Ndërlidhjet

Prishtina kundërshton vlerësimet e OSBE-së


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Autoritetet qendrore në Prishtinë kundërshtuan disa përfundime të raportit të OSBE-së për zhvillimin dhe marrëdhëniet etnike në Kosovë. Opozita i quan të sakta konkluzionet e raportit që flasin për gjyqësinë, policinë e sektorë të tjerë.


Prishtina zyrtare është shprehur kundër disa përfundimeve që kanë dalë nga raporti i fundit i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Në raport është ngritur shqetësimi se edhe 9 vjet pas luftës, në mungesë të shenjave për integrim dhe zhvillimin e një jete të përbashkët me serbët, Kosova nuk mund të quhet shoqëri multietnike.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, theksoi se Kosova ka pasur dhe do të vazhdojë të mbështesë karakterin multietnik për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dallim.

"Kosova do të mbajë karakterin e vet të një shoqërie multietnike - një shtet demokratik i të gjithë qytetarëve", theksoi presidenti Sejdiu.

Vlerësimet e raportit që flasin për ndërhyrje politike në disa sektorë, si policia, gjyqësia dhe mediat, gjithashtu u hodhën poshtë, kësaj radhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi. Ai ia drejtoi përgjegjësinë mbi mangësitë në sistemin gjyqësor dhe në polici vetë OSBE-së.

"Ju e dini se edhe gjyqësori, edhe policia, janë zhvilluar nën autoritetin e OSBE-së, ndërsa sa i përket mediave të lira, autoritetet politike dhe Qeveria e Kosovës kanë ndërtuar raport partneriteti të shkëlqyeshëm me mediat e lira në Kosovë dhe do ta kultivojmë këtë relacion", tha Thaçi.

Kreu i ekzekutivit kosovar, Thaçi, paralajmëroi reforma, të cilave do t'u nënshtrohen tri nivelet themelore të Republikës, duke e përfshirë edhe aspektin ekonomik.

"Këto janë reforma të domosdoshme demokratike, reforma edhe në politikë, edhe në ekonomi, edhe në legjislacion, duke nënkuptuar edhe refroma në drejtësi", tha kryeminsitri Thaçi.

Opozita në Kosovë, ndërkaq, thotë se publikimi i raportit të OSBE-së vë në pah gjendjen reale të funksionimit të shtetit të Kosovës.

Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ahmet Isufi, mbështeti raportin në fjalë dhe u shpreh i bindur për saktësinë e tij sa i përket pasqyrimit të gjendjes në sektorë të caktuar në vend.

"Ne e kemi theksuar edhe më herët si parti opozitare se qeveria po ndërhyn në shumë segmente, sidomos në ndërmarrjet publike, në organet gjyqësore dhe po ashtu në të gjithë mekanizmat, të cilët në fakt konsiderohen si të pavarur. Prandaj, ka dalë në shesh e vërteta dhe OSBE-ja ka bërë një raport ku kritikon ashpër qeverinë për veprimet e tilla", u shpreh Isufi.

Aleanca Kosova e Re, ndërkaq, mendon se fajtorë për joefikasitetin në gjyqësi e polici janë edhe administrata e Kombeve të Bashkuara dhe OSBE-ja, të cilat kanë toleruar ndërhyrjet e Serbisë në këto segmente.

Ibrahim Makolli, nënkryetar i kësaj partie, madje është i mendimit se në raport është dashur të ketë edhe vërejtje për ata që kanë lejuar funksionimin e strukturave paralele të Serbisë. Për këto struktura, OSBE-ja ka vlerësuar se avancojnë ndarjet ndëretnike.

"OSBE-ja do të duhej që të ketë vërejtje ndaj administratës së UNMIK-ut në përgjithësi dhe ndaj vetes po ashtu, si toleruese për funksionimin e këtyre institucioneve të Serbisë në Kosovë", tha Makolli.

Në raport janë identifikuar 12 fusha që derivojnë nga mandati i misionit të OSBE-së në Kosovë, për të cilat është dhënë veç e veç velërësimi mbi përparimet dhe mangësitë.
XS
SM
MD
LG