Ndërlidhjet

logo-print

"Bogdanoviq: UNMIK-u - partner i Beogradit"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

ZËRI
I ashtuquajturi ministër për Kosovën, Goran Bogdanoviq, ka deklaruar se për shkak të problemeve të mundshme të serbëve të Kosovës, po intensifikohen bisedimet me UNMIK-un. "Jam i vetëdijshëm se ekziston rreziku në terren që serbët në enklava mund të vijnë në situatën që të mos kenë kujt tjetër t'i drejtohen pos EULEX-it dhe për këtë arsye po intensifikojmë bisedimet me UNMIK-un për respektimin dhe zbatimin e Rezolutës 1244 në meset serbe", ka thënë Bogdanoviq per agjencinë Beta. Ai ka theksuar se është i vetëdijshëm se këto bisedime janë mjaft të vështira, por Beogradi duhet të këmbëngulë në luftë, sepse çdo gjë tjetër mund të shkaktojë tensione të reja. "Po përgatisim takime ndoshta edhe në nivelin e grupeve punuese. Qellimi ynë nuk është të bisedojmë e të mos ketë rezultate, pasi që takimi i ardhshëm me shefin e UNMIK-ut, Zannier, duhet te shkojë deri në fund", ka thënë Bogdanoviq. Ai ka shtuar se Beogradi kërkon minimumin e minimumit dhe duhet që këto kërkesa të përmbushen, sepse nuk mund të pranohen vetëm kërkesat e shqiptarëve...

EPOKA E RE
Përderisa kryeministri malazias, Millo Gjukanoviq, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës do të bëhet sipas interesave të vendit, në anën tjetër kryetari i Lidhjes Demokratike, Mehmet Bardhi, ka paralajmëruar radikalizim të shqiptarëve në Mal të Zi, duke kërcënuar me mosdalje në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Gjukanoviq ka deklaruar të martën se, edhe pse presioni është i madh, njohja e Kosovës shtet do të bëhet varësisht nga interesat e vendit. "Një pjesë e bashkësisë ndërkombëtare pret nga Mali i Zi ta njohë pavarësinë e Kosovës. Këto pritje nuk janë per t'u befasuar. Nëse dëshirojmë të jemi pjesë e bashkësisë euroatlantike, atëherë partnerët tanë nga këto bashkësi presin që ne të orientohemi sipas politikës së jashtme të tyre", ka theksuar kryeministri malazias... Një pjesë e shqiptarëve të Malit të Zi mund të mos dalë fare në zgjedhjet presidenciale malaziase, të cilat janë paraparë të mbahen më 6 prill 2009. Këtë qëndrim radikal e ka dhënë Mehmet Bardhi, kryetar i Lidhjes Demokratike në Mal të Zi, partia e të cilit këtë herë nuk po e përkrah asnjë kandidat presidencial. Jo rrallëherë vota e shqiptarëve ka qenë përcaktuese në krijimin e pushtetit proevropian në Mal të Zi. Duket se këtë herë, në një pjesë të votave shqiptare, nuk mund të llogarisë askush, madje as partia e Millo Gjukanoviqit, e cila tradicionalisht e ka fituar pushtetin pikërisht me votat shqiptare...

KOHA DITORE
Presidenti Fatmir Sejdiu, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, kryeministri HashimThaçi dhe dy zëvendëskryeministrat, Ramë Manaj e Hajredin Kuçi, të martën i kanë pranuar në mënyrë zyrtare pasaportat e para diplomatike të shtetit të Kosovës. Krerët institucionalë këto pasaporta i kanë pranuar nga ministri i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, ndonëse më herët ishte paralajmëruar se ky formalitet do të kryhej nga ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti. Pajisja e udhëheqësve shtetërorë me pasaporta diplomatike është cilësuar nga presidenti Sejdiu si akt shumë i rëndësishëm për të ardhmen e vendit, për faktin se tash e tutje edhe përfaqësuesit diplomatike të Kosovës do të mund të qarkullojnë lirshëm nëpër botë, ashtu siç lëvizin lirshëm diplomatët e botës demokratike. "Është shumë me rëndësi që ky dokument është shenjë e identitetit shtetëror të Kosovës, dhe është shumë me rëndësi që njerëzit që do ta prezantojnë Kosovën do ta kenë mundësinë të qarkullojnë si të gjithë diplomatët dhe udhëheqësit e institucioneve të botës demokratike", ka thënë Sejdiu. Më pas, tre udhëheqësit kryesorë të shtetit, bashkë me ministrin e Jashtëm, Hyseni, kanë zhvilluar një takim me dhjetë të ngarkuarit me punë në shtetet e jashtme...

KOSOVA SOT
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e vet të parë që e ka mbajtur dje për përgatitjen e punës së sesionit vjeshtor të Kuvendit të Kosovës, ka caktuar kalendarin për dy seancat e para plenare. Në seancën e caktuar për datën 18 shtator, ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, do të paraqitet për herë të parë në interpelancë para deputetëve. Vendimi është marrë nga Kryesia e Kuvendit, bazuar në një kërkesë të kahershme të partisë kryesore opozitare Aleanca Kosova e Re. Megjithatë, ky subjekt politik është tërhequr nga mocioni për dorëheqjen e ministrit, ngase është vlerësuar se kjo mundësi nuk u lejuaka edhe me rregulloren e punës së Kuvendit. "Nuk do ta kërkojmë dorëheqjen e ministrit, sepse nuk e kemi këtë mundësi me rregullore, por mund të kërkohet votëbesimi i Qeverisë, por jo i ministrit ose i ministrave veç e veç, sepse kjo është punë e kryeministrit", tha Ibrahim Gashi nga AKR-ja. Megjithatë, ai tha se në diskutimet individuale të deputetëve mund të dalë edhe kjo çështje si kërkesë që do të artikulohet para Kuvendit të Kosovës. "Nga diskutimet mund të dalin kërkesa individuale edhe me një ton të tillë, por në interpelancë janë thënë mirë vërejtjet tona dhe në bazë të diskutimeve tona ato do të plotësohen dhe argumentohen edhe më shumë dhe i mbetet pastaj Qeverisë që të shikojë çështjen e ministrit", tha Ibrahim Gashi...

LAJM
Në prag të sesionit të 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, që fillon punimet më 21 shtator, kosovarët dhe serbët kanë shtuar edhe më shumë ofensivën diplomatike "pro" dhe "kundër" pavarësisë, por tash në botën arabe dhe atë myslimane. Shefi i diplomacisë kosovare, Skënder Hyseni, të enjten, në Jeddahin të Arabisë Saudite, do të takohet me Sekretarin e Përgjithshëm të Konferencës së Organizatës Islamike (OKI), Ekmeleddin Ihsanoglu, të cilin do ta informojë rreth progresit të arritur në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë. Gjithashtu, Hyseni do të kërkojë nga vendet e OKI-it, gjithsej 57 sish sa janë, që ta njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe t'i japin mbështetje Kosovës gjatë sesionit të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. "Në ketë takim, ministri Hyseni do të kërkojë njohjen e shtetit nga vendet anëtare të Organizatës islamike. Insistimi ynë është që të ketë njohje "ne blok" nga kjo orgatiizatë, dhe, e dyta, ministri do të kërkojë që këto vende të mos e votojnë rezolutën e Serbisë kundër pavarësisë së Kosovës në Asamblenë e Përgjithshme", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme, Albana Beqiri, për "Lajm" të martën. Ndërkohë, në sesionin e Asamblesë së Përgjithshme, Serbia do të kërkojë miratimin e rezolutës kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës, rezolutë kjo e cila nëse miratohet nga mbi 90 shtete, i hap rrugë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që ta shqyrtojë rastin "Kosova" dhe pas këtij shqyrtimi të japë një opinion rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës...

BOTA SOT
Jemi shtet i marrëveshjeve, shtet i pavarur. Shkalla e pavarësisë (më e madhe a më e vogël) nuk varet krejtësisht prej nesh, po prej marrëveshjeve. Pavarësinë "me kushte" nuk e pranon si faktike vetëm filozofia, madje ajo sofiste, por jo edhe politika. Veç supeifuqive, që janë nja dy a tri, cilat shtete të botës sot janë aq shumë të pavarura sa edhe pa ndonjë marrëveshje me "të tjerët" të vendosin çdo gjë krye më vete?! Pas një angazhimi njëqindvjeçar, kemi arritur pavarësinë vetëm atëherë kur angazhimit tonë i dolën në ndihmë promovueset e demokracisë dhe lirisë planetare, SHBA-të. Ne themi (edhe) "bashkësia ndërkombëtare" na ndihmoi. Në ato marrëveshje, që në kontinuitet janë zbatuar me vonesa të mëdha gjatë këtyre nëntë vjetëve të shkuara janë saktësuar kritere të qarta, janë ligjësuar më në fund edhe me Kushtetutë, kritere që janë ndjekur dhe do të ndiqen për sa kohë të ketë nevojë, kritere për realizimin dhe zhvillimin shoqëror dhe politik të Kosovës. Por, në "bashkësinë" ndërkombëtare ekzistojnë kontradikta, të cilat eliminohen (edhe atje) nëpërmjet marrëveshjeve. Por, a i respektojnë të gjithë nga "bashkësia" marrëveshjet e tyre (midis tyre jo kur është fjala vetëm per ne)? Jo...

INFOPRESS

Ish i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin, ambasadori Richard Holbrooke, i tha BBC-së se anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian do të duhej të ishte pjesë e një marrëveshjeje në paketë. Ai tha se në këtë paketë duhet të përfshihen Kosova, Bosnja Hercegovina, Maqedonia dhe Mali i Zi. Ai tha se të gjitha këto vende duhet të arrijnë paraprakisht marrëveshje me të cilën i pranojnë kufijtë ndërkombëtarë të njëra-tjetrës. Ambasadori Holbrooke e cilësoi gabim tragjik nëse BE-ja do të lejonte hyrjen e njërit vend para të tjerëve duke i dhënë mundësinë që të vë veto ndaj shteteve të tjera. Ish i dërguari amerikan për Ballkanin tha se çdo dobësim i Partisë Radikale në Serbi do të ishte në të mirë të Kosovës dhe i jep shanse më shurnë presidentit aktual Boris Tadiq. Arkitekti i marrëveshjes së Daytonit, që i dha fund luftës në Bosnjë e Hercegovinë, takoi të hënën udhëheqësit politikë në Kosovë dhe hodhi poshtë çfarëdo krahasimi mes Kosovës dhe krahinave të Gjeorgjisë, Osetisë se Jugut dhe Abkhazisë. Ai shfaqi shpresën për shtimin e numrit të shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës...


XS
SM
MD
LG