Ndërlidhjet

Shkup: Opozita akuzon qeverinë për gjendjen ekonomike


Kuvendi i Maqedonisë
Kuvendi i Maqedonisë

Opozita në Maqedoni ka akuzuar pushtetin se po paraqet shifra joreale sa i përket zhvillimit ekonomik të vendit. Sipas Lidhjes Social-demokrate, investimet janë të papërfillshme, ndërsa papunësia po shënon rritje. Por, partitë në pushtet thonë se masat e ndërmarra kanë filluar të japin rezultatet e pritura në ngritjen e standardit të qytetarëve. Ekspertët, nga ana tjetër, kanë hedhur poshtë vlerësimet e dy blloqeve politike, duke thënë se në dy vjetët e fundit nuk ka as edhe një ndryshim pozitiv për të mirë apo për të keq.

Inflacioni në Maqedoni është stabil dhe nën kontroll, investimet e huaja janë evindente, ndërsa bllokimi i procesit të integrimit të vendit nuk do të ndikojë negativisht në zhvillimin e tij. Janë këto vetëm disa nga vlerësimet e përfaqësuesve qeveritarë lidhur me aspektet ekonomike në vend, e me të cilat assesi nuk pajtohet opozita, e cila konsideron se bëhet fjalë për vlerësime joreale.

“Mendoj se gjendja e tanishme nuk mund të mbajë edhe shumë kohë. Kishte premtime nga më të ndryshmet, por asgjë dramatike nuk po ndodh në kuptimin e mirëqenies së qytetarëve.Nuk mbajnë konstatimet e Qeverisë se ka rezultate pozitive në sferën e investimeve apo në uljen e papunësisë”, tha përfaqësuesi i Lidhjes Social-demokrate, Andrej Petrov.

“Nuk e di se ku e shohin ata zhvillimin ekonomik. Investimet janë të papërfillshme dhe këtë pasqyrë secili e ka të qartë. Qytetet e Maqedonisë janë më të pazhvilluara në krahasim me shtetet tjera të rajonit. Pra, kemi mbetur në fund përsa i përket zhvillimit ekonomik”, tha Andrej Petrov.

Por, ndryshe mendon Adnan Jashari, deputet i Bashkimit Demokratik për Integrim në pushtet.

“Qeveria aktuale me tërë kapacitetin e saj i është përkushtuar rritjes së nivelit të standardit të qytetarëve apo stimulimit të punësimeve përmes masave konkrete që ka ndërmarrë. Me këtë nuk dua të theksoj se gjithçka është në nivelin që duhet të jetë, por besoj se po bëhen hapat e duhur”, tha Jashari.

Megjithatë, ai vlerëson se pa integrimin në strukturat euroatlantike, Maqedonia nuk do të arrijë të zhvillohet ekonomikisht.
Duke komentuar pozicionet e këtilla të partive politike, eksperti për çështje ekonomike, Vanço Uzunov, u shpreh:

“Gjendja në Maqedoni nuk është diçka më e mirë se para një apo dy vjetëve, por nuk është as më e keqe se periudha e kaluar. Pra, nuk ka vend për eufori se jemi shumë mirë apo se po rimëkëmbet ekonomikisht vendi, sikur edhe nuk duhet të ketë panik se jemi shumë keq. E vërteta është në mes, kurse problemi qëndron tek partitë politike. Ato në pushtet dëshirojnë ta paraqesin gjendjen si shumë të mirë, ndërsa të kundërten bëjnë partitë në opozitë”, tha Uzunov.
XS
SM
MD
LG