Ndërlidhjet

Holbrooke: Nuk kemi pritur këso fushate të Rusisë kundër Kosovës


Richard Holbrooke

Richard Holbrooke

“Të gjithë kemi pritur se do ketë një numër më të madh vendesh që do njohin Kosovën. Por, askush nuk ka pritur një fushatë kaq të ashpër diplomatike të Rusisë kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës”, tha ambasadori Richard Holbrooke, gjatë një ligjërate të mbajtur në Universitetin e Prishtinës.

Kosova nuk duhet të pajtohet në asnjë rast se pavarësia e saj kishte ngjashmëri me zhvillimet në rajonet separatiste në Gjeorgji, ka thënë sot ambasadori amerikan, Richard Holbrooke, në një ligjëratë të mbajtur në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.

Ish-emisari amerikan për Ballkanin tha se Rusia do ndërhynte për të aneksuar Osetinë Jugore dhe Abkhazinë edhe po qe se Kosova nuk do ta kishte shpallur pavarësinë.

Sido që të jetë, ambasadori amerikan tha se Kosova bëri një punë të shkëlqyer kur shpalli pavarësinë e saj. Tani, Holbrooke tha se ndihej edhe vetë i befasuar me politikën agresive që po bën Rusia për ta penguar njohjen e Kosovës, ku, siç tha ai, Moska nuk ka asnjë interes të vetin.

"E vërteta është se kemi pritur se do të ketë më shumë shtete që do ta njohin Kosovën, por mendoj se askush nga ne nuk ka pritur që Rusia do të ndërmarrë një fushatë kaq të madhe ndërkombëtare kundër pavarësisë dhe njohjes së Kosovës",
tha ambasadori Holbrooke.

Ai tha se Moska në çdo pjesë të botës po përdor diplomatët e ambasadorët e saj për të penguar njohjen e Kosovës.

Sa u përket vendeve tjera, sidomos kur janë në pyetje Spanja e Kina, Holbrooke tha se ato i kanë problemet e veta dhe se politika e tyre kundër pavarësisë së Kosovës nuk ka të bëjë drejtpërdrejt me Kosovën, por me problemet e tyre të brendshme.

Ndërkohë, ai tha se edhe në Kosovën e pavarur ka dhe do të ketë probleme për të cilat do të kërkohet më shumë kohë për t'u zgjidhur.

"E di se gjendja nuk është krejt ajo që e duam. E di se kemi probleme në Mitrovicë dhe në pjesën mbi lumin Ibër. I kuptoj edhe relacionet mes komuniteteve. Por, duhet thënë se Kosova po bën shumë në integrimin e komuniteteve dhe këtë rrugë duhet vazhduar", u shpreh ambasadori amerikan.

Ai tha se përkundër këtyre problemeve, Kosova i ka premtimet ndërkombëtare se kufijtë e saj janë të paprekshëm dhe se problemet duhet zgjidhur duke respektuar integritetin tokësor të Kosovës.

Duke i bërë thirrje Prishtinës që të mos ia vë veshin Rusisë, Holbrooke tha se kosovarët nuk kanë nevojë të përqendrohen vetëm në numrin e vendeve që e njohin Kosovën, por duhet t'i kthehen tash ekonomisë, punësimit dhe bashkëpunimit me fqinjët.

"Përgjigjja më e mirë që vendi juaj i vogël mund t'i japë Beogradit dhe Moskës është hapja e vendeve të punës. Ju duhet t'i ndërtoni rrugët e autostradat, ju duhet të keni qasje në Portin Detar në Shqipëri, në Durrës. Ju duhet të rritni tregtinë me Maqedoninë dhe Malin e Zi dhe ju duhet të keni asistencën nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian", tha Holbrooke.

Zhvillimi i Kosovës është rruga më e mirë përpara, përderisa politika ruse dhe serbe, sipas tij, do të shihet se do të dështojë dhe se Kosova do të vazhdojë tutje si një vend i pavarur e sovran.



"Integrimi evropian i Serbisë të kushtëzohet me njohjen e Kosovës"


Gjatë ditës, Holbrooke është takuar me përfaqësuesit më të lartë të institucioneve qendrore. Ai i ka bërë thirrje Bashkimit Evropian të mos pranojë asnjë marrëveshje me Serbinë në kuadër të proceseve integruese në BE, përderisa Serbia të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

"Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, duhet të bëhet e qartë se mund të hyjë vetëm mbi bazat e një mirëkuptimi, duke e pranuar Kosovën e pavarur. Përndryshe, BE-ja do të bënte gabim të madh nëse e pranon Serbinë brenda me bindjet e saj se Kosova është pjesë e saj", tha ambasadori Holbrooke.

Ai tha se i kundërshtonte ashpër të gjithë ata politikanë e diplomatë ndërkombëtarë që bëjnë krahasime mes rajoneve separatiste në Gjeorgji dhe Kosovës. Holbrooke tha se Kosova dhe Osetia e Jugut apo Abkhazia janë storie krejtësisht të ndryshme njëra me tjetrën.

Ai rikujtoi se me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, Kosova ishte vënë nën administrimin e Kombeve të Bashkuara dhe se me të njëjtën Rezolutë kërkohej që të zgjidhej statusi i Kosovës. Me pavarësinë e Kosovës, ky status është zgjidhur, tha ai.

Ndërkaq, rajonet separatiste në Gjeorgji, shtoi ai, janë aneksuar nga Rusia dhe nuk kanë legjitimitet të statusit që pretendojnë të kenë. Holbrooke ka komentuar edhe nismën serbe të mbështetur nga Moska për interpretimin e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë.

"Dëshira e Rusisë dhe Serbisë që ta çojnë këtë çështje para Drejtësisë Ndërkombëtare nuk do të ketë efekte në lidhje me pavarësinë dhe lirinë e Kosovës. Kjo ndoshta mund të ketë efekte sa i përket përfshirjes së Kosovës në organizata ndërkombëtare, ku edhe ashtu Rusia po e bllokon Kosovën. Por, kjo nuk do të ketë efekte për qytetarët e Kosovës. Ju jeni të lirë dhe të pavarur dhe asgjë nuk mund ta kthejë prapa këtë", tha Holbrooke.

Në anën tjetër, udhëheqësit kosovarë thanë se e kanë njoftuar ambasadorin amerikan se që nga shpallja e pavarësisë, në Kosovë nuk kanë ndodhur zhvillime dramatike e tensione siç parashikonin kundërshtarët e pavarësisë.

Si presidenti Sejdiu, ashtu edhe kryeministri Thaçi, nuk kanë dashur t'i përgjigjen drejtpërdrejt një kërkese të Shkupit që Kosova ta njohë Maqedoninë me këtë emër, si kusht që edhe Maqedonia ta njohë Kosovën. Presidenti Fatmir Sejdiu tha se Kosova angazhohet për marrëdhënie të mira me të gjitha vendet fqinje.

"Për ne është me rëndësi që të përcjellim mesazhet më të mira të bashkëpunimit me Republikën e Maqedonisë, për interesat e partneritetit fqinjësor, sikur që kemi interesin njësoj që të zhvillojmë marrëdhënie të mira edhe me Malin e Zi, edhe me Shqipërinë, por nesër edhe me Serbinë. Në këtë kuadër, nuk kemi hyrë asnjëherë në rrugën e kushtëzimeve",
tha Sejdiu.

Ndërkohë, edhe kryeministri Hashim Thaçi tha se krahasuar me zhvillimet politike në botë, njohja e deritashme e Kosovës ishte një sukses i madh.

"Ne kemi implementuar kriteret dhe standardet për të na njohur SHBA-ja dhe shumica e vendeve të BE-së. Prandaj, kriteret tona janë të pandryshueshme dhe presim që edhe të tjerët t'i bashkëngjiten kësaj njohjeje të fuqishme për Kosovën, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik", theksoi Thaçi.

Ndryshe, para se të përmbyllë vizitën në Prishtinë, gjatë ditës së nesërme, Holbrooke pritet t'i drejtohet me një fjalim edhe Kuvendit të Kosovës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG