Ndërlidhjet

McCain: Do sjell ndryshime në Uashington


John McCain në Konventën e Republikanëve, 4 shtator 2008.
John McCain në Konventën e Republikanëve, 4 shtator 2008.

John McCain ka pranuar nominimin e republikanëve për president, duke premtuar se do të sjellë ndryshime në Uashington, nëse zgjedhet në nëntor.

Senator prej kohësh dhe veteran i Luftës së Vietnamit, John McCain pranoi nominimin e partisë së tij për president të SHBA-së. Ai premtoi se do të sjellë ndryshime në Uashington me ndihmën edhe të nënpresidentes, guvernatores nga Alaska, Sarah Palin.

"Nuk e kam zakon që të shkel premtimet ndaj vendit tim, e as guvernatorja Palin. Ju mund të llogarisni në atë që ju them se do të ndryshojmë Uashingtonin dhe nuk do t' ia lëmë problemet e vendit, që t'i zgjidhë ndonjë gjeneratë e pafat", tha McCain.

I nominuari i republikanëve premtoi se do të heqë dorë nga animoziteti i vazhdueshëm njëpartiak, që shumë shpesh pengon proceset legjislative në Uashington. Në politikën e brendshme, McCain tha se për dallim nga rivali demokrat, Barack Obama, do t'i mbajë tatimet e ulta.

Ndërsa, në mesin e ovacioneve të masës, McCain tha se si president do të lansojë një projekt kombëtar që do ta ulë varësinë amerikane nga nafta e huaj - një projekt, që, sipas tij, do të krijojë miliona vende pune.

Ai, po ashtu, tha se do të ndërtojë më shumë reaktorë bërthamorë.

Sa i përket politikës së jashtme, McCain ka kritikuar Rusinë për mosrespektim të parimeve demokratike.

"Liderët e Rusisë, të pasur me naftë dhe të korruptuar me pushtet, kanë refuzuar idealet demokratike dhe obligimet që dalin nga një pushtet i përgjegjshëm. Ata pushtuan një fqinj të vogël dhe demokratik për të fituar kontroll më të madh mbi furnizimin botëror me naftë, duke i frikësuar fqinjët dhe duke i çuar përpara ambiciet e tyre për të rindërtuar perandorinë ruse. Dhe, populli trim i Gjeorgjisë ka nevojë për solidaritetin dhe lutjet tona", tha McCain.

Megjithatë, ai tha se do të punojë për të përmirësuar marrëdhëniet me Rusinë, në mënyrë që të evitojë "kthimin në Luftën e Ftohtë".

"Si president, do të punoj për të krijuar relacione të mira me Rusinë, që mos t'i kthehemi Luftës së Ftohtë. Por, nuk mund t'i mbyllim sytë ndaj mungesës së sundimit të ligjit në rrafshin ndërkombëtar, i cili po kërcënon paqen dhe stabilitetin e botës dhe sigurinë e popullit amerikan. Ne po përballemi me shumë kërcënime në këtë botë të rrezikshme, por unë nuk frikësohem nga to. Unë jam i përgatitur për to", tha McCain.

McCain garon në zgjedhjet presidenciale të nëntorit kundër rivalit demokratik, Barack Obama.

XS
SM
MD
LG