Ndërlidhjet

Serbët pa qëndrim të përbashkët mbi decentralizimin


Mitrovica
Mitrovica

Përfaqësuesit e serbëve në pjesën qendrore të Kosovës e shohin decentralizimin si zgjidhje për komunitetin serb. Ndërsa, ata të pjesës veriore shprehen të vendosur të mos zbatojnë asnjë udhëzim të qeverisë Thaçi që ka të bëjë me ndarjen e pushtetit lokal.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës kanë mendime të ndryshme mbi decentralizimin e pushtetit vendor, i cili në javët e ardhshme pritet të dinamizohet nga ana e autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare.

Për zonjën Rada Trajkoviq, nga Këshilli Nacional Serb për Kosovën qendrore, decentralizimi është mënyra e vetme që mundëson një formë mbrojtjeje për komunitetin serb në Kosovë nga institucionet qendrore në Prishtinë. Ajo madje ka akuzuar këto institucione për qasje diskriminuese në raport me pakicën serbe.

"Mbrojtja dhe përgjigjja e vetme serbe ndaj kësaj është organizimi institucional në kuptimin e decentralizimit të pushtetit vendor, që nënkupton shtimin e komunave dhe natyrisht ruajtjen e zonave të mbrojtura", ka thënë zonja Trajkoviq.

Për të është e rëndësishme që decentralizimi të nënkuptojë përfshirjen e të gjitha rajoneve ku jetojnë serbët.

"Mendoj se aspekti teknik i planit të zotit Ahtisaari ofron mundësi, edhe pse me disa elemente që flasin për një formë autonomie më të fuqishme për serbët. Kjo është e vetmja mënyrë për stabilizimin e bashkësisë serbe", tha zonja Trajkoviq.

Por, kolegu i saj nga Këshilli Nacional Serb për veriun e Kosovës, Marko Jakshiq, mendon ndryshe. Ai thotë se decentralizimi mund të ketë qenë i pranueshëm gjatë bisedimeve që janë mbajtur në Vjenë, por jashtë kornizave të krjimit të, siç thotë ai, një shteti tjetër shqiptar me planin e zotit Ahtisaari.

"Kurrfarë decentralizimi që do ta zbatonte qeveria e Hashim Thaçit nuk është i pranueshëm për serbët dhe palën serbe në përgjithësi", tha Jakshiq, duke rikujtuar edhe mbajtjen e zgjedhjeve vendore dhe të përgjithshme të Serbisë më 11 maj në Kosovë, të cilat autoritetet më të larta vendore dhe ndërkombëtare i kanë cilësuar si të paligjshme.

Megjithatë, Jakshiq thirret në rezultatet e këtyre zgjedhjeve dhe thotë se çdo udhëzim tjetër që vjen nga Prishtina, do të jetë i papranueshëm, përfshirë këtu edhe krijimin e komunave të reja, të cilat ai i quajti 'ishuj të izoluar'.

Ndërkohë, autoritetet vendore përgjegjëse për procesin e decentralizimit të komunave në Kosovë janë shprehur optimistë për pjesënmarrjen e serbëve kosovarë në bisedimet për ndarje të pushtetit lokal në vend.

Ata kanë kanë shprehur gatishmëri për të përfshirë në biseda të gjithë njerëzit që mund të ndikojnë pozitivisht në ecurinë e procesit, por kanë hedhur poshtë mundësinë që pjesë e këtyre bisedave të jenë përfaqësuesit serbë të dalë nga zgjedhjet e 11 majit.
XS
SM
MD
LG