Ndërlidhjet

Gjini: Miqtë e Kosovës do të lodhen duke punuar për ne


Ardian Gjini

Ardian Gjini

"Qeveria e Kosovës nuk ka shfrytëzuar asnjë prej mundësive që të zhvillojë një politikë më aktive në planin e njohjes", thotë Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Gjini, kohët e fundit janë shtuar kontaktet dhe takimet mes partive opozitare, me qëllim, siç thuhet, të unifikimit të një agjende të përbashkët sidomos në Kuvendin e Kosovës. Sa konsideroni se ky unifikim do të sjellë risi në Kuvendin e Kosovës karshi qeverisë aktuale?

ARDIAN GJINI
Mendoj se janë zhvillime të mira. Ne do të bisedojmë me partitë tjera opozitare në Kuvendin e Kosovës, ashtu siç do të tentojmë të bisedojmë me të gjithë ata që përfaqësohen në Kuvend; është e domosdoshme të komunikojmë mes vete. Në këtë rast, komunikimi mes partive opozitare për ne është i rëndësishëm.

Ne duhet të kemi një bashkërenditje, jo ndonjë bashkërenditje që mund të konsiderohet si unifikim i plotë i opozitës, për shkak se kemi bindje të ndryshme për çështje të ndryshme, mirëpo një unifikim dhe një renditje e agjendës, në mënyrë që të shohim veç e veç dhe bashkërisht të informohemi për ato që i shohim si të meta serioze në qeverisjen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Çka mund të sjellë ky, kushtimisht thënë, unifikim i opozitës? Një rol më të madh të partive opozitare në Kuvend?

ARDIAN GJINI
Kjo do të thotë se do të jemi më tepër të informuar në mes vete, do të kemi bashkërenditje më të mirë mes vete. Është imperativ, për shkak se ne në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës shohim probleme tepër serioze në qeverisjen në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në prononcimet e vazhdueshme ka vërejtje nga opozita lidhur me lobimin dhe njohjen e pavarësisë së Kosovës, si dhe gjendjen në veri. Sa konsideroni se hapja e debateve për këto çështje do t'i ndihmojë vetë proceset në kuptimin e njohjes së Kosovës, por edhe të shtrirjes së rendit kushtetues në mbarë territorin e Kosovës?

ARDIAN GJINI
Sikur punët të kishin shkuar mirë, ne nuk do ta ksihim parë të arsyeshme që të merremi me këto çështje, përpos të ndihmojmë. Mirëpo, kur punët shkojnë keq, debati se a është mirë të flitet apo jo, është totalisht i pajustifikueshëm, për shkak se ne kemi probleme serioze.

Nëse kemi probleme serioze në veri, me njohje të reja dhe me çështje të tjera dhe ne fare nuk flasim për to, unë nuk e di si mund t'i ndihmojmë vetvetes dhe si mund t'i ndihmojmë Kosovës. Kjo ka të bëjë me vendin tonë, me Kosovën, me të ardhmen tonë, të fëmijëve tanë; nuk ka të bëjë vetëm me partitë politike.

Sikurse edhe më përpara, AAK-ja nuk do të hezitojë për asnjë sekondë që ta kryejë punën e vet në bazë të Kushtetutës dhe në bazë të kapaciteteve që i ka për të mirën e vendit dhe për të mirën e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Është paralajmëruar interpelanca e ministrit të Jashtëm. Çka konkretisht do t'i rekomandonit ministrit Hyseni në çështjen e politikës së jashtme, të lobimit të njohjes së Kosovës?

ARDIAN GJINI
Interpelanca është kërkuar nga kolegë në një parti tjetër opozitare. Mendoj se është e qëlluar, duhet të bisedojmë edhe për këtë çështje.

Prapë ne në AAK i kemi pasur propozimet tona konkrete. Ne mendojmë se minsitri Hyseni dhe Qeveria e Kosovës, edhe Presidenca, duhet të jenë më të hapur për sugjerime, për mbështetje nga njerëzit tjerë, nuk duhet të mendojnë se mund ta kryjnë vetëm këtë punë, sepse po shihet se po dështojnë totalisht.

Tani ne nuk po insistojmë që t'u merren kompetencat kushtetuese institucioneve qeveritare, as Minsitrisë së Jashtme, as Presidencës. Shteti nuk e ka aset vetëm minsitrin e Jashtëm. Mendoj se është gabim të mendohet kështu. Mendojmë se Qeveria e Kosovës i ka shfrytëzuar zero këto asete që i ka Kosova dhe këto asete që i ka kombi ynë.

Ata po mendojnë se edhe nëse dështohet totalisht, vetëm ata duhet të punojnë. E kanë gabim dhe kjo po na kushton. Ministri Hyseni duhet të jetë më këmbëngulës që të kompletohet Ministria e Jashtme, që ta ketë stafin e nevojshëm, që të ketë njerëz që janë jashtë vendit, të mos i shfrytëzojë dy javë në Nju Jork, por të udhëtojë në vende që nuk e kanë njohur Kosovën, për shkak se ambasadorët në Nju Jork nuk vendosin për këtë çështje; vendos dikush tjetër.

Kosova nuk është prezente aty ku duhet të jetë. Duhet të jetë prezente qoftë përmes ministrit, qoftë përmes njerëzve që na ndihmojnë. Deri tani ne po shohim fjetje totale, një ndjenjë se dikush tjetër do t'i rregullojë çështjet në Kosovë dhe se Qeveria e Kosovës është vetëm për t'i mbledhur frytet e asaj pune të dikujt tjetër, vetëm për të dalë në televizor dhe të paraqitet se po bën diçka.

RADIO EVROPA E LIRË
E përmendët Nju Jorkun. Atje pritet që Beogradi të paraqesë një projekt-rezolutë, me të cilën përpiqet të kundërshtojë pavarësinë e Kosovës. Sa konsideroni se është shqetësuese kjo për Prishtinën zyrtare?

ARDIAN GJINI
Kosovën e kanë njohur 46 shtete – kjo është shqetësuese. Tani jemi në pozitë që Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së ta ngrejë këtë çështje, do të thotë të kërkojë vlerësim të legalitetit sipas së drejtës ndërkombëtare për vendimin e Kosovës për shpalljen e pavarësisë.

Sa mund të ndikojë Kosova që ta parandalojë këtë? Nuk mund të ndikojë. Kosova, me këtë strukturë të politikës së jashtme që ka sot, nuk ka arritur të ndikojë që të na njohin shtetet, e lëre më të ndikojë që ato të mos e ngrejnë dorën për të kërkuar vërtetim të legalitetit. Pra, jemi vonuar, e kemi humbur momentumin. Është dashur në fillim të kryhen këto punë.

Tani Kosova do të shkojë në Nju Jork që të mbështetet ekskluzivisht në ndihmën e aleatëve tanë, të cilët nuk e di se sa gjatë mund të durojnë që t'i kryejnë punët tona. Unë e di se na kanë ndihmuar shumë, për më tepër se një dekadë, por, në fund të fundit, edhe miqtë tanë një ditë do të thonë 'more, ju jeni shtet, ju duhet t'i kryeni punët tuaja'.

Kosova nuk po i kryen punët e veta, Qeveria e Kosovës nuk po i kryen punët e veta. Do të kemi ngecje edhe në anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat tjerë ndërkombëtarë. Po afrohet gati një vit që jemi bërë shtet dhe nuk kemi kod telefonik – një prej pasojave.

Pasojat tjera janë se jemi larg OSBE-së, mos të flasim për OKB-në, do të kemi probleme financiare, do të kemi probleme të lëvizjes së lirë, për shkak të njohjes së pasaportave. Do të kemi çështje që lidhen me çfarëdo çështjeje të funksionimit të Kosovës shtet në planin ndërkombëtar, për shkak të njohjeve.

Për të qenë shumë i saktë, ne në AAK nuk themi se është faji ekskluzivisht i Qeverisë së Kosovës. Të jemi të qartë se nuk guxojmë ashtu, për shkak se ka edhe probleme të tjera në botë që lidhen me Kosovën. Mirëpo, ne nuk i kemi kryer detyrat e shtëpisë dhe nuk mund të ankohemi për rrethanat në botë, nëse ne nuk e kemi kryer pjesën tonë të punës si Kosovë. Mund të themi me plot bindje se Kosova, kjo qeveri e Kosovës nuk e ka kryer punën e vet.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG