Ndërlidhjet

Buçkovski: Maqedonia u vonua me njohjen e Kosovës


Vllado Buçkovski
Vllado Buçkovski

Maqedonia është vonuar në marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës dhe në këtë mënyrë lë përshtypjen e ekzistimit të problemit me fqiun e ri, ka deklaruar ish-kryeministri Vllado Buçkovski, duke shprehur bindjen se në një aksion të koordinuar diplomatik Kosova shumë shpejt do të njihet nga Maqedonia dhe Mali i Zi. Ndërkohë, BDI-ja ka kundërshtuar propozimin e presidentit Cërvskovski, sipas të cilit njohja duhet të kushtëzohet me njohjen e emrit të Maqedonisë nga Kosova. Sipas BDI-së, për këtë çështje mund të bisedohet por jo edhe të paraqitet si kusht për njohjen e Kosovës.

Ish-kryeministri i Maqedonisë, Vllado Buçkovski, ka deklaruar për Radion Evropa a Lirë se Maqedonia është vonuar në marrjen e vendimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës pasi në këtë mënyrë do të evitoheshin dyshimet se Kosova ka mosmarrëveshje me fqinjët e saj.

“Unë kam pritur që shumë më herët Maqedonia të përcaktojë qëndrimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Mosnjohja e shtetësisë së Kosovës nga fqinjët e saj mund të lindë dyshime se shteti i ri i krijuar ka probleme me fqinjët e tij. Përkundër kësaj, jam i mendimit se në një aksion të koordinuar diplomatik, shumë shpejt Maqedonia dhe Mali i Zi do të njohin pavarësinë e Kosovës”,
deklaroi ish-kryeministri Vllado Buçkovski, tani deputet i Lidhjes Social-demokrate në opozitë.

Ai mendon se në marrjen e vendimit për Kosovën kontribuon edhe çështja e demarkacionit, e cila po zhvillohet në një atmosferë relaksuese, për shkak të mosparaqitjes së problemeve në terren. Ndërsa, sa i përket prononcimit të kreut të shtetit, Branko Cërvenkovski, i cili më herët kishte deklaruar se njohja e Kosovës duhet të kushëzohet edhe me emrin kushtetues të Maqedonisë nga ana e Prishtinës zyrtare, ish-kryeministri Buçkovski u shpreh:

“Çështja që u ngrit nga presidenti i shtetit është legjitime. Konsideroj se në raportet e fqinjësisë së mirë nuk ka nevojë që për shkak të ndjeshmërisë së temës, Kosova, e cila në periudhën e kaluar tek Maqedonia gjeti një aleat të fuqishëm, të mbajë anën dhe të kushtëzojë Maqedoninë me emrin kushtetues. Përkundër kësaj, pres që njohja e Kosovës të ndodhë shumë shpejt”.

Por, partia shqiptare në Qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim, është kundër asaj që njohja e Kosovës të kushtëzohet nga ana e Maqedonisë. Ja si e komenton propozimin e Cërvenkovskit, koordinatori i Grupit Parlamentar të BDI-së, Tahir Hani:

“Kjo çështje edhe mund të shtrohet ndërmjet dy shteteve, por nuk duhet të jetë kusht i njohjes së pavarësisë së Kosovës. Njohja e saj duhet të ndodhë shumë shpejt, në mënyrë që më pas të mund të ndërtohen raportet e mira ndërfqinjësore ndërmjet Maqedonisë dhe Kosovës”, deklaroi Hani, duke shtuar se partia të cilën përfaqëson ka kontakte të vazhdueshme me VMRO-DPMNE-në për çështjen e Kosovës dhe pas rezultateve pozitive në procesin e caktimit kufitar pret edhe njohjen formale të Kosovës.

“Shpresoj se së shpejti Maqedonia do të njohë pavarësinë e Kosovës. Për këtë, presim edhe mirëkuptim mes partnerëve të koalicionit, të cilët dëshirojnë ta mbyllin këtë çështje. Njohja e pavarësisë nga shtetet fqinje ndikon edhe në stabilitetin e këtyre shteteve, ndërsa kjo do të reflektojë edhe stabilitet në rajon”,
deklaroi Hani, duke shprehur kënaqësinë në veçanti nga zhvillimi pozitiv i mbylljes së demarkacionit në rajonin e Debëlldesë, që ishte edhe pika me e ndjeshme në caktimin e vijës kufitare mes dy vendve.
XS
SM
MD
LG