Ndërlidhjet

logo-print

"Precedenti i Kosovës është mit"


Shkruan: Marko Attila Hoare, nga Universiteti Kingston në Londër

Nuk ka paralele ndërmjet Kosovës dhe Osetisë së Jugut, ndërsa ekspanzionizmi brutal i Rusisë duhet të ndalet tash, ose çmimin do ta paguajmë më vonë.

Për një pjesë të liberalëve të majtë në Britani, konflikti ruso-gjeorgjian është shpagim për mëkatet e mëhershme të Perëndimit në Irak dhe Kosovë dhe, sipas tyre, problemi qëndron te luftënxitja e Shteteve të Bashkuara, e jo e rusëve.

Por, intervenimi i Rusisë në Gjeorgji dhe njohja e rajoneve të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut nuk janë ekuivalente me aksionet e Perëndimit në Kosovë dhe në Irak, kurse ne po i lejojmë të mbeten të pandëshkuara.

Mbrojtësit e Moskës i referohen shpesh të ashtuquajturit "precedent i Kosovës". Ata pohojnë se nëse NATO-ja mund të kryejë intervenim ushtarak pa autorizimin e Kombeve të Bashkuara kundër një shteti sovran, Serbisë, për të mbrojtur shqiptarët e Kosovës, dhe pastaj ta njohë pavarësinë e Kosovës, atëherë edhe Moska mund të veprojë ngjashëm në raport me Osetinë e Jugut dhe Abkhazinë.

Por, precedenti i Kosovës është mit. Kosova nuk është ekuivalent i Osetisë së Jugut as 'de jure' e as 'de facto'.

Kosova ishte pjesë konstituive e ish-federatës jugosllave. Statusi kushtetues i saj ishte shumë i afërt me ish-republikat jugosllave dhe ato sovjetike, të cilave të drejtën e vetëvendosjes ua ka njohur madje dhe vetë Rusia.

Për dallim nga Kosova, Osetia e Jugut nuk ka qenë pjesë e federatës sovjetike, por vetëm pjesë autonome e Gjeorgjisë. Përderisa Rusia këtë vit e ka njohur integritetin territorial të Gjeorgjisë, zotërimi i Kosovës nën Serbinë nuk është njohur ndërkombëtarisht.

Rezoluta e Këshillit të Sigurimit, e cila i dha fund luftës në Kosovë në vitin 1999, e përmend vetëm "sovranitetin dhe integritetin territorial të Republikës Federale të Jugosllavisë", shtetit, i cili tërësisht u shpërbë në vitin 2006, kur Mali i Zi dhe Serbia u ndanë.

Me një popullatë sa një e njëzeta e Kosovës, Osetia e Jugut më shumë i ngjan enklavave serbe në Ksoovë, se sa vetë Kosovës. Kosova ka popullsi shumë më të madhe se disa shtete evropiane, përfshirë Estoninë, Qipron, Maltën dhe Islandën, kurse Osetia e Jugut ka 65 mijë, sa një qytet i vogël.

Gjithashtu ka edhe dallime të rëndësishme historike. NATO-ja dhe Shtetet e Bashkuara hezituan shumë të intervenojnë në luftërat në ish-Jugosllavi. Por, luftërat e Millosheviqit vranë mbi 100 mijë njerëz në Bosnje, kryen gjenocid, dhunime masovike dhe ngritën kampe të përqëndrimit.

Ishte ky konteksti që e bëri NATO-n të intervenojë në Kosovë për ta ndaluar fushatën e tretë serbe të spastrimit etnik. NATO-ja u mbështet nga një konsensus i gjerë evropian dhe veproi pa kurrfarë strategjie vetjake apo interesi ekonomik.

Intervenimi rus në Gjeorgji është ndryshe. Gjeorgjia nuk sulmoi e as iu kërcënua ndonjë vendi fqinj dhe nuk kreu fushatë sistematike të spastrimit etnik në Osetinë e Jugut. Moska thjesht intervenoi ushtarakisht për t'u siguruar se kolonia e saj, Gjeorgjia, do të paguajë çmim të lartë për përpjekjen e saj për pavarësi.

Disa analistë sugjerojnë se tash jemi dëshmitarë të pasojave të pashmangshme të përbuzjes që Perëndimi i bëri Rusisë në 15 vjetët e kaluar.

Por, Vladimir Putin nuk është ai njeriu i mirë dhe i arsyeshëm, i cili do të ishte miku ynë po të mos e kishim fyer duke vendosur mburoja raketore në Evropë. Ai po bën një politikë të revanshizmit antiperëndimor; ai haptas refuzon ta pranojë verdiktin e Luftës së Ftohtë.

Putin u përpoq t'a frikësojë Ukrainën pro-perëndimore duke ia ndërprerë furnizimet me energji.

Në vitin 2007 ndërmori një luftë kibernetike kundër Estonisë, vend anëtar i NATO-s. Ai demonstroi brutalitet të pamëshirshëm duke i shtypur qytetarët e vet në Çeçeni.

Putin ngriti një qeveri të stilit fashist, ndërsa hajdutët e tij fizikisht kanë sulmuar personelin e ambasadave perëndimore.

Duke bërë fushatë kundër Kosovës dhe duke i nxitur ndjenjat anti-perëndimore që i ka Serbia, Putin e ka minuar paqen në Ballkan, e cila u arrit me shumë dhimbje. Mbështetësit e tij thonë haptas se lufta kundër Gjeorgjisë është luftë kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
XS
SM
MD
LG