Ndërlidhjet

Janë djegur apo jo dokumentet mbi privatizimin?


Selia e UNMIK-ut në Prishtinë
Selia e UNMIK-ut në Prishtinë

Sipas disa njoftimeve thuhet se Shtylla e Katërt e UNMIK-ut dhe Agjencia Kosovare e Mirëbesimit kanë djegur të gjitha dokumentet e privatizimit. Zyrtarë në administratën ndërkombëtare thonë se kjo nuk është e vërtetë.



Përderisa zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, e cila ka trashëguar Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, dyshojnë se një gjë e tillë mund të ketë ndodhur, zyrtarë të administratës ndërkombëtare pohojnë se kjo nuk është e vërtetë.

Aleksander Ivanko, zëdhënës në UNMIK, thotë se kjo nuk është korrekte dhe, sipas tij, dokumentet nuk janë shkatërruar nga UNMIK-u. Ai thotë se shumica e këtyre dokumenteve i janë dorëzuar Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

“Sa e dimë ne, kur janë pastruar zyrat e AKM-së, aty kishte shumë mbeturina dhe një pjesë e këtyre mbeturinave janë djegur. Por, nuk janë djegur edhe dokumentet zyrtare",
thotë Ivanko.

Por, Ekrem Tahiri, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizmit, thotë se në oborrin e ndërtesës së AKM-së janë gjetur dokumente të djegura, edhe pse nuk dihet se për çfarë dokumentesh bëhet fjalë.

“Është e vërtetë se disa dokumente janë gjetur të djegura në oborrin e AKM-së, në atë moment kur anëtarët e bordit kanë hyrë në objekt. Mirëpo, AKP-ja nuk dëshiron të paragjykojë se çfarë lloji dokumentesh janë këto - a janë dokumente të rëndësishme apo janë dokumente që vetëm kanë zënë rrugë dhe dikush ka dashur t'i asgjësojë”, thotë Tahiri.

Bahri Shabani, anëtar i bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, ndërkaq thotë se këtu ka hapësirë për dyshime, pasi, sipas tij, deri më tani bordi i AKM-së nuk ka dorëzuar asnjë dokument në Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Shabani madje thotë se në zyrat e AKM-së nuk ka asnjë dokument dhe as pajisje teknike.

“Jo, nuk janë dorëzuar. Ne, në zyrat ku ka hyrë AKP- ja me një staf të vogël të administratës, nuk kemi gjetur dokumentacione. Kryesuesi i shtyllës së bordit për këtë çështje iu ka drejtuar shefit të UNMIK-ut dhe Shtyllës së Katërt që të bëjnë dorëzimin e dokumentacionit, në mënyrë që AKP-ja të jetë një vazhdimësi e AKM- së, sipas pakos së presidentit Ahtisaari", thekson Shabani.

Ekrem Tahiri, i cili njëherësh ka qenë edhe zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, thotë se në muajin korrik, agjencia e re është dashur të fillojë punën në zyrat e AKM-së. Por, një gjë e tillë ka ndodhur vetëm në fund të muajit gusht, kur edhe është dashur të ndërhyjë qeveria për lirimin e objektit. Ai tregon gjendjen aktuale në zyrat e AKP-së:

“Pasi që nuk ka pasur një pranim-dorëzim të mirëfilltë të këtyre kompetencave, Qeveria e Kosovës e ka autorizuar bordin e AKP-së që të futet në këto objekte, më 24 gusht. Dhe, në atë kohë, këtu janë gjetur vetëm objekte të zbrazëta, ku nuk ka pasur as kompjutorë dhe asnjë dokument. Do të thotë, vetëm tavolinat dhe zyrat e zbrazëta pa asgjë”.

Ndryshe, autoritetet e rendit deri më tani nuk janë njoftuar për djegien e dokumenteve. Veton Elshani, zëdhënës në Policinë e Kosovës, thotë se autoritetet e rendit për këtë zhvillim janë njoftuar nëpërmjet mjeteve të informimit.

“Ne nuk kemi njohuri, nuk jemi të njoftuar zyrtarisht për një gjë të tillë. Ne e kemi parë nëpërmes mediave që kanë shkruar për djegie të dokumenteve të tilla. Sidoqoftë, në konsultim me prokurorët, do të shihet se a do të hapet ndonjë rast apo të mblidhen informata lidhur me atë se çfarë ka ndodhur. Ne deri më tani nuk kemi pasur asnjë rast të paraqitur”, tha Elshani.

Ndryshe, Agjencia Kosovare e Mirëbesimit ka filluar punën në qershor të vitit 2002. Prej kësaj periudhe e deri më tani, AKM-ja ka arritur të privatizojë afër 400 ndërmarrje, ndërkaq kanë mbetur edhe 300 ndërmarrje të tjera shoqërore të paprivatizuara, të cilat duhet të privatizohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit.
XS
SM
MD
LG