Ndërlidhjet

John McCain menaxhon krizën

  • Heather Maher

New Orleans, 31 gusht 2008.

New Orleans, 31 gusht 2008.

Uragani Gustav ka prekur tokën të hënën pasdite. Edhe pse përkohësisht ndryshoi planet e Konventës së Partisë Republikane gjatë kësaj jave, ai i dha kandidatit presidencial, McCain, mundësi të papritur për të demonstruar aftësitë në menaxhimin e krizave.


Uragani, i cili trazoi rrjedhën e Konventës politike të Partisë Republikane këtë javë, u shndërrua në një stuhi tropikale të hënën në mbrëmje, por jo para se John McCain ta shndërronte atë në një fitore politike.

Uragani ka prekur rajonin e njëjtë në Louisiana si në rastin e uraganit Katrina, tre vjet më parë, por për dallim nga hera e kaluar me ç'rast patën vdekur më shumë se 1.500 njerëz, kësaj radhe jetën kanë humbur 7 persona.

Me arritjen e uraganit Gustav, Konventa katërditëshe e Partisë Republikane nisi punimet të hënën, por me një agjendë krejtësisht të ndryshuar.

Presidenti amerikan, George Bush, nënpresidenti Dick Cheney dhe guvernatori i Kalifornisë është dashur të hapin punimet e Konventës, por pjesëmarrja e tyre u anulua për shkak të stuhisë.

Në vend të tyre, zonja e parë, Laura Bush, dhe Cindy McCain, bashkëshortja e kandidatit presidencial, ftuan delegatët që të dhurojnë donacione për të ndihmuar viktimat e uraganit.

Cindy McCain dhe Laura Bush
"Do të doja të kërkoj nga secili prej nesh të bashkohemi dhe t'i ndihmojmë të gjithë ata që kanë nevojë, sa më shpejt që të jetë e mundshme. Sikur që ka thënë edhe John McCain në ditët e fundit, koha është që të heqim kapelat republikane dhe t'i vëmë ato amerikane",
ka thënë zonja Cindy McCain.


Ndërkohë, ylli i Konventës, McCain, ishte në Ohio duke vizituar një qendër ndihmash dhe duke ndihmuar në paketimin e mjeteve higjienike për njerëzit e prekur nga stuhia. Duke folur për NBC News, zoti McCain tha se "ky është një prej atyre çasteve në histori ku Amerika vjen e para". Të njëjtin mesazh e ka dhënë edhe më parë.

"Kjo është koha kur ne duhet të shmangemi nga politikat partiake dhe duhet të veprojmë si amerikanë. Duhet të bashkohemi me 300 milionë amerikanët tjerë në emër të bashkëqytetarëve tanë. Është koha për të vepruar
", ka thënë zoti McCain.

Para pak ditësh, në Konventën e suksesshme të Partisë Demokratike, Barack Obama pranoi edhe zyrtarisht kandidaturën për president të Shteteve të Bashkuara dhe dukej e pamundur që republikanët të tejkalojnë popullaritetin e Konventës Demokrate.

Por, këtë javë, vëmendja është përqendruar pikërisht tek McCain dhe republikanët, me vetë faktin se rivali i Obamës pati mundësinë të luajë rolin e komandantit suprem.

Me vendimin për të braktisur agjendën e Konventës dhe të marrë përsipër rolin e menaxhimit të krizave, McCain mund të ketë fituar terren më të madh politik në garën për në Shtëpinë e Bardhë se në cilëndo konventë.

Dhe, më e rëndësishmja mbase, McCain nuk dukej fare si presidenti Bush në kohën kur uragani Katrina goditi Louisianën më 2005.

Atëbotë, shumë amerikanë kanë qenë të shokuar me mungesën e veprimeve nga ana e qeverisë, në kohën kur banorët e qytetit New Orleans ishin të vërshuar nga ujërat për ditë dhe javë të tëra pas uraganit.

Edhe kandidati demokrat, Obama, ka shkurtuar numrin e aktiviteteve politike për të përqendruar vëmendjen në rajonin e goditur, por ka zgjedhur të mos shkojë atje për të mos penguar operacionet e shpëtimit.

Zoti Obama ka kërkuar gjithashtu nga miliona mbështetësit e tij që të dhurojnë donacione tek Kryqi i Kuq Amerikan për të ndihmuar viktimat.

XS
SM
MD
LG