ngushtë hynë tre kandidatë, të cilët nuk kishin asnjë lidhje me të drejtat e njeriut. Me një fjalë, ishin totalisht jokompetentë për këtë post, por secili kishte përkrahje të fuqishme politike apo kishin investuar mjete materiale të kalonte kandidatura e tyre. Në këtë situatë organizata e parë që fuqishëm reagoi kundër ishte KMDLNJ dhe pas kësaj edhe OSBE dhe organizatat e tjera për të drejtat e njeriut (HRW dhe Amnesty International) dhe konkursi përsëri u rishpall. Intervistimin e fundit të kandidatëve për Ombudsperson e monitoroi KMDLNJ, që i bëri publike verejtjet e veta. KMDLNJ vlerëson se është dashur të shkohet në votim për kandidatët që kanë hyrë në rrethin e ngushtë dhe jo të rishpallet konkursi i ri, pavarësisht nëse njëri nga tre kandidatët (Diana Toska, Sami Kurteshi dhe Murat Jashari) do të tërhiqej nga gara...


XS
SM
MD
LG