Ndërlidhjet

logo-print

Bush: John McCain e di si mbrohet Amerika


Presidenti George Bush duke iu adresuar Konventës së Republikanëve, 2 shtator 2008.

Presidenti George Bush duke iu adresuar Konventës së Republikanëve, 2 shtator 2008.

Presidenti i SHBA-ve, George Bush, i dha mbështetje kandidatit republikan, John McCain, në garën e tij për Shtëpinë e Bardhë. Bush tha se McCain e kupton si mbrohet Amerika pas 11 shtatorit 2001.


Presidenti George Bush tha se John McCain është i gatshëm të bëhet presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara.

Duke iu drejtuar bashkëpunëtorëve republikanë në Konventën Kombëtare të Republikanëve në St. Paul të Minnessotës, ku McCain këtë javë pritet zyrtarisht të nominohet për president, Bush e lëvdoi senatorin nga Arizona si një amerikan i pavarur dhe guximtar.

Bush tha se McCain e kupton si mbrohet Amerika pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, 2001.

"Ne jetojmë në një botë të rrezikshme dhe na duhet një president i cili i kupton mësimet nga 11 shtatori, 2001: se që të mbrojmë Amerikën, duhet të jemi gati, t'i pengojmë sulmet përpara se të ndodhin dhe të mos presim të goditemi përsëri. Njeriu që na duhet është McCain", tha Bush.

Ai iu drejtua republikanëve përmes satelitit nga Shtëpia e Bardhë, pasi e anuloi vizitën në Konventë për shkak të uraganit Gustav.

Bush theksoi mbështetjen e fuqishme të McCain për shtimin e trupave në Irak, kur ligjvënësit tjerë e kishin humbur besimin tek lufta.

"Njëri senator mbi të gjithë kishte besim në trupat tona dhe në rëndësinë e misionit të tyre, ai ishte John McCain",
tha Bush.

"Disa i kishin thënë atij se është herët dhe se thirrja e tij e vazhdueshme për më shumë trupa do t'ia rrezikonte fushatën presidenciale. Por, ai u tha se më me dëshirë do t'i humbaste zgjedhjet, sesa të shohë vendin e tij të humbë luftën", tha presidenti i SHBA-ve.

Në mungesë të presidentit Bush, në qendër të agjendës ka qenë fjalimi i mbajtur nga senatori Joe Lieberman, një ish- demokrat, ndërkaq tani i pavarur.

Ai lavdëroi kualitetet personale të McCainit, duke thënë se mbështet bindjet e tij personale, pavarësisht politikës, dhe u kërkoi demokratëve që të votojnë për të.

"Jam këtu të mbështes John McCainin, sepse vendi është më i rëndësishëm, sesa partia", tha Lieberman.

McCain të enjten do ta pranojë zyrtarisht nominimin e republikanëve për t'u përballur me demokratin Barack Obama në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.

Obama e pranoi nominimin e demokratëve javën e kaluar.
XS
SM
MD
LG