Ndërlidhjet

"Goditet krimi i organizuar në dogana"


Të përditshmet kosovare

Të përditshmet kosovare

KOHA DITORE
Zëvendësdrejtori i Doganave, Bujar Shatri, është arrestuar të mërkurën së bashku me pesë doganierë, ish-doganierë dhe një shpediter, si të dyshuar për krim të organizuar dhe disa vepra të tjera penale. Shatrin e kishin arrestuar në zyren e tij hetuesit e krimeve ekonomike dhe të korrupsionit në kuadër të Komandës Kryesore të Policisë, ndërsa të dyshuarit e tjerë janë arrestuar në lokalet e policisë, pasi i ishin përgjigjur fteses së hetuesve. Në polici janë arrestuar tre ish-zyrtarët e Doganës. Lulzim Syla, Arsim Zuka dhe Bekim Gashi -shefi i ndërrimit i Doganës në Aeroportin e Prishtinës, Korab Shasivari dhe oficeri doganor në Han të Elezit, Arlind Osharani, si dhe punëtori i shpedicionit "Xheti Shped" në Han të Elezit, Selatin Krasniqi. "Të arrestuarit dyshohen se kanë kryer vepra penale të krimit të organizuar, shpërdorim i detyrës zyrtare, marrje e ryshfetit, dhënie e ryshfetit, ushtrim i ndikimit, bashkëkryerja dhe bashkimi kriminal", ka thënë zedhënesi i policisë, Veton Elshani. Policia ka dhënë shumë pak informacione lidhur me rastin e arrestimit të doganierëve. Përveç emrave të dyshuarve dhe veprave me të cilat ata ngarkohen, në komunikatën e lëshuar nga policia nuk jepen detaje per rastet për të cilët dyshohet se kanë marrë ryshfet apo kanë keqpërdorur detyrën zyrtare...

KOSOVA SOT
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, nëpërmjet një deklarate të veçantë, rikujton dhembjen gjithënjerëzore dhe rishpreh solidarizimin e popullit të Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. I pari i Republikës, duke kujtuar 11 shtatorin e para shtatë viteve, thotë se sulmi ndaj Kullave Binjake në Nju Jork të SHBA-së ishte tronditje e botës demokratike. "Shtatë vjet më parë, më 11 shtator 2001, bota e civilizuar dhe demokratike u trondit rëndë nga sulmet terroriste mbi Qendrën Tregtare Botërore në Nju Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington. Pamjet e llahtarshme të goditjeve me aeroplanet e rrëmbyer të Kullave Binjake dhe njerëzit e pafajshëm që kërkonin ndihmë, forcuan vetëdijen e të gjitha forcave përparimtare kudo në botë se rreziku nga terrorizmi është kërcënimi më serioz ndaj shoqërisë së sotme njerëzore dhe se askush nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi", thotë në mesazhin e tij presidenti Sejdiu. Kreu i vendit shton më tej se duke qenë shpirtërisht afër me familjet e viktimave dhe me mbarë popullin dhe institucionet amerikane, "edhe në këtë përvjetor ne shprehim solidaritetin e plotë me shtetin mik, SHBA-në"...

ZËRI
Këshilltari i Politikës së Jashtme i Barak Obamës, Robert Gelbart, ka vlerësuar se administrata e ardhshme amerikane do të ketë qasje tjetër në rajon dhe ka theksuar se Kosova, siç shkruante dje gazeta "Blic", e cila tani është qendër e politikës ballkanike të SHBA-ve, nuk guxon të jetë kusht per Serbinë për integrimet evropiane. Ish-emisari amerikan për Ballkanin, në një intervistë për agjencinë Beta, gjatë qëndrimit në Beograd ka thënë se në ekipin e Obamës është i ngarkuar për koordinimin e politikës ndaj Ballkanit. Ai ka theksuar se administrata e Bushit para katër vjetësh nuk ka qenë fare e interesuar për Ballkanin, e pastaj përnjëherë Ballkani u bë politikë në qendrën e të cilës ishte Kosova. "Besoj se duhet të zhvillojmë strategjinë rajonale dhe po ashtu besoj se Serbia është qendër e kësaj strategjie. Historia na mëson se kur Serbia ka stabilitet dhe për-parim, stabilitet dhe përparim do të ketë në gjithë rajonin. Është gabim të kemi politikë të fokusuar përreth Kosoves. Ajo duhet të jetë rajonale dhe politikë e integruar rajonalisht", citon Beta të ketë thënë Gelbart...

INFOPRESS
Kryetari i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministri kosovar, Bajram Rexhepi, paralajmëroi të mërkurën vështirësi për vendosjen e misionit të Bashkimit Evropian në veri të vendit, te cilat vijnë edhe për shkak të, siç tha ai, papërgjegjshmërisë së zyrtarëve të UNMIK-ut në Mitrovicë. Situata e përgjithshme në Komunën e Mitrovicës, duke përfshirë këtu edhe veriun e vendit, ishte temë diskutimi ndërmjet kryetarit të kësaj komune, Bajram Rexhepi, dhe ambasadores së Francës në Kosovë, Delphine Borione. Me këtë rast, kryetari Rexhepi vlerësoi se gjendja, ditët e fundit, në këtë komunë ka qenë e qetë dhe pa ndonjë incident që do të reflektonte në gjendjen e sigurisë, ndërkohë që autoritetet komunale janë duke punuar në realizimin e projekteve që kanë të bëjnë me krijimin e kushteve për jetë me të mirë të qytetarëve, duke përmendur këtu edhe disa projekte në veri, si ujësjellesi për fshatrat Gushavc e Vinarc, rruga e Vidimriit etj. Ai e njoftoi ambasadoren edhe për përgatitjen e draftdokumentit për Planin Zhvillimor Urban dhe Planin Zhvillimor Komunal, që do të dalin në diskutim publik...

EXPRESS
Presidentii Rumanisë,Traian Basescu, ka deklaruar se shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës ka shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. "Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë duke e shkelur Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit, ndërsa fuqitë e mëdha nuk i respektojnë më as rezotutat e Këshillit të Sigurimit, e as të drejtën ndërkombëtare", ka deklaruar Basescu. Rumania, nje shtet ky anëtar i Bashkimit Europian, është vënë në bllokun e kundërshtarëve të mëdhenj të pavarësisë së Kosovës, duke u pozicionuar kështu në krahun e Rusisë dhe Serbisë. Në një emision të televizionit publik rumunTVR,Traian Basescu ka shfaqur shqetësimin e tij në lidhje me politikat që po ndjekin shtetet perëndimore, me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës. "Tash në Evropë po jepen leksionet e para për shkeljen e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara, dhe në këtë situatë parashtrohet pyetja - çfarë garancish mund të kenë shtetet e vogla?", ka pyetur Basescu...

EPOKA E RE
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka zhvilluar të mërkurën një takim njohës me ambasadorin e Italisë në Prishtinë, Michael Giffoni. Temë kryesore e diskutimeve ishte angazhimi i dyanshëm për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve. Ambasadori italian ka shprehur përkushtimin dhe gatishmërinë e Italisë për thellimin e bashkëpunimit me shtetin e ri të Kosovës, duke thënë se hë këtë drejtim, ai si përfeqësues diplomatik i shtetit italian në Prishtinë, do ta japë kontributin maksimal për foicimin e marrëdhënieve të gjithëmbarshme ndërmjet Kosovës dhe Italisë. "Italia ka një përvojë të gjatë demokratike parlamentare, ndaj parlamentarët italianë janë të interesuar ta vizitojnë së shpejti Kosovën", ka thënë Giffoni. Në vijim ambasadori italian ka shfaqur shpresën se edhe Serbia do ta ndryshojë politikën e saj ndaj Kosovës. "Ky ndryshim do të ketë si rrjedhojë edhe ndryshimin e qasjes së serbëve të Kosovës ndaj institucioneve të këtushme", është shprehur ai...

BOTA SOT
Qyteti i Podujevës u pasurua edhe me një objekt të ri shkollor dhe modem, i cili u ndërtua me investimin e rreth gjysmë milioni euro të Komisionit Evropian. Në solemnitetin e përurimit, presidenti i Republikës, Fatmir Sejdiu, në ceremoninë ku morën pjesë edhe kryetari i komunës, Ilaz Pireva, shefja e Njësisë për Kosovën në Komisionin Evropian në Bruksel, znj. Qjenoveva Ruiz Kalavera, si dhe shefi i Zyrës së Komisionit Evropian në Prishlinë, Renzo Davidi me stafin e tij, tha se shkolla e re paraqet dedikimin e Komisionit Evropian për stabilitet të jetes së njerëzve në Kosovë. "Kjo shkollë që ka ndërtuar KE është shenjë e mbështetjes së perspektivës, jetës dhe stabilitetit të njeriut në Kosovë", tha Sejdiu, për të rikujtuar pjesëmarrësit për kontributin e BE-së, e cila në Konferencën e Donatorëve dhuroi 500 milionë euro për Kosovën, si dhe ndihmën e shumanshme të SHBA-së për Kosovën, lirinë dhe pavarësinë e saj. Sejdiu ka premtuar ndihmën institucionale për Podujevën për ndërtimin dhe zhvillimin e të gjitha fushave të jetës...

LAJM
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, organ gjyqësor i Kombeve të Bashkuara, nuk do të mund ta rrezikojë pavarësinë e Kosovës. Kërkesa e Serbisë që të gjykohet legjitimiteti i pavarësisë së Kosovës nuk e frikëson as Prishtinën dhe as vendet që e kanë njohur deri tani shtetin e ri ballkanik. Argumenti kryesor është se Kombet e Bashkuara nuk krijojnë shtete dhe, si rrjedhim, gjykata nuk ka të drejtë juridike të marrë vendim për një çështje politike. Kërkesa e Beogradit nga analistët serbë më shumë gjykohet si përpjekje për të dalë nga udhëkryqi, duke e ditur se opinioni negativ nga gjykata do t'i hapte rrugë Serbisë ta pranojë "faqebardhë" realitetin se Kosova është shtet. Sidoqoftë, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së mund ta miratojë rezolutën e Serbisë, e cila i kërkon Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të japë një opinion rreth ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës, por varet shumë se çfarë opinioni do të japë kjo gjykatë, pas shqyrtimit të çështjes "Kosova". Në kontekstin pozitiv, Gjykata Ndërkombëtare, sipas Afrim Hotit, ekspert i së Drejtës Ndërkombëtare Publike, vetëm e konstituon një gjendje juridike. Jep argumente në favor të pavarësisë se Kosova ka vendosur për statusin e saj në bazë të së drejtës ndërkombëtare, duke e respektuar parimin e së drejtës për vetëvendosje...






XS
SM
MD
LG