Ndërlidhjet

logo-print

Përfaqësimi në institucione - mbrojtje e interesave të komunitetit serb


Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi i Republikës së Kosovës

Pjesëmarrja në punën e institucioneve të Kosovës është rruga e vetme për realizimin e interesave të komunitetit serb në Kosovë. Kështu thonë përfaqësuesit e Partisë së Pavarur Liberale, parti kjo në të cilën aderojnë pjesëtarët e komunitetit serb. Përfaqësuesit serbë në Kuvendin dhe Qeverinë e Kosovës theksojnë se nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës, por kjo nuk do t'i pengojë që të ndikojnë në miratimin dhe aplikimin e ligjeve, me të cilat do të respektohen dhe garantohen të drejtat e komunitetit serb.

Angazhimi për t'u kthyer dhe për të qëndruar në Kosovë, si dhe për krijimin e kushteve më të mira për serbët në Kosovë, është drejtimi të cilin e ka zgjedhur Partia e Pavarur Liberale.

Kështu thonë përfaqësuesit serbë të kësaj partie, të cilët theksojnë se në këtë angazhim janë të vendosur përkundër faktit se janë të vetëdijshëm për sfidat gjatë punës në institucionet e Kosovës, në të cilat, sipas tyre, duhet të kihen parasysh interesat e ndryshme, si dhe ballafaqimi me qëndrimin e vendosur të Beogradit për mosbashkëpunim me Prishtinën, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Bojan Stojanoviq, shef i Grupit Parlamentar të Partisë së Pavarur Liberale në Kuvendin e Kosovës, thotë se inkuadrimi në institucionet e Kosovës është i nevojshëm nëse serbët dëshirojnë të qëndrojnë dhe jetojnë në Kosovë.

"Ne nuk kemi kapacitete që ta ndryshojmë statusin e Kosovës, por ajo për të cilën ne aktivisht jemi duke punuar, është mbrojtja e interesave të komunitetit serb përmes veprimit institucional, si dhe përmirësimit të standardit në të gjitha sferat, të cilat kanë të bëjnë me bashkësinë serbe",
tha Stojanoviq.

Ndonëse, përfaqësuesit e Partisë së Pavarur Liberale nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës, qëllimi i tyre është që të punojnë aktivisht në miratimin dhe aplikimin e ligjeve, veçanërisht të atyre që janë në interes për serbët, thotë Stojanoviq.

"Kuvendi ka pasur një periudhë aktive lidhur me çështjen e statusit, në të cilën ne nuk kemi marrë pjesë në mënyrë direkte. Qëndrimi ynë lidhur me statusin ka qenë i qartë. Kuvendi pastaj ka miratuar një mori pakosh me ligje, të cilat kanë qenë të lidhura me planin e Martti Ahtisaarit dhe pavarësisht se çfarë do të ngjajë, ne jemi të vendosur që në mënyrë aktive të punojmë për implementimin e atyre ligjeve", tha Stojanoviq.

Ndërkaq, Nenad Rashiq, ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se detyra e tij është që të zvogëlojë shkallën e papunësisë, e cila është 44 për qind, si dhe të përkujdeset për të gjitha rastet sociale.

"Po përpiqemi që t'i mbulojmë të gjitha aspektet, të gjitha familjet, të gjithë ata që varen nga ne, e që fatkeqësisht janë shumë në Kosovë. Një nga planet konkrete është që të sigurojmë një numër të caktuar banesash për nevoja sociale. Prandaj, edhe në rastin e tentimit tonë që të ndërtojmë vendbanimin prej Graçanicës deri në Dobratin, si dhe në disa vende tjera në Kosovë, këtë problem po përpiqemi ta zvogëlojmë", tha Rashiq.

Ai shpreh bindjen se si ministër serb në udhëheqejn e politikës së Qeverisë mund të kontribuojë për bashkësinë e tij dhe bashkësitë tjera. Ndërkaq, se sa mund të jetë efikas si ministër serb në koalicionin qeveritar, të cilin e përbëjnë dy partitë më të mëdha të shqiptarëve të Kosovës, zoti Rashiq thekson:

"Skena politike kosovare është komplekse dhe e vështirë, por nëse e keni qëllimin dhe drejtimin siç e ka Partia e Pavarur Liberale, atëherë mundësia është që të punohet për përfaqësimin e bashkësisë serbe, në interesin e saj, si dhe në interesin e bashkësive tjera dhe jo në dëm të tyre".

Ndryshe, të dy përfaqësuesit serbë presin që Qeveria e Kosovës t'i respektojë obligimet, të cilat rrjedhin nga propozimi i Martti Ahtisaarit. Stojanoviq vlerëson se nuk ka pasur mosmarrëveshje thelbësore me partitë shqiptare në pushtet, përveçse për çështjen e statusit.

"Tash do të duhet të punohet konkretisht në terren dhe në periudhën e ardhshme është e mundur që të ketë mosmarrëveshje, por mendoj se kemi një model se si do të komunikojmë në mes vete për të gjitha, eventualisht edhe me praninë e bashkësisë ndërkombëtare", tha Stojanoviq.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG