Ndërlidhjet

Prishtina nuk ka njoftime zyrtare për mundësinë e njohjes më të shpejtë të Kosovës nga Maqedonia e Mali i Zi. Përfaqësues të institucioneve të Kosovës thonë se Podgorica dhe Shkupi kanë dërguar sinjale zyrtare se do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës.

Njohja e Kosovës nga vendet fqinje, përkatësisht Maqedonia e Mali i Zi, mbetet një prej çështjeve që konsiderohet se është në interes të Kosovës, por aktualisht në Prishtinë nuk ka sinjale të reja nga këto dy vende.

Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se nuk presin befasi dhe se Shkupi e Podgorica do ta njohin Kosovën e pavarur. Zëdhënësja e ministrit të Jashtëm, Albana Beqiri, thotë se Qeveria e Kosovës po i vazhdon kontaktet me qeveritë maqedonase dhe atë të Malit të Zi, që vendimi për njohjen e Kosovës të merret sa më shpejt.

“Ne vazhdojmë të qëndrojmë në të njëjtat pozita sa i përket kësaj çështjeje, vazhdojmë t'i kemi të njëjtat sinjale se fqinjët, veçmas Maqedonia dhe Mali i Zi, do ta njohin Kosovën dhe nuk kanë dilema sa i përket këtij procesi. Por, ende definitivisht, ne nuk mund të flasim apo spekulojmë për një datë të saktë”,
thotë Beqiri.

Nga Presidenca e Kosovës, zëdhënësi Xhavit Beqiri thotë se vendet fqinje edhe zyrtarisht kanë dërguar sinjale për njohjen e Kosovës, pavarësisht se ato ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Ai thotë se njohjet reciproke dhe raportet e mira ndërfqinjësore janë jo vetëm në interesin e Kosovës, por edhe të vendeve tjera të rajonit.

“Sinjalet kanë ekzistuar edhe më parë, madje ato kanë ardhur edhe nga qarqe zyrtare të këtyre dy vendeve fqinje, dhe ne besojmë që njohja do të ndodhë së shpejti, sepse ajo do të kontribuonte drejtpërdrejtë në stabilitetin e rajonit dhe do të lehtësonte thellimin e bashkëpunimit të mëtejmë në të gjitha fushat mes Kosovës dhe këtyre dy vendeve”, thotë Beqiri.

Ndërsa vendet fqinje i vazhdojnë hamendjet dhe dilemat për njohjen e Kosovës, në analiza e komente të ndryshme, thuhet se Kosova ka shënuar ngecje në lobimin e saj për pavarësi edhe në pjesë të ndryshme të botës, marrë parasysh se numri i njohjeve konsiderohet se nuk është ai që është pritur.

Por, zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, thotë si ai nuk pajtohet që ka stagnim në këtë proces dhe pret që njohjet të vazhdojnë.

“Nuk mund të themi që ka stagnim pavarësisht që të gjithë ne do të dëshironim që numri i këtyre njohjeve të ishte edhe më i madh. Sidoqoftë, institucionet e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim të thellë edhe me vendet mike të Kosovës, janë duke punuar që edhe ato vende që eventualisht hezitojnë ta njohin Republikën e Kosovës, këtë ta bëjnë sa më shpejt”,
thekson Beqiri.

Edhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme, zëdhënësja Albana Beqiri paralajmëron se Kosova do të njihet shumë shpejt nga vende të ndryshme, duke mos specifikuar se për cilat vende apo rajone të botës bëhet fjalë.

“Ministria e Jashtme e Kosovës dhe ministri Hyseni, jo vetëm në takimet e vazhdueshme, por edhe në të gjitha kanalet diplomatike që përdoren për lobim, kanë sinjale për njohje nga disa shtete. Nuk mund të specifikojmë emra të posaçëm shtetesh, por mund të flasim për emra konkretë vetëm kur t'i kemi zyrtarisht letrat e njohjes”, tha Beqiri.

Kosova është njohur si shtet i pavarur e sovran nga 46 vende. Prej tyre, edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe 21 vende anëtare të Bashkimit Evropian. Sidoqoftë, synimet e Prishtinës ishin që Kosova të ketë të paktën njohjen e dy të tretave nga 192 vendet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, shifër kjo që do të legjitimonte statusin e ri të Kosovës edhe në OKB.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG