Ndërlidhjet

Demarkacioni me Maqedoninë nuk cenon kufirin e Kosovës


Prishtina zyrtare i dha mbështetje fillimit të procesit të demarkacionit të kufirit me Maqedoninë. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës u shprehën të bindur se demarkacioni do përfundojë me sukses dhe pa prekur vijën kufitare të territorit të Kosovës. Procesi u vlerësua pozitiv edhe nga Shkupi zyrtar.

Demarkacioni i kufirit mes Kosovës dhe Maqedonisë do të përmbyllet suksesshëm në marrëveshje mes Prishtinës dhe Shkupit, por pa e cenuar integritetin territorial të Kosovës, thanë sot udhëheqësit më të lartë të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi.

Liderët kosovarë thanë se janë të kënaqur me punën që po bën një komision i përbashkët i Qeverisë së Kosovës dhe i asaj të Maqedonisë për demarkacionin. Presidenti Sejdiu tha se komisioni i përbashkët po e kryen punën e vet, duke e trajtuar çështjen e vijës kufitare në këtë pjesë të kufizimit me Maqedoninë si një çështje praktike.

“Nuk jam unë ai që e qes këtu vijën kufitare. Është komisioni qeveritar që e bën punën më të mirë të mundshme dhe ka besimin tonë dhe mbështetjen e institucioneve. Procesin e shoh në rrugë të mbarë, ashtu siç kemi thënë edhe prej fillimit. Komisioni i Republikës së Kosovës, qeveritar, punon në mënyrë profesionale, është një komision që punën e vet e ka marrë me një përkushtim të jashtëzakonshëm dhe besoj se do të shkojë shumë shpejt”, theksoi presidenti Sejdiu.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur më se i bindur se me çfarëdo marrëveshjeje për demarkacion, nuk do të cenohet në asnjë rast tërësia territoriale e Kosovës. Ai tha se Kosova i ka kufijtë e vet të garantuar ndërkombëtarisht.

“Territori i Kosovës është i paprekshëm, i pacenueshëm, i garantuar dhe i njohur ndërkombëtarisht. Procesi i demarkacionit do të përmbyllet suksesshëm në marrëveshje mes Prishtinës dhe autoriteteve të Shkupit, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen ndërkombëtare”,
thotë Thaçi.

Edhe ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë e ka vlerësuar pozitivisht procesin për shënimin e vijës kufitare mes Maqedonisë dhe Kosovës. Procesi i demarkacionit kufitar po zhvillohet sipas kornizave të konfirmuara të planit të Ahtisarit, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme në Shkup.

Ministria e Jashtme pajtohet me vlerësimet e zëvendës-kryetarit te Komisionit të Kosovës, Murat Meha se që nga fillimi i procesit të shënimit të vijës kufitare nuk është shënuar asnjë incident në vijën kufitare Maqedoni-Kosovë, gjendje kjo e cila presim të vazhdojë deri në përfundim të procesit të demarkacionit , ka deklaruar zëdhënësi i Ministrisë. Petar Çulev.

Komisioni i përbashkët qeveritar i Prishtinës dhe i Shkupit filloi të hënën të shënojë vijën kufitare në zonën e Debëlldesë. Ky shënim i vijës kufitare u tha se po bëhet duke u bazuar në shënimet kadastrale e jo në marrëveshjen kundërthënëse që ishte arritur në vitin 2001 mes Beogradit dhe Shkupit, e cila ishte kundërshtuar nga Prishtina. Bazuar në deklaratat e mëparshme të zyrtarëve kosovarë, marrëveshja Beograd – Shkup i sjell dëm Kosovës - humbjen e 2.500 hektarëve tokë.

Sidoqoftë, tani konsiderohet se matjet e reja do të ndryshojnë gjendjen dhe se shënimi i vijës kufitare nuk e ka për bazë marrëveshjen e Maqedonisë me Serbinë, por është rezultat i punës së komisionit të përbashkët, Prishtinë – Shkup.
XS
SM
MD
LG