Ndërlidhjet

Kusari Lila: S'ka hapa konkretë për një strategji zhvillimore


Mimoza Kusari Lila
Mimoza Kusari Lila

"Strukturat qeverisëse janë të fokusuara më tepër në aspektin politik, në atë të njohjeve, në procesin e transferimit të kompetencave tek vendorët, e më pak në përgatitjen e një strategjie zhvillimore të Kosovës", thotë Mimoza Kusari Lila.


Mimoza Kusari Lila, drejtoreshë e Odës Ekonomike Amerikane.

RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Kusari Lila, Kosova tashmë edhe zyrtarisht ka aplikuar në Fondin Monetar Ndërkombëtar. Kur mendoni se Kosova mund të bëhet anëtare e kësaj organizate?

MIMOZA KUSARI LILA
Duke marrë parasysh të dhënat e fundit nga vizita e FMN-së në Kosovë, në mision faktmbledhës për gjendjen në Kosovë, dhe kushtet që duhet t'i plotësojë Kosova për anëtarësim, besoj se do të marrë edhe disa muaj ky anëtarësim ose kjo procedurë e anëtarësimit, edhe pse anëtarësimi i shteteve në FMN, ose në organizatat tjera ndërkombëtare, do të jetë pak pjesë edhe e vullnetit politik.

Kosova është ballafaquar me një realitet të viteve të '90-ta, ku me të vërtetë kemi pasur mungesë të të dhënave, mungesë të informatave, nuk kemi pasur regjistrime zyrtare. Andaj, këto mund të reflektohen si mungesë e të dhënave në procedurën e mbledhjes së fakteve për anëtarësim në FMN.

Por, besoj se kjo organizatë do ta ketë parasysh këtë realitet të Kosovës dhe do të bazohet në të dhënat që janë mbledhur në Kosovë pas mbarimit të luftës, si dhe ato të tjerat që të përafërta mund të sigurohen në periudhën kur në Kosovë institucionet kanë vepruar në sistem paralel.

RADIO EVROPA E LIRË
Ka probleme në përmbushjen e procedurave, sipas jush. Sa është i vështirë realizimi i këtyre kritereve?

MIMOZA KUSARI LILA
Mendoj se kriteret mund të realizohen. Nuk është se është një mision i pamundur. Krejt do të varet nga puna që do të sigurohet, besoj në koordinim të drejtpërdrejtë, nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave dhe ministritë tjera relevante që mund të ndihmojnë në këtë proces.

Megjithatë, preka pak më herët faktin se në Kosovë ka mangësi të të dhënave, ka mangësi të informatave, por Kosova tani përveç faktit që duhet të sigurojë të dhëna dhe informata, duhet të ngrejë edhe standardin e operimit, në kuptimin e performancës kur flasim për anëtarësimin në FMN, për arsye se janë edhe kriteret që ne duhet t'i plotësojmë, është edhe një kuotë që Kosova duhet ta paguajë si shtet anëtar i FMN-së, por edhe të dhënat tjera që duhet të plotësohen vit pas viti.

Domethënë, kemi të bëjmë me një proces, i cili e vë Kosovën në binarë të rregullt dhe gjithsesi ia paraqet disa kritere Kosovës në kuptimin e krijimit të një stabiliteti ekonomik, për arsye se edhe mekanizmat e FMN-së do të mundësojnë që Kosova të jetë një shtet në kuptim më të kompletuar sa i përket inkuadrimit në këtë institucion.

RADIO EVROPA E LIRË

T'i kthehemi gjendjes aktuale ekonomike. Janë bërë gati 7 muaj që nga shpallja e pavarësisë. Sa ka apo është dashur të ketë përmirësim në zhvillimin ekonomik pas kësaj periudhe?

MIMOZA KUSARI LILA
Është ditur se menjëherë pas datës 17 shkurt nuk do të ketë një avancim të përgjithshëm ekonomik, por do të shkojë më ngadalë. Unë kam menduar se do të ketë diçka pak më të dukshme, por besoj se çdo gjë merr kohën e vet dhe ky është një proces që do ta marrë kohën e vet.

Mendoj se strukturat qeverisëse në Kosovë ende janë të fokusuara më tepër në aspektin politik, në aspektin e njohjeve, në aspektin e emërimeve dhe në procesin e transferimit të kompetencave nga administrata ndërkombëtare në atë vendore, e ndoshta më pak në fokusimin e përgatitjes së një strategjie zhvillimore të Kosovës.

Domethënë, nuk kemi parë hapa konkretë rreth mbledhjes së forcave në kuadër të qeverisë, të gjithë dikasterëve përgjegjës, të një trupi koordinues që do të punonte në përgatitjen e strategjisë.

Kosovën pas statusit e ka zënë një koordinim apo përgatitje për Konferencën e Donatorëve, që, thënë të drejtën, më tepër i ka rënë barrë institucioneve ndërkombëtare, gjegjësisht Komisionit Evropian, edhe atë që nga Brukseli, jo nga Prishtina. Ndërsa, brendapërbrenda territorit të Kosovës apo në kuadër të institucioneve të Kosovës, është bërë më pak.

Andaj, mendoj se paralel me fazën e lobimit për njohje, paralel me fazën e transferimit të kompetencave prej administratës së UNMIK-ut te ajo vendore, duhet gjithsesi të ketë fokus të theksuar në zhvillimin ekonomik, gjegjësisht në kalimin e politikave ekonomike, që do të jenë më të favorshme për një zhvillim të shpejtë ekonomik, si dhe rishikimin e legjislacionit aktual dhe përmirësimin e çfarëdo pjese të këtij legjislacioni, e cila mund t'i kontribuojë zhvillimit ekonomik më të hovshëm në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË

Ekonomia informale, ndërkaq, paraqitet si pengesë në zhvillimin ekonomik, që kryesisht vjen nga pjesa veriore e Mitrovicës. Sa po punojnë autoritetet vendore për kthimin në funksion të pikave doganore në veri të Kosovës, sipas jush?

MIMOZA KUSARI LILA

Ajo që ndodhi në veriun e Kosovës ishte e paplanifikuar nga autoritetet vendore dhe ndërkombëtare në Kosovë, në periudhën e passtatusit. Si duket, çdo gjë ishte e planifikuar në kuptimin e bllokimit të Kosovës, ose çfarë do të ndodhte sikur Kosova të izolohej nga Serbia dhe të bllokoheshin mallrat për të mos hyrë.

Ne na ndodhi e kundërta - vërshimi i Kosovës me mallra që nuk doganohen, nuk tatohen. Dhe, në Kosovë krijohet një disbalanc i tmerrshëm tregtar, në kuptimin e asaj se sa i dëmton kjo ekonomi joformale bizneset që punojnë formalisht dhe sa do të ndikojë kjo edhe në vetë konsumatorin, për arsye se kemi të bëjmë me sasi të mallrave që nuk kontrollohen.

Deri më tash janë bërë deklarata; në aspektin deklarativ nuk ka munguar angazhimi. Por, konkretisht, nuk e di se çfarë është bërë për t'i vendosur pikat doganore në veri. Deri më tani kemi vetëm njësi mobile që patrullojnë në rajonin e veriut të Kosovës dhe doganojnë ato mallra që rastisin t'i zënë në rrugë, ndërsa në masë të madhe kontrabanda është duke u zhvilluar.

Kemi pasur rastin e prishjes së tregut apo ndërhyrjeve në treg për derivatet e naftës, gjithashtu edhe për produkte ushqimore, që për secilin biznes që vepron në Kosovë dhe dëshiron të punojë si duhet, është një dekurajim shumë i madh, e sidomos tani kur marrim parasysh ekonominë joformale që ka ekzistuar në Kosovë.

Domethënë, pa pasur veriun e Kosovës, Kosova vuan nga një informalitet në kuptimin e ivazionit fiskal, në kuptimin e mosparaqitjes së vlerës reale të mallrave të tregtuara, andaj mendoj se është një prej gjërave që duhet të merret me urgjencë, njëjtë sikurse merren çështjet politike.

Mendoj se është një aspekt politik-ekonomik, ku s'ka pasur fokusim të duhur, por që duhet një koordinim i trupave ndërkombëtare dhe vendore me urgjencë, që Kosova së pari të ketë kontroll në tërë territorin e saj dhe, së dyti, të ketë kontroll mbi mallrat dhe njerëzit që qarkullojnë brenda dhe jashtë territorit të Kosovës.


XS
SM
MD
LG