Ndërlidhjet

OSBE: Gjendja në Kosovë është stabile


Pavarësisht nga ndryshimet politike fundamentale në Kosovë gjatë gjysmës së parë të vitit 2008, gjendja politike dhe e sigurisë ka mbetur jashtëzakonisht stabile, thuhet në një raport të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, i cili publikohet sot.

Raporti mbulon fushën e të drejtave të njeriut, marrëdhëniet ndëretnike dhe demokracinë nga gushti vitit 2007 deri në gjysmën e parë të këtij viti. Duke rikujtuar zhvillimet në veri të Kosovës që kanë pasuar shpalljen e pavarësisë, në raport thuhet se "nuk është materializuar frika se pasiguria në mesin e komunitetit serb do të çojë deri tek një valë e re e shpërnguljes nga Kosova".

"Në pjesën veriore të Kosovës, me popullatë shumicë serbe të Kosovës, ndarja në të vërtetë është avancuar përmes zgjerimit të institucioneve administrative paralele në fushën politike. Në pjesën tjetër të Kosovës, rezultati i përpjekjeve për integrimin e komunitetit serb të Kosovës mbetet i paqartë", thuhet në raport.

Gjyqësori ndërkaq vlerësohet të jetë më i dobëti në mesin e institucioneve publike. "Nuk ka indikacione se rritja e mëtejme e numrit të madh të lëndëve të grumbulluara të pazgjidhura të gjykatës mund të parandalohet, e lëre më që ky numër të mund të zvogëlohet".

"Ka indikacione për një ndërhyrje politike në rritje në institucionet kryesore, të cilat sipas standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet të mbeten të pavarura: shërbimi civil, gjyqësori, policia dhe mediat", thuhet në raport.

"Qeveria dhe Kuvendi kanë treguar pak mirëkuptim për rolin e mediave të lira dhe rëndësinë e pavarësisë së mediave nga ndërhyrja politike për zhvillimin e demokracisë së qëndrueshme", thuhet mes tjerash në raportin vjetor të OSBE-së.
XS
SM
MD
LG