Ndërlidhjet

"Prishtina ende pa agjendë zyrtare për OKB-në"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

BOTA SOT
Përderisa qeveria e vendit, pas zgjidhjes së statusit, i kishte vënë vetes prioritet integrimin e Kosovës në BE, megjithatë mendohet se Kosova me këtë trend të zhvillimeve është shumë larg për t'u bërë pjesë e familjes së madhe evropiane. Edhe pse qeveritarët lavdërojnë veten se janë të angazhuar per t'i çuar përpara proceset, këtë nuk e mendojnë anëtarët e Komisionit Parlamentar për integrime evropiane, duke vlerësuar se Kosova nuk është as afër plotësimit të kritereve që parashihen të përmbushen para hyrjes në BE. Duke folur për angazhimet në proceset integruese, zyrtarët vlerësojnë se angazhimet e tyre në këtë drejtim janë pozitive, meqë, sipas tyre, tashmë ekzekutivi ka miratuar planin për integrime evropiane 2008-2010 dhe planin e veprimit për partneritet evropian, plane këto që janë bazë për veprime të tjera konkrete në këto procese. Sipas zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi, prioritet i Kosovës në këtë periudhë është integrimi në familjen e madhe evropiane, por, siç tha ai, problem në angazhimet konkrete paraqet mangësia e resurseve njerëzore dhe stimulimi material i tyre. "Të vetmen pengesë që e kemi tash për tash është fakti se në Agjencinë për integrime evropiane që vepron në kuadër të qeverisë, punojnë njerëz me kualitete, njerëz profesionalë që kanë studiuar jashtë vendit, por që me këtë pagë është paksa vështirë të punohet", tha ai...

INFOPRESS
Nuk ka nevojë të mbahen zgjedhje nacionale në vitin e ardhshëm, siç kërkon opozita. Nëse eventualisht vendoset të mbahen, atëherë do të kishte vetëm efekte negative për shkak se do të stagnonin shumë procese pozitive që janë nisur. Ky është vlerësimi që japin analistë politikë për mbajtjen eventuale të zgjedhjeve nacionale në vitin e ardhshëm siç po pretendon opozita. Analistët vlerësojnë se edhe po të mbaheshin, nuk do të kishte ndryshime në strukturën udhëheqëse të Kosovës dhe në këtë kontekst mbajtja e zgjedhjeve është e panevojshme. Analisti politik, Haqif Mulliqi, vlerëson se mbajtja eventuale e zgjedhjeve nacionale në vitin e ardhshëm, do të sillte vetëm efekte negative. Sipas tij, shumë procese, ai i njohjes e i projekteve tjera të nisura nga kjo qeveri, do të stagnonin. "Mbajtja eventuale e zgjedhjeve nacionale do të stagnonte procesin e lobimit, pasi që partitë do të merreshin vetëm me elektoratin. Do të sillnin dëme sa i përket çështjes ekonomike, pasi që zgjedhjet janë edhe të kushtueshme", ka thënë Mulliqi. Sipas tij, përpos kësaj, shumë projekte, qoftë në infrastrukturë, arsim e çështje tjera të brendshme, do të stagonin...

KOHA DITORE
Një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë ka një muaj që ka lobuar në selinë e Kombeve të Bashkuara për rezolutën e Serbisë që synon ta sfidojë legalitetin e pavarësisë së Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kurse, Prishtina zyrtare ende nuk e di datën se kur do të udhëtojë për në selinë e Kombeve të Bashkuara. Me gjithë paralajmërimin zyrtar, shumë kohë më parë, se presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, dhe ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, do të udhëtojnë më 20 shtator për në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ku do të mbahet Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, nisja e ekipit kosovar nuk ka mundur që të konfirmohet as të dielën - gati një javë para se kjo asamble do t'i hapë punimet e saj. "Ne do t'ju njoftojmë me kohë", ka thënë zëdhënësi i presidentit të Kosovës, Xhavit Beqiri. Më herët është raportuar se autoriteteve të Kosovës iu është sugjeruar që për në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshrae të OKB-së të nisen së paku dy javë përpara dhe këtë periudhë ata ta shfrytëzojnë për lobim tek vendet anëtare të OKB-së, si kundërpërgjigje ndaj ofensivës diplomatike serbe kundër pavarësisë. Serbia tashmë ka dorëzuar propozimin për nxjerrjen e një rezolute për të kërkuar mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi legalitetin e pavarësisë së Kosovës. Për këtë, ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, kishte deklaruar se propozimi i Serbisë do të pranohet me shumicën e votave...

KOSOVA SOT
Siç sugjerojnë disa analistë grekë, njohja e pavarësisë së Kosovës nga ana e Greqisë do të mund të ndikonte në shperbërjen e mjegullës së pafavorshme për Athinën në hapësirat e banuara nga shqiptarët në Ballkan. Po sipas analistëve, acarimi i marrëdhëniëve me Maqedonine do të mund të përbënte një motiv të fortë në drejtim të njohjes. Mirëpo, Athina duket se ende nuk ka marrë një vendim të qartë për këtë çështje dhe në deklarata të herëpashershme ka lënë të kuptohet se në thelb nuk e përjashton njohjen, si p.sh. në rastin e Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë, por, nga ana tjetër, kjo njohje nuk ndodhet në planet e saj të afërme. Kryeministri Kostas Karamanlis u pyet për këtë çështje nga BBC-ja, gjatë konferencës vjetore për shtyp që jep për gazetarët vendës e të huaj, në kuadrin e panairit ndërkombëtar të Selanikut. "I peshojmë te gjitha mundësitë. Aktualisht, nuk ka asnjë arsye që të ndryshojmë qëndrimin tonë për çështjen e Kosovës", u përgjigj kryeministri grek. Qëndrimi zyrtar i Athinës është se çështjen e njohjes do ta shqyrtojë rnbi bazën e interesave të veta kombëtare dhe kryeministri e përsëriti edhe njëherë këtë gjatë përgjigjes së tij. Sa u përket mosmarrëveshjeve me Maqedoninë, kryeministri Karamanlis, në mënyrë të tërthortë, u është përgjigjur edhe akuzave të ditëve të fundit nga kryeqyteti fqinj, se "zgjidhja e çështjes së emrit pengohet nga nacionalizmi grek...

EXPRESS
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka përjashtuar çdo mundësi të bashkëqeverisjes eventuale në të ardhmen me PDK-në e Hashim Thaçit. "Edhe pse luftojmë për te njëjtën gjë, mënyra se si veprojmë na ndanë nga njëri-tjetri", ka thënë ai. Ish-kryeministri Haradinaj duke folur për kryeministrin aktual, Hashim Thaçi, e ka kritikuar atë për qeverisje autoritare. "Besoj se në bazë të mënyrës se si punojmë, ndryshojmë shumë nga njëri-tjetri", ka thënë Haradinaj në një intervistë për Top-Channel. "Shikojmë një lloj ndrydhjeje të mendimeve të ndryshme të dhëna nga të tjerët nga ana e Thaçit. Shkolla ime është tjetër, duke i dhënë mundësi te tjerëve që të japin vlerësimin e vet". Armiqësia politike ndërmjet dikur dy bashkëluftëtarëve, Haradinajt eThaçit, u rishfaq pas kthimit të Haradinajt nga Tribunali i Hagës. Kreu i AAKsë kishte filluar një valë kritikash të ashpra për qeverisjen e Thaçit. "Është një mungesë e zotësive; kjo vjen si mungesë e vizionit dhe pastaj rezulton në mungesë të planit qeverisës", ka thënë Haradinaj. "Puna që bëhet, nuk rezulton me rezultate të mira për vendin"...

ZËRI
Sipas informatave të fundit që vijnë prej qarqeve diplomatike të afërta me Bashkimin Evropian, del që në BE, në masë të madhe, kanë nënçmuar iniciativën e Serbisë për bllokimin ligjor të procesit të njohjes së shtetit të Kosovës, i cili mund të pasojë, nëse rezoluta e Beogradit merr vota të mjaftueshme në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Siç po duket, vetë Parisi zyrtar, që është kryesues i radhës i BE-së, nuk ka paraparë fare aktivitet të veçantë në këtë drejtim, ndërsa kriza e Gjeorgjisë, e cila kërkoi angazhimin e posaçëm të presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, dhe te shefit të diplomacisë, Bernar Kushner, bëri që Brukseli të zihet në një fazë tej mase problematike, me epilog që aktualisht është krejtësisht i panjohur. Një diplomat perëndimor, në kushte anonimiteti, i tha gazetës "Zëri" që edhe shtetet qe e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, e ato janë shumica absolute e shteteve anëtare të BE-së, deri vonë nuk e kanë cilësuar si shumë të rrezikshme ofensivën diplomatike të Serbisë, pos tjerash, sepse kanë besuar që Beogradi, kur të "trokasë" në dyert e Brukselit (për ta përshpëjtuar procesin e marrjes së ftesës për t'u bërë shtet-kandidat për hyrjen në BE), do të jetë i gatshëm të jetë më bashkëpunues në rastin e Kosoves dhe do të heqë dorë (madje), prej këtyre nismave. Tash së voni është kuptuar që e tëra kjo mund te kthehet në një pengesë serioze per Kosovën dhe për Perëndimin...

EPOKA E RE

Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, është shprehur e shqetësuar për mosfunksionimin normal të gjykatave në veri të Mitrovicës. Si pasojë e kësaj gjendjeje, ajo ka thënë se ka ardhur deri te një vakuum juridik. Por, zyrtarë të UNMIK-ut kanë premtuar se janë duke punuar aktivisht për ta lehtësuar qasjen në drejtësi për të gjitha komunitetet në rajonin e Mitrovicës, duke rikujtuar se problemi i gjykatave është njëri nga gjashtë fushat ku UNMIK-u do ta lehtësojë dialogun Prishtinë-Beograd, me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje që do të ishte e zbatueshme në praktikë. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, konsideron se drejtësia në veri të Mitrovicës po vonon si pasojë e mosfunksionimit normal të Gjykatës së Qarkut dhe asaj Komunale, të cilat i kanë shkaktuar dëme jo vetëm qytetarëve shqiptarë, por edhe atyre serbë. "Dëm pësojnë edhe shqiptarët, edhe serbët. Janë grumbulluar shumë lëndë, drejtësia atje po vonohet per të dyja palët. Shpresoj se kjo gjendje e këtillë nuk do të zgjasë shumë. Kam informata se edhe qytetarët serbë të pjesës veriore të Mitrovicës kërkojnë që gjykata të rihapet, sepse edhe ata janë të interesuar që të drejtat e tyre t'i realizojnë për një afat sa më të shkurtër", ka theksuar Kelmendi për mediet ndërkombëtare...

LAJM
Udhëheqës të serbëve të Kosovës besojnë se Misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, do të pranohet me kohë edhe nga pjesëtarët e komunitetit serb. Nënkryetarja e Këshillit Kombëtar Serb për Kosovën qendrore, Rada Trajkoviq, tha të dielën për "Zërin e Amerikës" se në një dialog të mundshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nuk do të përfshihej çështja e statusit politik të Kosovës, por do të duhej biseduar për problemet thelbësore me të cilat përballen qytetarët serbë në Kosovë dhe po ashtu edhe qytetarët shqiptarë. Trajkoviq tha se Beogradi ka paguar një çmim për sjelljen e Millosheviqit dhe papërgjegjshmërinë e tij ndaj popullatës shqiptare, por, sipas saj, edhe Prishtina duhet ta paguajë çmimin për papërgjegjshmërinë e udhëheqësve të saj ndaj serbëve në 10 vjetët e fundit. "Problemi ynë thelbësor është se Kosova është bërë e pavarur dhe është njohur nga shtete shumë relevante në botë. Ajo ka në të vërtetë një pavarësi shumë të varur. Varësi kjo ndaj mekanizmave ndërkombëtarë si KFOR-i, i cili mbron sigurinë, dhe Bashkimi Evropian ose vendet perëndimore me një përkrahje të mirë financiare", tha Trajkoviq, duke shtuar se serbët në Kosovë, si dhe udhëheqësit institucionalë në Beograd nuk do ta pranojnë pavaresinë e Kosovës. Megjithatë, ajo thotë se është e nevojshme që serbët të vazhdojnë të mbesin në këtë vend, por institucionet e Kosovës duhet të punojnë më tepër në përmirësimin e kushteve të jetës, jo vetëm për qytetarët serbë, siç thotë ajo, por edhe për vetë qytetarët shqiptarë...
XS
SM
MD
LG