Ndërlidhjet

logo-print

Holbrooke: Integrimi evropian i Serbisë të kushtëzohet me njohjen e Kosovës


Richard Holbrooke

Richard Holbrooke

Ish-ambasadori amerikan në Kombet e Bashkuara, Richard Holbrooke, i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, përderisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Ish-emisari amerikan për Ballkanin, Richard Holbrooke, e ka kundërshtuar ashpër krahasimin e Kosovës me rajonet separatiste në Gjeorgji, përderisa i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian që të mos e pranojë Serbinë, përderisa kjo e fundit të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Ambasadori Holbrooke i ka bërë këto komente gjatë qëndrimit në Prishtinë, ku ai është pritur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës. Holbrooke tha se ndihej shumë i gëzuar që kishte rastin të vizitonte Kosovën e pavarur.

Ambasadori amerikan tha se kosovarët duhet të jenë të kënaqur me faktin se Kosova është njohur tashmë nga 46 vende, duke marrë parasysh se çfarë diplomacie agresive po zhvillon Rusia kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës.

Tash, shtoi Holbrooke, më e rëndësishmja është që Kosova të njihet edhe nga vendet fqinje, sidomos nga Maqedonia dhe Mali i Zi, por edhe nga Rumania e mbase edhe nga Greqia.

Në vazhdim, Holbrooke i ka bërë thirrje edhe Bashkimit Evropian që të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, përderisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

“Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, duhet të bëhet e qartë se mund të hyjë vetëm mbi bazat e një mirëkuptimi, duke e pranuar Kosovën e pavarur. Përndryshe, BE-ja do të bënte gabim të madh nëse e pranon Serbinë brenda me bindjet e saj se Kosova është pjesë e saj”, tha ambasadori Holbrooke.

Ai tha se i kundërshtonte ashpër të gjithë ata politikanë e diplomatë ndërkombëtarë që bëjnë krahasime mes rajoneve separatiste në Gjeorgji dhe Kosovës. Holbrooke tha se Kosova dhe Osetia e Jugut apo Abkhazia janë storie krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën.

Ai rikujtoi se me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova ishte vënë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe se me të njëjtën Rezolutë kërkohej që të zgjidhej statusi i Kosovës. Me pavarësinë e Kosovës, ky status është zgjidhur, tha ai.

Ndërkaq, rajonet separatiste në Gjeorgji, shtoi ai, janë aneksuar nga Rusia dhe nuk kanë legjitimitet të statusit që pretendojnë të kenë. Holbrooke ka komentuar edhe nismën serbe të mbështetur nga Moska për interpretimin e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

“Dëshira e Rusisë dhe Serbisë që ta çojnë këtë çështje para Drejtësisë Ndërkombëtare nuk do të ketë efekte në lidhje me pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Kjo ndoshta mund të ketë efekte sa i përket përfshirjes së Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku edhe ashtu Rusia po e bllokon Kosovën. Por, kjo nuk do të ketë efekte për qytetarët e Kosovës. Ju jeni të lirë dhe të pavarur dhe asgjë nuk mund ta kthejë prapa këtë”, tha Holbrooke.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë thanë se e kanë njoftuar ambasadorin amerikan se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nuk kanë ndodhur zhvillime dramatike e tensione siç parashikonin kundërshtarët e pavarësisë.

Si presidenti Sejdiu, ashtu edhe kryeministri Thaçi, nuk kanë dashur t'i përgjigjen drejtpërdrejt një kërkese të Shkupit që Kosova ta njohë Maqedoninë me këtë emër, si kusht që edhe Maqedonia ta njohë Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova angazhohet për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje.

“Për ne është me rëndësi që të përcjellim mesazhet më të mira të bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë, për interesat e partneritetit fqinjësor, sikur që kemi interesin njësoj që të zhvillojmë marrëdhënie të mira edhe me Malin e Zi, edhe me Shqipërinë, por nesër edhe me Serbinë. Në këtë kuadër, nuk kemi hyrë asnjëherë në rrugën e kushtëzimeve", tha Sejdiu.

Ndërkohë, edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se krahasuar me zhvillimet politike në botë, njohja e deritashme e Kosovës ishte një sukses i madh.

“Ne kemi implementuar kriteret dhe standardet për të na njohur SHBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së. Prandaj, kriteret tona janë të pandryshueshme dhe presim që edhe të tjerët t'i bashkëngjiten kësaj njohjeje të fuqishme për Kosovën, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik
”, theksoi Thaçi.

Ndryshe, Holbrooke është pritur edhe nga kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi. Në mbrëmje ai do të mbajë një ligjëratë lidhur me zhvillimet në rajon e më gjerë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndërkaq nesër, para se të përmbyllë vizitën në Prishtinë, pritet t'i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG