Ndërlidhjet

logo-print

Kosova mund të llogaritet si vendi më i shtrenjtë për jetë në rajon, për shkak të çmimeve të larta dhe pagave shumë të ulëta. Kështu thonë ekspertë për çështje ekonomike dhe zyrtarë të Qeverisë së Kosovës.

Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se çmimet në Kosovë janë të njëjta si në vendet tjera të rajonit, ndërkaq pagat janë më të ultat në rajon. Ai thotë se kjo ka bërë që një pjesë e madhe e qytetarëve kosovarë të ballafaqohen me mbijetesë.

“Jemi dëshmitarë që pagat e qytetarëve të Kosovës nuk janë duke u ngritur, apo nuk janë në raport të drejtë me inflacionin, i cili po krijohet në Kosovë. Kjo tregon qartë se jeta e kosovarëve të thjeshtë është duke u keqësuar çdo ditë e më tepër”, thotë Keqa.

Edhe Gjergj Dedaj, zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, thotë se pagat e ulëta dhe çmimet e larta të artikujve ushqimorë në tregun kosovar, vazhdimisht po përkeqësojnë standardin jetësor të qytetarëve.

“Jeta në Kosovë është më e shtrenjta, madje edhe më e rënda, me vetë faktin se pagat janë tepër të ulëta, papunësia është më e larta në rajon dhe Evropë, shkalla e varfërisë po ashtu është më e larta në rajon dhe ndoshta në këtë pjesë të Evropës e më gjerë. Këto janë të gjitha ato komponente që vështirësojnë jetën e qytetarit të Kosovës, e varfërojnë shportën ditore të konsumatorit”, pohon Dedaj.

Paga mesatare në Kosovë është 206 euro, pagë kjo që nuk mbulon as gjërat elementare për një familje, thotë Dedaj. Sipas tij, për një standard më të mirë, paga minimale në Kosovë duhet të jetë 300 euro.

“Pagat minimale duhet të jenë 300 euro në muaj, apo 10 euro në ditë. Ky është minimumi për shpenzimet ditore, siç janë gjërat elementare për jetë, uji, qumështi, buka, kafja... E nuk po flasim për rrymën, për nxemjen, për derivatet, për ata që kanë makina”,
thotë Dedaj.

Por, Flamur Keqa, nga Oda Ekonomike e Kosovës, thotë se për një jetë normale, pagat në Kosovë duhet të fillojnë nga 500 euro në muaj.

“Nëse po supzojmë se rroga mesatare është 250 euro dhe pjesa më e madhe e këtyre pagave shkon në ushqim, atëherë me të vërtetë jemi në një pozitë të pavolitshme. Sipas mendimit tim, rroga diku prej 400 deri në 500 euro do të jetë një rrogë optimale, e cila do të siguronte një jetesë pak më njerëzore për qytetarët e Kosovës”, thotë Keqa.

Ndryshe, çmimet e produkteve ushqmiore në Kosovë janë shtrenjetuar për 15 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Në anën tjetër, varfëria në Kosovë vazhdon të jetë shumë e lartë. Raporti i fundit i Bankës Botërore thotë se 37 për qind e popullatës së Kosovës jeton me më pak se 1.42 euro në ditë, ndërkaq 15 për qind jetojnë me më pak se 93 centë në ditë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG