Ndërlidhjet

Holbrooke: Prioritetet e Kosovës – ekonomia dhe hyrja në BE


Richard Holbrooke
Richard Holbrooke

“Nëse Kosova nuk i bashkohet BE-së brenda 10 vjetësh, do jetë gjithmonë e izoluar”, tha ambasadori Richard Holbrooke para ligjvënësve kosovarë. Ai u bëri thirrje autoriteteve në Prishtinë që të mos përqendrohen vetëm në numrin e njohjeve, por në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe integrimet evropiane.

Zhvillimi ekonomik dhe integrimi në Bashkimin Evropian duhet të jenë prioritetet e Kosovës, ka thënë sot ambasadori Richard Holbrooke, gjatë një fjalimi të mbajtur para Kuvendit të Kosovës.

Ish-emisari amerikan për Ballkanin tha se pavarësia e Kosovës është proces i pakthyeshëm dhe se pavarësisht tendencave ruse dhe serbe që të pengohet njohja, asgjë më nuk mund ta pengojë Kosovën që të jetë shtet i pavarur.

“Pavarësia juaj nuk zhbëhet, por ekonominë e keni të brishtë dhe keni një pjesë të vendit tuaj jashtë kontrollit të përditshëm; ndërkaq, burimet natyrore ende nuk i shfrytëzoni në mënyrë adekuate”, tha Holbrooke, para ligjvënësve kosovarë.

“Ju bëj thirrje që të përqendroheni në gjendjen ekonomike. Ju jeni në një gjendje jo të përshtatshme ekonomike dhe armiqtë e pavarësisë suaj do të duan që ju të dështoni”, ka thënë Holbrooke.

Edhe sot, Holbrooke u ka sugjeruar kosovarëve që të mos përqendrohen shumë në numrin e njohjeve, ngase ky numër, siç tha ai, do të ishte më i madh po të mos kishte një diplomaci kaq agresive të Rusisë kundër Kosovës.

“Rusët nuk mërziten se çfarë po ndodh këtu. Ata po veprojnë kështu për shkak se duan që t'i kundërpërgjigjen Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Holbrooke.

“Ju keni pasur plotësisht të drejtë ta shpallni pavarësinë. Vendimi juaj ka qenë shumë i guximshëm dhe në një frymë me deklaratën e pavarësisë amerikane të 4 korrikut”,
tha Holbrooke.

Por, sipas tij, vendimi për pavarësinë ishte i vonuar, andaj gjërat sot janë më të vështira, si dhe tranzicioni realizohet më me vështirësi.

“Sipas pikëpamjes sime, ky takim i sotëm, kjo liri, është dashur të ndodhë para katër vjetësh. Por, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian duket se kanë lëvizur shumë ngadalë”, tha ambasadori amerikan.

Ndërkaq, duke folur për mundësinë që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të marrë vendim mbi ligjshmërinë e shpalljes dhe njohjes së pavarësisë së Kosovës, ashtu siç synon Serbia, Holbrooke tha se Gjykata padyshim do ta menaxhojë këtë çështje në favor të Kosovës.

Ai i ka cilësuar edhe një herë si të pabaza dhe të palogjikshme krahasimet midis Kosovës dhe rajoneve separatiste në Gjeorgji. Kurse, një mesazh të veçantë kishte për autoritetet në Prishtinë që të drejtojnë vendin kah Bashkimi Evropian, nëse nuk e duan izolimin.

“Nëse nuk i bashkoheni Bashkimit Evropian brenda 10 vjetësh, do të jeni gjithmonë të izoluar”, tha Holbrooke.

Integrimi në BE, sipas tij, do të jetë më i vështirë sesa në NATO, por për zhvillimin ekonomik të Kosovës, hyrja në BE është më e rëndësishmja, tha ai.

Në anën tjetër, ai tha se Brukseli nuk duhet të lejojë që Serbia të integrohet në BE pa i njohur kufijtë ndërkombëtarë të shtetit të Kosovës, sepse hyrja e Serbisë para Kosovës në Bashkimin Evropian, sipas tij, do t'i japë mundësi Beogradit që ta bllokojë integrimin e Kosovës.

Ambasadori amerikan, Richard Holbrooke, i cili nga e diela kishte filluar vizitën në Prishtinë, është pritur nga udhëheqësit më të lartë shtetërorë të Kosovës dhe liderë të opozitës. Në Kuvend, ai është pritur me duartrokitje dhe falënderime nga kosovarët për kontributin e vazhdueshëm që ka dhënë për Kosovën dhe procesin e përmbylljes së statusit të saj.
XS
SM
MD
LG