Ndërlidhjet

logo-print

Vështirësitë procedurale për anëtarësim në FMN


Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Logo e Fondit Monetar Ndërkombëtar

Kosova në muajin korrik ka aplikuar për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Por, anëtarësimi i Kosovës në këtë organizatë mund të ndodhë vetëm vitin e ardhshëm, thonë zyrtarë qeveritarë. Sipas tyre, Kosova duhet të plotësojë shumë kritere deri në atë kohë.

Kosova mund të bëhet anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore në muajin mars apo prill të vitit të ardhshëm, thonë zyrtarë qeveritarë, edhe pse më herët ata kishin shpresuar se Kosova në këto institucione mund të anëtarësohet brenda gjashtë muajsh, prej datës së aplikimit.

Driton Qehaja, këshilltar politik i kryeministrit të Kosovës, thotë se gjatë kësaj jave në Kosovë ka qëndruar një delegacion i misionit të anëtarësimit të FMN-së dhe i kanë paraqitur Qeverisë së Kosovës kushtet që duhet plotësuar vendi për t’u bërë anëtar i kësaj organizate.

“Ne sot kemi pasur një takim me anëtarë të Fondit dhe do të jenë rreth 100 dokumente, minimum, të cilat duhet të nënshkruhen. Puna është jashtëzakonisht e madhe që duhet përfunduar për anëtarësim”, thotë Qehaja.

Kusht tjetër që duhet të plotësojë Kosova për t’u bërë anëtare e FMN-së, është edhe miratimi i ligjit për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, thotë Qehaja, duke treguar edhe procedurat tjera të nevojshme që paraqesin probleme për anëtarësim.

“Ndër çështjet kryesore tani është është vetë vendosja e kuotës për Kosovën, se çfarë kuote dhe çfarë fuqie të zërit do të ketë Kosova në këtë institucion, të cilin FMN-ja së bashku me ne, do të punojë në muajt në vijim. Dhe, e dyta, çështja me rëndësi është përfaqësimi i Kosovës, do të thotë ne duhet të përzgjedhim një grup vendesh, të cilat duhet analizuar se si do të përfaqësohemi në FMN. Këto janë dy çështje jashtëzakonisht të vështira”, pohon Qehaja.

Ndryshe, një shteti anëtar të FMN-së i caktohet kuota, që është proporcionale me nivelin e ekonomisë së atij shteti si dhe potencialit që ka ajo ekonomi. Çështja e caktimit të kuotës është një proces i vështirë, thotë edhe Bedri Selmani, ekspert për çështje ekonomike, sipas të cilit, caktimi i kuotës i i takon Fondit Monetar Ndërkombëtar.

“Një analizë të tillë askush nuk e ka bërë këtu prej institucioneve të Kosovës. Arsyeja është shumë e qartë - çështja e kuotës përcaktohet kur bëhet kërkesa për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe me këtë rast, këtë do ta bëjnë vetë ekspertët e FMN-së, të cilët kanë qenë vëzhgues dhe kanë pasur zyrën në Prishtinë”, tha Selmani.

Ndryshe, në një analizë të Institutit për Studime të Avancuara GAP, thuhet se vështirësi për anëtarësimin e Kosovës në institucionet finaciare është edhe sigurimi i të dhënave për zhvillimin e ekonomisë kosovare për 25 vjetët e kaluar.

Në analizë thuhet se sipas procedurave misioni i anëtarësimit do të kërkojë nga autoritetet e Kosovës mbledhjen e informatave për ekonominë e Kosovës që nga viti 1984. Por, Driton Qehaja thotë se deri më tani misioni i anëtarësimit nuk ka kërkuar një gjë të tillë.

“Nuk e përjashtoj mundësinë që mund të kërkohen në të ardhmen, por momentalisht ende nuk është kërkuar. Në qoftë se kërkohet, natyrisht se ne do të bëjmë gjithçka që është e mundur për ta përmbushur këtë kriter. Ju e dini se vitet e fundit, të dhënat statikore për Kosovën, vetë FMN-ja i prodhon së bashku me Ministrinë e Ekonomisë dhe Financave dhe Entin e Statistikave të Kosovës”,
thotë Qehaja.

Kosova ka bërë kërkesë për anëtarësim në Fondin Monetar Ndërkombëtar më 10 korrik, një ditë para mbajtjes së Konferencës së Donatorëve. Ndërkaq, pasi të bëhet anëtare e FMN-së, Kosova do të aplikojë për t’u bërë anëtare edhe e Bankës Botërore.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG