Ndërlidhjet

"Spanja ndikon shumë në mosnjohjen e Kosovës"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Me krizën në Gjeorgji, marrëdhëniet BE-Rusi kanë mbërritur në një udhëkryq, thuhet midis tjerash, në deklaratën e liderëve të 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, të mbledhur më 1 shtator, në Bruksel. Mbase, këtij formulimi do të duhej shtuar edhe një tjetër, i cili do të thoshte: Me krizën në Gjeorgji, raportet brenda Bashkimit Evropian, midis vetë anëtarëve të BE-së, janë në një udhëkryq. Në rastin e Gjeorgjisë, duket që 27 shtetet e BE-së janë ndarë në tri kampe politike, me kryesuesin e radhës (Francën), i cili graviton në dy kampe. Ai i pari, i prirë në radhë të parë nga Britania e Madhe, në të cilin gjenden edhe shtetet e Baltikut, me Poloninë si përfaqësuesin më të madh, i druan politikës së re ruse në Gjeorgji, e vlerëson atë si një synim të Rusisë për t'i rikthyer në skenën evropiane dhe ndërkombëtare skemat e Luftës së Ftohtë, prandaj, sugjeron që Evropa "t'i tregojë dhëmbët" politikë dhe të kërkojë sa më parë rrugët alternative të furnizimit me naftë dhe me gaz. Kampi i dytë, ku gjendet pjesa më e madhe e shteteve të BE-së, e ku janë edhe Gjermania dhe Italia, para së gjithash, përpiqet të evitojë konfrontimin politik me Federatën e Rusisë dhe mundohet që duke marrë "me të mirë" Rusinë, ta bindë atë disi të kthehet në gjendjen e 6 gushtit në Gjeorgji, duke hequr dorë kështu nga pranimi i pavarësisë së Osetisë Jugore dhe të Abkhazisë...

EXPRESS
Zyrtarët më të lartë rusë që prej se kanë marrë vendimin për njohjen e Osetisë jugore dhe Abkhazisë janë duke tentuar që të legjitimojnë vendimin e tyre pavarësisht thirrjeve të Perëndimit për ruajtjen e tërësisë tokësore dhe sovranitetit të Gjeorgjisë. Presidenti i Rusisë, Dmitrij Medvedev, gjatë një bisede me përfaqësues të mediave ruse ka tentuar të etablojë ekzistencën e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë si dy shtete të reja në botë, pavarësisht se njohjen e tyre e ka bërë vetëm vendi i tij. Për këtë ai ka argumentuar me rastin e Kosovës duke thënë se shtetet e reja krijohen me njohje. "Secili shtet individualisht vendos për njohjen dhe këtu nuk mund të ketë asnjë lloj veprimi kolektiv. Merreni shembull Kosovën. Është shumë e qartë se edhe në atë situatë ka shtete që pajtohen me krijimin e shteteve të reja dhe ka të tillë që mendojnë se nuk është koha për këtë", thotë Medvedev. "Por, e theksoj se e drejta ndërkombëtare bazohet në atë që shteti i ri, si thonë juristët, si subjekt i së drejtës krijohet në momentin kur njihet nga një shtet tjetër". Kur është fjala për njohjen e Osetisë dhe Abkhazisë, Medvedev thotë se vendimi i Rusisë është i pakthyeshëm. "Procesi i njohjes mund të zgjasë shumë, por pozicioni ynë nuk do të ndryshojë. Ne e kemi marrë vendimin tonë të pakthyeshëm. Është borxh yni që të punojmëpër paqe dhe qetësi në atë rajon", ka thënë ai...

EPOKA E RE
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka shfaqur gatishmërinë e tij për takim me homologun serb Boris Tadiq, por vetëm me një prani, siç ka thënë, të rëndësishme ndërkombëtare. Në një intervistë për BBC-në, presidenti ka thënë se takimi me udhëheqësin serb do të mund të përqendrohej vetëm në çështjet e fqinjësisë dhe të raporteve mes dy vendeve sovrane, duke kundërshtuar mundësinë e rihapjes së çështjes së statusit. Në pyetjen nëse është i gatshëm të takohet me Beogradin zyrtar për t'i diskutuar çështjet e interesit të perbashkët, presidenti Sejdiu ka thënë se "në situata të ecjes së mëtejme, gjithmonë si dy vende sovrane, në temat që mund të jenë në interes të qytetarëve të njërit dhe vendit tjetër, po, absolutisht po". "Natyrisht se në këtë periudhë ne japim edhe një përgjigje paralele se me Beogradin asnjëherë s'do të ketë takime dhe tema të cilat lidhen me statusin. Kosova ka përfunduar procesin e pavarësimit të saj, ajo është njohur ndërkombëtarisht nga shumë vende"... Sejdiu ka thënë se UNMIK-u nuk është një partner që do të hyjë në ndërmjetësime të veçanta, por, sipas tij, ai së bashku me EULEX-in mund t'i lehtësojnë dhe t'i shtensionojnë marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit...

KOHA DITORE
Mediat kanë cituar këto ditë zyrtarë të lartë të Spanjës të kenë thënë se "në rastin e Gjeorgjisë mbrojmë integritetin territorial ashtu siç e mbrojmë edhe në rastin e Serbisë rreth Kosovës". Me këtë deklaratë, Spanja edhe një herë publikisht është vënë në anën e kundërt me shumicën e shteteve të BE-së (21 prej 27), të cilat thonë se nuk mund të bëhen krahasime të tilla, sepse Kosova ka dalë e pavarur si rezultat i një procesi të gjatë disavjeçar ndërkombëtar që është zhvilluar nën OKB-në. Sipas disa burimeve diplomatike, Spanja që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës jo vetëm se e ka kundërshtuar këtë pavarësi, por në mënyrë diskrete është duke bërë ndikim edhe te shumë shtete tjera nëpër botë që të mos e njohin pavarësinë e Kosovës. Spanja nuk po e bën këtë në mënyrë agresive, por përmes "sqarimit të pozicionit spanjoll". Disa diplomatë i kanë thënë po ashtu gazetës se Spanja ka ndikim të madh nëpër botë, ndërsa pozicionin e saj rreth Kosovës shumë vende, sidomos ato që pak dinë rreth Kosovës, e shohin së paku si dëshmi se BE-ja është e ndarë rreth Kosovës, prandaj as ato nuk kanë nevojë të nxitojnë rreth njohjes...

LAJM
Kërkesa e Serbisë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të deklarohet rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, tashmë u është dorëzuar të gjitha vendeve anëtare të OKB-së. Ndërkohë, pritet që deri më 17 shtator, Komiteti i Përgjithshëm të vendosë, nëse do ta përfshijë këtë çështje në rend të ditës në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme, e cila pak ditë më vonë, në një seancë plenare miraton rendin e ditës dhe vendos nëse do t'i marrë parasysh propozimet e Komitetit apo jo. Nëse merr votat e mbi 90 anëtarëve të OKB-së, iniciativa e Serbisë mund të kalojë ne Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më pas duhet ta japë një opinion rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës. Kjo mund të sjellë obstruksione, por udhëheqësit kosovarë nuk shqetësohen aspak. "Ky aktivitet i Serbisë do të dështojë paraprakisht. Ne nuk merremi me Serbinë dhe nuk kemi fobi nga ajo. Serbia ka tentuar ta shkatërrojë Kosovën, ajo do të tentojë edhe pas 100 vjetësh t'i bëjë pengesa, por fati i Kosovës do të zhvillohet pavarësisht prej tendencave të Serbisë", thotë per "Lajm" zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Përndryshe, udhëheqësit kosovarë nuk do të mund të marrin pjesë në punimet e sesionit vjeshtor të Asamblesë së Përgjithshme, ndonëse gjatë kohës së sesionit, presidenti Fatmir Sejdiu dhe ministri i Jashtem, Skender Hyseni, do të qëndrojnë në New York...

INFOPRESS
Pllakat e granitit të dëmtuara në sheshin "Nënë Tereza", për të cilat janë shpenzuar rreth 2 milionë euro, pritet që të ndërrohen gjatë këtij viti, pasi që shumica prej tyre, pas vendosjes, kishin filluar të thyhen menjëherë. Zyrtarët komunalë, të martën, kanë konfirmuar se ndërrimi i pllakave të granitit do të bëhet, pavarësisht rezultateve të cilat pritet të kthehen nga një institut slloven, në të cilin institut tash e pesë muaj janë dërguar disa pllaka për t'u bërë analiza e cilësisë dhe shkallës se radio-aktivitetit... Në kohën kur ishin dërguar këto pllaka për analiza, ishte premtuar se brenda dy muajve do të bëhet publikimi i tyre, mirëpo kjo nuk ndodhi as pas pesë muajve kur janë dërguar këto pllaka në Slloveni për analiza. Mirëpo, kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, ka thënë se kanë marrë premtime nga instituti slloven ku janë dërguar pllakat e granitit, se brenda datës 3 dhe 5 shtator, analizat e cilësisë dhe shkallës së radio-aktivitetit do të arrijnë në Prishtinë. "Na kanë premtuar sllovenët se këtë javë do të na dërgojnë së bashku analizat e cilësisë së pllakave dhe shkallës së radio-aktivitetit", pohoi Mustafa...

BOTA SOT
Është trazuar sërish zona përreth "Tre rrokaqiejve" në pjesën veriore të qytetit, banuar me shqiptarë dhe serbë, por fatmirësisht kësaj radhe janë dëgjuar vetëm të shtëna, por pa incidente të tjera. Burimet e policisë rajonale në Mitrovicë kanë njoftuar se me të marrë informatën, njësia patrulluese e policisë së Kosovës, nga stacioni verior i policisë, së bashku me policët e UNMlK-ut, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dy shishe plastike, dy litërshe, nga të cilat rridhte një lëng i cili dyshohej të jetë acid sulfurik. Besohet se këto dy shishe të gjetura janë përdorur nga kryesit ende të panjohur, për të shkaktuar shpërthimet. Zëdhënësi i policisë për rajohin e Mitrovicës, Besim Hoti, ka thënë se shishet e gjetura në vendin e ngjarjes janë marrë si pjesë e dëshmive dhe se nuk është raportuar për ndonjë të lënduar apo për dëme materiale. Ai ka shtuar se deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar në lidhshmëri me rastin...

KOSOVA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe kryeministri Hashim Thaçi janë të kënaqur me punën që kanë bërë institucionet e Kosovës në implementimin e Pakos së Ahtisarit. Të dy liderët premtojnë se Kosova do t'i përmbushë të gjitha obligimet e veta në raport me këtë pako. Sidoqoftë, as Sejdiu e as Thaçi nuk mund të konstatojnë nëse mënyra ë vendosjes së EULEX-it dhe e largimit të UNMIK-ut po e shkel pakon. Plani i presidentit Ahtisari parashihte shuarjen e UNMIK-ut dhe kalimin e të gjitha kompetencave tek institucionet vendëse. Kjo pako nuk parashihte mbetjen e Rezolutës 1244 në fuqi, e as hyrjen e EULEX-it nën ombrellën e OKB-së, siç është duke ndodhur. Sipas presidentit Sejdiu, nuk u takon institucioneve të Kosovës që të konstatojnë nëse vetë misionet civile ndërkombëtare në Kosovë kanë ikur nga pakoja. "Unë nuk mund të lidhem në çështjen se si mund të reflektojë qëndrimi i institucioneve ndërkombëtare. Ne kemi një formulë dhe i mbesim besnikë...", tha Sejdiu. Edhe i pari i ekzekutivit kosovar, Hashim Thaçi, i ka ikur një përgjigjeje të drejtpërdrejtë, i pyetur nëse me mënyrën e vendosjes së EULEX-it po iket nga Pakoja e Ahtisarit. Kryeministri Thaçi tha: "Me EULEX-in vetëm sa forcohet realiteti pozitiv në Kosovë"...
XS
SM
MD
LG