Ndërlidhjet

Kosova nuk zbaton reciprocitetin


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Qeveria e Kosovës thotë se s'do t'i kundërpërgjigjet Maqedonisë me vënien e taksave prej 5 eurosh për kalimin e kufirit shtetëror me këtë vend. Nuk parasheh masa të njëjta as ndaj Bosnjës, e cila nuk i njeh fare pasaportat e Kosovës.



Vendet e rajonit po aplikojnë politika joparimore ndaj Kosovës, duke u munduar që të bëjnë balance mes Kosovës në njërën anë dhe Serbisë në anën tjetër, vlerësojnë zyrtarë qeveritarë dhe analistë në Prishtinë.

Vënia e taksave nga Shkupi për qytetarët e Kosovës që kalojnë kufirin e Maqedonisë, mosnjohja e pasaportave të Republikës së Kosovës nga Bosnja e Hercegovina, apo edhe mosnjohja e pavarësisë nga fqinjët, si Maqedonia e Mali i Zi, sipas Prishtinës, janë edhe si rezultat i politikave të dyfishta që këto vende kanë ndaj Kosovës.

Politikat e vendeve fqinje ndaj Kosovës cilësohen se janë edhe në kundërshtim me politikat dhe parimet bazë të Bashkimit Evropian, të cilat i kanë përqafuar edhe vendet përreth Kosovës dhe ato të rajonit.

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se disa nga vendet fqinje po bëjnë balance jo të drejta në raportet e tyre mes Kosovës dhe Serbisë, politika këto, që, sipas tij, nuk janë në trendet e zhvillimeve evropiane, që si qëllim kanë integrimet dhe jo izolimin.

“Mendoj se balancet nuk janë të mira, nuk janë të drejta dhe nuk janë në trendet e zhvillimeve ndërkombëtare. Të gjitha vendet përreth nesh tentojnë të anëtarësohen në BE dhe duhet të shkojnë drejt proceseve integruese dhe jo drejt proceseve që krijojnë ndarje të reja etnike apo janë burim për konflikte të reja. Jam i bindur që do të lëvizin gjërat, ndoshta ka një hamendje momentale, por në të ardhmen e afërt çdo gjë do të jetë e qartë”,
thotë Kuçi.

Ndërkohë, analisti Belul Beqaj thotë se masat e tilla si ato të Maqedonisë për vënien e taksave për kosovarët apo ato të Bosnjës për të mos i pranuar fare dokumentet e Republikës së Kosovës, cenojnë lirinë e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe mallrave.

Ai thotë se këto masa, sa e dëmtojnë Kosovën, i dëmtojnë edhe vendet e rajonit që i aplikojnë ato. Sidoqoftë, Beqaj thotë se Kosova nuk duhet të sillet njësoj si këto vende dhe nuk duhet të kundërpërgjigjet njësoj, por duhet t'i ndjekë politikat integruese të BE-së

“Kosova ende nuk është e rrumbullakësuar si shtet me të gjitha tiparet e shtetit të mirëfilltë dhe do të ishte joproduktive sikur të sillej sikurse Maqedonia ndaj Kosovës apo dikur të sillej siç po sillet Bosnja ndaj Kosovës. Unë gjithsesi nuk konsideroj se politikat e tyre janë të drejta dhe në favor të bashkëpunimit të hapur dhe të qarkullimit të lirë dhe në frymën e integrimeve evropiane”, vlerëson Beqaj.

Po në lidhje me kundërpërgjigjen e Kosovës, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi thotë se qeveria e ka shqyrtuar këtë mundësi, por nuk ka vendosur që të sillet njësoj me disa nga vendet e rajonit, pasi që konsideron se ato janë joproduktive dhe nuk përkojnë me kohën moderne.

“Kosova do të jetë e matur dhe nuk do ta vëmë taksën për qytetarët e Maqedonisë. Kjo për dy arsye; e para, nuk dëshirojmë që ta kufizojmë apo ta ngadalësojmë qarkullimin e lirë të individëve, të mallrave, të shërbimeve apo kapitalit dhe arsyeja e dytë është se shumica e qytetarëve që vijnë nga Maqedonia janë shqiptarë nga ky vend dhe besoj se nuk kemi nevojë që të bëjmë taksa për ta”, thekson Kuçi.

Në anën tjetër, analisti Belul Beqaj i sugjeron Qeverisë së Kosovës që ta shfrytëzojë edhe ndikimin e pranisë së misionit të Bashkimit Evropian në raport me vendet fqinje dhe rajonin në përgjithësi.

“Konsideroj se Kosova duhet në mënyrë shumë më inteligjente dhe më agresive ta përdorë misionin e EULEX-it në Kosovë dhe ky mision duhet të jetë ai promotor që do të ndikojë në ndryshimin e politikave të shteteve fqinje ndaj Kosovës, por edhe sa i përket bashkëpunimit të Kosovës me regjionin dhe realizimin e konceptit të integrimeve evropiane”,
thotë Beqaj.

Ndërsa në Kosovën e pavarur parashihet të shtrihet një prani më e madhe civile evropiane, izolimi eventual i Kosovës në kohën e integrimeve evropiane, do të ishte dështim për të gjithë, thekson Beqaj.

Sidoqoftë, që nga viti 1999 e këndej, përkundër mungesës së një identiteti të qartë të statusit të Kosovës, lëvizja dhe qarkullimi i lirë i qytetarëve është siguruar përmes dokumenteve të Kombeve të Bashkuara, përkatësisht UNMIK-ut.

Ndërkaq, pas shpalljes së pavarësisë dhe nxjerrjes së dokumenteve zyrtare të Republikës së Kosovës, mbetet njohja e pavarësisë - çështja që ndikon në zbatimin e politikave individuale të secilit shtet ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
XS
SM
MD
LG