Ndërlidhjet

Hamiti: Faktori ndërkombëtar është i pakoordinuar


Sabri Hamiti

Sabri Hamiti

"Faktori ndërkombëtar nuk e ka bërë koordinimin e duhur as pas urdhëresave të Ban Ki Moonit për të përcaktuar secili detyrën që e ka në Kosovë", thotë Sabri Hamiti, nga Lidhja Demokratike e Kosovës.


RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hamiti, kanë kaluar më shumë se gjashtë muaj që nga shpallja e pavarësisë, por edhe më tej institucionet e Kosovës nuk po arrijnë të shtrijnë autoritetin e tyre në gjithë vendin. Si e shihni ju këtë çështje?

SABRI HAMITI
Unë e shoh si një zhvillim të pritshëm politik në Kosovë. Shpallja e pavarësisë me Kushtetutën e aprovuar nuk do të thotë që institucionet e Kosovës përnjëherë do të mund t'i marrin të gjitha autoritetet në Kosovë.

Kjo shihet shumë mirë nëse analizohet që brenda Kushtetutës është i plotë plani i Ahtisaarit, i cili gjithnjë i jep fuqi vendosëse, madje ekzekutive, në shumë pika, asaj që quhet prani ndërkombëtare në Kosovë, e cila tashti në frymën e Kushtetutës, me EULEX-in merr kuptimin e funksionimit të saj në punë të sigurisë dhe të drejtësisë.

Shkurt, po përpiqem të rezymoj se nuk ka shtrirje të autoritetit të institucioneve të Kosovës kudo, pa koordinim të fuqishëm me praninë politiko-ekzekutive ndërkombëtare në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si mund të bëhet kjo?

SABRI HAMITI

Me aktivizim të këtyre raporteve, me aktivizim definitiv dhe me përcaktim të funksionit çfarë do të jetë UNMIK në Kosovë, çfarë do të jetë Përfaqësues Civil Ndërkombëtar, çfarë do të jetë EULEX.

Ky nuk është një problem shumë i thjeshtë. Ka shumë pretendues në politikën në Kosovë edhe sot, aq më tepër që këta faktorë që janë ndërkombëtarë nuk e kanë bërë koordinimin e duhur as pas urdhëresave të Ban Ki Moonit për të përcaktuar secili detyrën që e ka në Kosovë.

Unë shpresoj - thonë fundi i vjeshtës do të sjellë shtrirjen e EULEX-it në të gjitha pikat e Kosovës, e cila shtrirje domosdo shton përgjegjësinë e tyre, siç edhe shton edhe aktivizimin e përgjegjësive të përbashkëta me institucionet e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Situata në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë e njëjtë, madje strukturat paralele veç po i forcojnë organet e tyre. Si e shpjegoni ju këtë situatë?

SABRI HAMITI
Pa një funksionalizim të pushtetit ekzekutiv qendror të Kosovës në të gjitha pikat, normalisht që do të kemi gjithmonë pretendues lokalë të pushtetit; në këtë rast quhen ilegale, quhen me emra të ndryshëm.

Por, sido që të jetë, aty ku pushteti legal qendror nuk shtrihet, gjithmonë ekziston mundësia e pushteteve të vetëshpallura.

RADIO EVROPA E LIRË
Deri më tash, Kosovën e kanë njohur 46 shtete. Në çfarë drejtimi mendoni se duhet të punojnë institucionet e Kosovës për të shtuar numrin e njohjeve?

SABRI HAMITI
Kjo puna e numrit të njohjes së shteteve të Kosovës ka marrë një retorikë edhe publike, edhe politike, pak të çuditshme. Kemi një numër të madh njohjesh të Kosovës. Nuk kemi numrin e imagjinuar dhe të dëshiruar.

Mirëpo, ajo që mund të bëjë Kosova, nuk është vetëm të bëjë thirrje për njohje, por të dëshmojë se pas shpalljes së pavarësisë, është e zonja të qeverisë, është e zonja të ndërtojë një shtet demokratik, është e zonja të krijojë raporte me të tjerët në baza të barabarta.

Pra, duhet demonstrim i vullnetit dhe zhvillimit të brendshëm për të reflektuar një njohje ndërkombëtare. Nuk është këtu krejt problemi se ka një pasivizim të kërkesës. Kërkesa popullore e institucionale e Kosovës është që të njihet Kosova sa më shumë.

Për këtë duhet veprim i koordinuar me vendet që ndihmojnë Kosovën, sepse kapacitetet vepruese politike ndërkombëtare të Kosovës nuk janë aq të mëdha siç mund të mendojë dikush dhe siç dëshiron.

RADIO EVROPA E LIRË
Flasim pak për disa çështje që kanë të bëjnë me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Anëtarë të Kryesisë së partisë suaj kanë deklaruar se në LDK do të nisin reforma. A ka LDK-ja ndonjë plan strategjik për një gjë të tillë?

SABRI HAMITI
Po, po, LDK-ja do të reformohet. LDK-ja është në një aktivizim të jashtëzakonshëm të kërkimit të rrugëve të reformimit. Është punë tjetër hapat, dinamika, forma që do të marrin këto kërkesa.

LDK-ja patjetër që do të reformohet dhe kjo është në fokusin e të gjitha organeve përfaqësuese të saj. Ajo ka kryer një cikël të komunikimit direkt me degët e veta në Kosovë dhe kudo ku është e shtrirë dhe ka marrë idetë që vijnë nga to. Ato duhet të sublimohen me kërkesa konkrete dhe me afate konkrete.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG