Ndërlidhjet

A po zbehet roli i gruas në pozitat vendimmarrëse?


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Gratë janë të pakënaqura me pjesëmarrjen e tyre në pozitat ekzekutive. Përfaqësuese të organizatave që merren me të drejtat e grave, shprehin pakënaqësi edhe për mosemërimin e asnjë femre si të ngarkuar me punë në vendet perëndimore.

Pozita e grave në proceset e vendimmarrjes në Kosovë nuk është në nivelin e duhur dhe roli i tyre në politkë ka filluar të zbehet edhe më shumë. Kështu thonë përfaqësuese të organizatave joqeveritare që merren me mbrojtjen e të drejtave të grave.

Igballe Rogova, udhëheqëse e rrjetit të grave të Kosovës, thotë se kjo vërehet më së miri me emërimin e të ngarkuarve me punë në vendet perëndimore. Në mesin e personaliteteve të para që do të përfaqësojnë Kosovën në botë, ajo thotë se nuk figuron asnjë femër.

"I takoj periudhës së viteve të 90-ta, kur kemi qenë të angazhuar në shoqëri civile. Ne kemi pasur shumë gra që kanë kryer rolin e diplomatës, rolin e ambasadorës jashtë. Do të thotë, në kohë më të rrezikshme të Kosovës, ato kanë dalë jashtë dhe kanë prezantuar çështjen, kanë lobuar për çlirimin e Kosovës. Me të vërtetë është një ironi që ato sot nuk janë në vendin ku duhet, aty ku duhet të na prezantojnë jashtë, nëpër ambasada”, thotë Rogova.

Edhe Nazlie Balaj thotë se po të bëhet një krahasim me vendet tjera demokratike sa i përket respektimit të barazisë gjinore, Kosova është shumë larg këtyre standardeve.

“Ta krahasojmë me botën demokratike, pasi çdo herë themi integrimet euro-atlantike. Pas 17 shkurtit, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, shumë shtete, do të thotë fuqitë më të mëdha botërore, kanë bërë akreditimin e ambasadorëve të tyre dhe hapjen e ambasadave në Kosovë; 70 për qind e akreditimit të ambasadorëve në Kosovë kanë qenë ambasadore, të cilat janë emëruar”, thotë Balaj.

Balaj, gjithashtu nga rrjeti i grave të Kosovës, thotë se Kosova ka potencial të mjaftueshëm intelektual edhe të gjinisë femërore, por problemi kryesor i mungesës së grave në pozita vendimmarrëse paraqitet brenda partive të tyre politike.

“Kjo qasje ndaj gruas duhet të ndryshojë, mirëpo së pari duhet të ndryshojë tek gruaja, që ajo vërtet të jetë zëri i saj. Prapë duhet të them se çelësi kyç i të gjitha këtyre proceseve dhe rreth këtyre angazhimeve të gruas, është pikërisht partia politike brendapërbrenda, sepse aty burojnë të gjitha elementet. Prapë po them se gruaja në politikë duhet të dalë jashtë atyre kornizave të margjinalizimit dhe heshtjes së saj”, thotë Balaj.

Arjeta Rexhaj, udhëheqëse e Qendrës për Hulumtime dhe Studime Gjinore, thotë se mospërfshirja e gruas në pozita vendimmarrjeje po bëhet për shkak të kuotës prej 30 për qind të grave në politikë, e cila prodhon, sipas saj, një kundër-efekt.

“Përfaqësimi i gruas në Parlament me 30 për qind ka zbehur dhe ka mundësuar që burrave të politikës vendimmarrëse, çdo herë t'u hapë edhe një rrugë tjetër dhe të thonë se çka duan gratë më shumë kur ato tashmë janë të përfaqësuara. Ne tash po i ndjejmë shumë thellë gabimet e kuotës, mundësinë e gruas në politikë, ndërkaq jo në vendimmarrjen politike”,
shprehet Rexhaj.

Ndryshe, në Kosovë tashmë ekziston edhe Ligji për Barazi Gjinore, ligj ky i cili obligon që 40 për qind e grave të jenë të përfshira në proceset vendimmarrëse. Por, siç thonë edhe vetë përfaqësueset e organizatave, edhe për këtë ligj ka hapësirë për kritika, për faktin se as ai s'po zbatohet ashtu siç parashihet.
XS
SM
MD
LG